MENU
klinika

Analiza

Dështimi në Afganistan, nuk do t’i dobësojë aleancat e Amerikës

21.08.2021 - 10:56

Nga Robin Niblett, Foreign Affairs

Kur administrata e presidentit Joe Biden vendosi në prill tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani deri më 11 Shtator 2021, pikërisht në20 vjetorin e sulmeve terroriste ndaj SHBA-së, ky lajm u prit me pakënaqësi nga zyrtarët evropianë, të cilët mendonin se nuk ishin qenë konsultuar aq sa duhet.

Megjithatë, mungesa e herëpashershme e mirësjelljes ndaj aleatëve evropianë, ka qenë një tipar i dy administratave të fundit demokratike në Amerikë, dhe jo vetëm i atyre të fundit republikane. Dhe politikë-bërësit evropianë mund të ngushëlloheshin të paktën se kishin tani një ekip shumë profesional zyrtarësh të lartë në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit dhe në Pentagon, shumicën e të cilëve ata i kishin njohur nga postet e mëparshme që ata kishin mbajtur në qeverinë amerikane.

Këta zyrtarë amerikanë i siguruan se ndërhyrja në Afganistan që po kryente Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë dy dekada më parë, do të kishte një përfundim të pranueshëm. Pastaj erdhi kolapsi i shpejtë i ushtrisë afgane përballë talebanëve, kolapsi i qeverisë dhe skenat e kaosit në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit.

Këto ngjarje nxorën në pah jo vetëm keqkuptimin e madh të Uashingtonit mbi situatën në Afganistan, por e vunë në dyshim besimin evropian tek kompetencat e administratës Biden. Edhe më shqetësuese se sa kaq, këto ngjarje i detyruan zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët evropianë por edhe analistët kryesorë, të pyesnin nëse qeveritë evropiane dhe aleatët e tjerë

të Shteteve të Bashkuara mund t’i zinin besë çdo lloj administrate amerikane, qoftë kjo administrata aktuale Biden apo ajo e ardhshme republikane, se do t’i qëndrojë angazhimeve të saj në fushën e sigurisë në territoret e huaja në të ardhmen.

Fatmirësisht, largimi kaotik dhe i nxituar e Uashingtonit nga Afganistani, nuk paralajmëron një çarje më të gjerë në marrëdhëniet transatlantike, dhe as një dobësim të angazhimit të Uashingtonit ndaj aleancave kryesore.

Në kohën e kërcënimeve globale në rritje, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të vazhdojnë që të thellojnë bashkëpunimin e ripërtërirë transatlantik të krijuar nga administrata Biden.

Presidenti aktual i SHBA-së, e bëri që në fillim të qartë se do t’i jepte prioritet asaj që Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan dhe kolegët e tij, e kanë quajtur një politikë të jashtme amerikane për shtresën e mesme, pra një politikë të jashtme të mbështetur ose të përshtatur ndaj interesave të shumicës së votuesve amerikanë, dhe jo vetëm ndaj këshillave që merr Uashingtoni nga elitat.

Duke iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit mbi Klimën, duke ruajtur tarifat tregtare mbi Kinën dhe në një masë më të vogël edhe mbi Evropën, SHBA reflektoi elemente të kësaj qasjeje të re.

Përfundimi i ndërhyrjes “ së përjetshme” në Afganistan, ishte për Biden testi i lakmusit dhe një trashëgimi logjike nga administrata e ish-presidentit Donald Trump. Kjo qasje më e tërhequr dhe më e fokusuar brenda vendit e politikës së jashtme amerikane, mund të ketë kuptim në klimën aktuale politike.

Por pse qeveritë evropiane dhe aleatët e tjerë amerikanë, duhet të supozojnë se shtresa e mesme amerikane është më shumë e shqetësuar mbi sigurinë e Letonisë dhe Lituanisë, apo të Tajvanit, sesa për sigurinë e Afganistanit?

Dhe nëse Biden nxiton të fajësojë udhëheqësit e Afganistanit për kolapsin e shpejtë ndaj  talebanëve, pse ai të mos jetë po aq shpërfillës ndaj shqetësimeve të qeverive evropiane, tëcilat shpenzojnë mesatarisht pak më shumë se 1 për qind të PBB-së së tyre për të mbrojtur veten nga Rusia dhe kërcënimet e tjera në lagjen e tyre, ndërsa janë ende shumë të varur nga “ombrella” amerikane e sigurisë?

Këto pyetje kanë dominuar mediat që nga rënia spektakolare e Kabulit, por ato janë të gabuara për 3 arsye kryesore. Së pari, asgjë nga ato që kanë ndodhur deri më tani në Afganistan nuk do ta zhvendosë fokusin e administratës Biden nga përballja me sfidën nr.1 një të politikës së jashtme:menaxhimin e ngritjes së Kinës.

Në fakt, tërheqja nga Afganistani është një përpjekje e vetëdijshme dhe brutale për të ri-orientuar përparësitë strategjike të SHBA-ve larg Lindjes së Mesme gjerë, dhe më tepër drejt Paqësorit. Administrata Biden e pranon se administrata Trump nuk e kuptoi se sfida e Kinës mund të menaxhohet me sukses, vetëm në bashkëpunim me aleatët.

