E diela që lamë pas shënoi një bilanc tragjik në plazhet e vendit tonë. Tre persona kanë gjetur vdekjen, pasi u mbytën në det përkatësisht në plazhin e Spillesë në zonën e Kavajës dhe në plazhin e Velipojës.
Dy persona nga Maqedonia e Veriut, të identifikuar si Cvetko Mitanovsi 78 vjeç dhe Mirko Miçevski 79 vjeç, gjetën vdekjen pas dallgëve të forta në det. Të moshuarit kishin hyrë në det për t’u larë por për shkak të detit të trazuar, atë nuk kanë mundur të dalin të gjallë prej andej. Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:25 minuta të së dielës.
“Rreth orës 11:25, në plazhin e Spillesë, dy shtetas të gjinisë mashkullore dyshohet se si pasojë e dallgëve janë mbytur në det. Shtetasit që humbën jetën si pasojë e mbytjes në det janë M. M., 79 vjeç dhe C. M., 78 vjeç, pushues nga Maqedonia e Veriut. Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia e Tiranës me anë të një njoftimi.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Vrojtuesëve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, Gent Lasku, tha se pushuesit nga Maqedonia që humbën jetën në plazhin e Spillesë kanë qenë në një plazh publik që nuk mbulohej prej tyre.
“Ata kanë qenë pjesë e një grupi turistik nga Maqedonia e Veriut. Kanë qenë në plazhin publik. Vrojtuesi ka ndërhyrë kur ka parë trupat në ujë. Si fillim ka parë një trup. Por, kur ka hyrë në det më tej ka parë dy trupa. Ata nuk kanë qenë pjesë e atij plazhi që monitorohej. Ata janë nga Maqedonia e Veriut. Shkaku i mbytjes ka qenë arresti kardiak. Të dy janë meshkuj. Është bërë masazh kardiak nga vrojtuesit e plazhit dhe më pas nga ndihma e parë. Ndihma e specializuar është dhënë dhe me mjetet më të fundit. Nuk është bërë i mundur rikthimi në jetë me parametrat e tyre. Duhet patjetër një vrojtues plazhi, pasi ata japin ndihmë të specializuar”, tha ai.
MBYTET POLICI
Rreth së njëjtës orë, një 59-vjeçar nga Kosova gjeti vdekjen në plazhin e Velipojës. Edhe në këtë plazh, dallgët kanë qenë të forta gjatë ditës së djeshme. “Rreth orës 11:15, në plazhin e Velipojës, shtetasi H. H. rreth 59 vjeç, dyshohet se është mbytur në det. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaroi Policia e Shkodrës. Më vonë, rezultoi se viktima ishte një punonjës Policie në Republikën e Kosovës, i identifikuar si Hasan Hysenaj, banues në fshatin Petrovë të Komunës së Shtimes. “Me keqardhje morëm lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor, Hasan Hysenaj nga fshati Petrovë. Me këtë rast shprehim ngushëllimet të sinqerta familjarëve, të afërmve, kolegëve të punës dhe miqve të tij! Do ta kujtojmë përherë Hasan Hysenajn, jetën dhe veprën e tij në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, përkushtimi i pashoq dhe profesionalizmi i lartë, ishin virtyt i tij, andaj, kujtimi për të do të jetë i përjetshëm!”, thuhet në reagimin zyrtar të Komunës së Shtimes.
Roja i plazhit shpëton çiftin nga Elbasani
Pas dy pushues nga Maqedonia e Veriut gjetën vdekjen në plazhin e Spillesë për shkak të dallgëve, dy pushues nga Elbasanit kanë rrezikuar mbytjen gjatë ditës së djeshme po në këtë plazh. Fatmirësisht, një roje plazhi ka arritur të nxjerrë nga dallgët një 25-vjeçare nga Elbasani dhe të fejuarin e saj. Dy të rinjtë, janë futur për t’u lartë në një zonë ku përplasen dy rryma detare dhe për pasojë, e kanë pasur të vështirë të dalin prej andej. Fatmirësisht, aty është gjendur roja bregdetare Festim Sula që ka arritur të shpëtojë çiftin e të rinjve. Sipas raportimeve, çifti ka qenë rreth 80 metra në largësi të bregut. Në zonën e Orikumit në Vlorë, vrojtuesi i plazhit nga shpëtuar nga mbytje një familje.
“Vëmendja dhe përkushtimi i djemve që vrojtojnë plazhet janë më të rëndësishmet e verës. Rinild Çobani shpëtoi sot një fëmijë në plazhin e Orikumit. Bashkë me falënderimet për të dhe gjithë kolegëve të tij që sigurojnë jetën e pushuesve, ju kujtojmë që të jeni të vëmendshëm në ditët në vazhdim sepse moti nuk do të jetë i qëndrueshëm dhe deti s’është i sigurt! Denonconi çdo stacion plazhi ku mungojnë vrojtuesit”, sqaroi Bashkia e Vlorës.