Komiteti Teknik nuk ka vendosur për marrjen e masave të reja anti-Covid në vend pavarësisht rritjes së madhe të numrit të të infektuarve. Kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli tha se shkak për rritjen e infektimeve është pikërisht variant “Delta” duke kërkuar me ngulm nga qytetarët që të vaksinohen.
Albana Fico zbuloi shifrat më të fundit nga koronavirusi, duke pasqyruar pikërisht numrin e madh të rasteve. Sipas saj është rritur ndjeshëm incidenca duke shkuar në 202 raste për 100 000 banorë krahasuar me 38 raste që ishin dy javët e mëparshme.
Fico deklaroi se mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste nga 291 krahasuar me një javë përpara.
“Numri total i rasteve aktive në vend është rritur nga 5 573 në 5 792 raste që çon në rritje të incidencës dy javore me rreth 5 herë krahausra me dy javët e shkuara. Incidenca është 202 raste të reja për 100 mijë banorë, krahasura me 38 raste të reja për 100 000 banorë”, tha ajo.
Mësohet se nga rastet e fundit, vdekshmëria vërtitet në rreth 1.8 për qind.
Duke iu referuar shifrave të vaksinimit si edhe nevojës së madhe për kryerjen e saj, Silvana Bino tha se reastet nga persona të pavaksinuar janë 12 herë më shumë krahasuar me rastet e personave që kanë marrë vetëm një dozë vaksine. Ndërkohë, sipas saj, rastet e personave të pavaksinuar janë 32 herë më shumë krahasuar me rastet e personave të vaksinuar.
Rakacolli tha se këto shifra konfirmojnë se bërja e vaksinës do të mundësojë uljen e mëtejshme të rasteve.
Përfundimisht Komiteti Teknik konfirmoi se situata mund të mbahet nën kontroll duke respektuar masat e marra më herët në lidhje me koronavirusin. Të tilla janë mbajtja e maskës në ambientet e mbyllura, si markete, qendra tregtare, aeroporte, etj.
Po ashtu do të mbahet në fuqi vendimi për të mos lejuar grumbullime mbi 50 persona në ambiente të jashtme, ndërsa muzika nuk do të lejohet pas orës 23:00.