Aleatët evropianë të Uashingtonit,kanë një rol qendror në këtë strategji. Mesa duket, jo për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike, por të ndërlidhjeve jetike të Kinës me ekonomitë evropiane, si dhe për shkak të zërit të fortë të vendeve evropiane në institucionet multilaterale ku bën pjesë edhe Kina, e cila po përpiqet prej disa vitesh të rishkruajë rregullat globale të tregtisë, investimeve dhe qeverisjes së teknologjisë.

Përçarja transatlantike e dobëson politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinën, ndërsa angazhimi i Amerikës në marrëdhëniet e ngushta transatlantike, ndihmon në blerjen e mbështetjes së Evropës.

Pjesë e shpërblimit të pashprehur për Evropën nga ndihma që do t’i japë SHBA-në ne menaxhimin e sfidës së Kinës, është angazhimi i vazhdueshëm amerikan me Evropën në mbajtjen nën kontroll të Rusisë, që përbën kërcënimin më të afërt dhe më këmbëngulës për interesat e shumë qeverive evropiane.

Biden nuk e ka vënë në dyshim këtë pazar. Përkundrazi, ai e shfrytëzoi samitin e 14 qershorit me udhëheqësit e tjerë të NATO-s, përfshirë një takim të veçantë me udhëheqësit e shteteve baltike, për të nënvizuar angazhimin e SHBA-ve ndaj sigurisë evropiane dhe ndaj Nenin 5 të Kartës së NATO-s, që i detyron shtetet anëtare ta cilësojnë një sulm ndaj njërit aleat si një sulm ndaj të gjithëve. Ndërkohë udhëheqësit evropianë, ranë dakord për herë të parë që ta përmendin Kinën në komunikatat e tyre të NATO-s dhe samitit BE-SHBA.

Së dyti, në vend se të paralajmërojë një shkelje të angazhimeve ndaj aleancës nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe një tërheqje në kufijtë e saj, natyra publike e dështimit në Kabul – me gjithë krahasimet që u bënë me tërheqjen e SHBA-së nga Vietnami në vitin 1975 – ka më shumë gjasa ta detyrojë Biden të tregojnë se Shtetet e Bashkuara janë “rikthyer” në skenën globale aty ku ka rëndësi.

Administrata aktuale, do të mbajë premtimet e dhëna në samitet të qershorit në Evropë, si ato për krijimin e Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA, dhe një Task Force të Zinxhirit të Prodhimit dhe Furnizimit në kuadër të pandemisë së Covid-19, apo marrja pjesë në projektin e BE -së për të mundësuar lëvizjen më të shpejtë të trupave në të gjithë Evropën.

Ndërkohë administrata Biden ka të ngjarë të vërë një theks më të madh tek operacionet e lirisë së lundrimit të SHBA-së në Detin e Kinës Jugore, të bashkëpunojë me Indinë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në fushën e industrisë dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme për të institucionalizuar QUAD, meqë Australia,India, dhe Japonia janë thelbësore për planin e SHBA-së për të kufizuar rritjen e ndikimit të Kinës në Azinë Jugore dhe atë Juglindore.

Së treti, qeveritë evropiane janë tani të investuara në mënyrë të pakthyeshme në suksesin e administratës së Bidenit, pavarësisht se çfarë ndodh në Afganistan. Gati të gjitha qeveritë evropiane, përfshirë ato më të mëdhatë – Franca, Gjermania, Italia dhe Britania – e dinë se duhet të ripërtërijnë partneritetin transatlantik përballë një Kine dhe Rusie gjithnjë e më agresive dhe ambicioze.

Ndërkohë, në mendjen e qeverive dhe qytetarëve evropianë, Shtetet e Bashkuara janë një partner jetik në përballje me çështjet globale më urgjente. Mbi të gjitha, për sfidën e ndalimit të rritjes së temperaturave globale. Evropianët nuk do të lejojnë që Afganistani apo fiaskoja e Kabulit t’i hutojë ata për një kohë të gjatë nga puna me Shtetet e Bashkuara për t’u përgatitur për Konferencën e ardhshme kryesore të OKB -së për Ndryshimet Klimatike në Gllasgou të Skocisë në nëntor të këtij viti.

Ashtu siç tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Vietnami, nuk e dëmtoi rrugëtimin e SHBA-së drejt dominimit ekonomik dhe gjeopolitik në shekullin XX, edhe eksodi kaotik nga Afganistani nuk ka pse nevojë të paralajmërojë rënien globale të SHBA-së në shekullin XXI.

Fuqia në marrëdhëniet ndërkombëtare është gjithmonë relative. Dhe në terma relativë, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë përparim strukturor dhe shoqëror sesa dy rivalët e saj gjeopolitikë kryesorë, sidomos nëse bashkëpunon ngushtë me aleatët e saj për të arritur synimet e tyre të ndërsjella.

Shënim: Robin Niblet është drejtor i “Chatham House”, Instituti Mbretëror Britanik i Çështjeve Ndërkombëtare.