Ftesa në festën e birrës në Korçe për këngëtarin serbo-kroat, Goran Bregovic ka ngjallur debat ne rrjete sociale, frymë që në fakt nuk u përcoll të dielën, kur qytetarët e refuzuan protestën e thirrur nga një grup i vetëquajtur “Patriotët korçarë”, e që doli se ishin Kujtim Gjuzi e Selami Jenisheri.
Qytetarët korçarë të njohur për mikpritjen dhe shpirtin artistik të tyre, shprehen se politika nuk duhet të ngatërrohet me artin, pasi arti ka mision të afrojë dhe miqësojë popujt.
Korça pret me padurim ditët e Festës së birrës, gjatë të cilave qyteti gumëzhin nga turistët, muzika dhe hareja dhe festa triumfon për 5 net me radhë. Qytetarët korçarë presin të jenë pjese e saj, ndërsa ka edhe nga ata të cilët kanë ardhur nga jashtë vendit për këtë festë madhështore.
Qytetarët korçarë janë në pritje të mysafirëve nga gjithë Shqipëria, nga vendet fqinjë por edhe nga vende të botës që do të marrin pjesë në festën e birrës dhe prenotimet në hotelet dhe bujtinat e Korçës kanë filluar.
Festa e Birrës nis më datë 18 gusht e për 5 net me radhë turistët vendas dhe të huaj do të shijojnë lloje të ndryshme birrash, koncerte me këngëtarë shqiptarë e të huaj si dhe ushqime tradicionale të zonës.