MENU
klinika

“Go Back Viç"

Flori Mumajesi i bashkohet revoltës së artistëve

07.08.2021 - 11:04

Personazhe të shumtë kanë kërkuar që të bojkotohet festivali i Korçës, në të cilin do të jetë i ftuar këngëtari serb Goran Bregovic, që ka nxitur maskrat serbe ndaj shqiptarëve me këngët e tij. Në lidhje me këtë lajm ka reaguar edhe këngëtari Flori Mumajesi përmes një deklarate të fortë.

Ai i kërkon Bregovic të kthehet andej nga ka ardhur, sepse nuk mund ta marrë dinjitetin e shqiptarëve për herë të dytë. Mumajesi shprehet se në Shqipëri kemi shumë artistë të talentuar, të cilët janë lënë në harresë nga një grusht njerëzish.

“Go Back Viç se nuk mundesh të na e marrësh për herë të dytë dinjitetin! Go Back Viç se kemi Mihallaq Andrean në Korçë që këndon serenata korçare dhe që ta kënaq shpirtin. Go Back Viç se kemi Korin Lira dhe plotë artistë të tjerë që një grusht njerëzish i lënë në harresë!”, shkruan Flori në një postim në Instagram.

Nga ana tjetër Bashkia e Korçës, nuk është lëkundur aspak në vendimin e saj dhe ka vendosur të vazhdojë sipas planit me koncertin. Nënkryetarja e bashkisë, Benila Terova, është shprehur në një prononcim për Gazetën Express se kjo çështje është mbyllur dhe se Bregovic do të vijë në Shqipëri.

“Ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregovic nga Festa e Birrës sepse refuzojmë të pozicionohemi politikisht në këtë debat. Nuk ka asnjë qasje politike pjesëmarrja e një këngëtari lindur në Sarajevë dhe që në njohurinë tonë para se ta kontaktonim për ta pasë pjesë dhe e kemi të saktë nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve as kundër kosovarëve”, ka thënë ajo.