MENU
klinika

Nga Lorenc Vangjeli

I nxorrën fytit qumështin e dhisë së Karaburunit dhe qumështi kishte shijen e zjarrit

04.08.2021 - 15:09

Eqrem bej Vlora ka një përshkrim të jashtëzakonshëm të qelizës njerëzore shqiptare në librin e tij “Kujtime 1885 – 1925”. Evropianoperëndimori fisnik i Shqipërisë së dikurshme orientale, në dëshminë e tij tregon sjelljen tipike të bariut, një nga simbolet domethënës të shoqërisë. Fillimisht, rrëfen Vlora, ai hapte me sëpatën e tij të vogël një zgavër në trungun e lisit dhe ndizte zjarr brenda saj. Kaq mjaftonte që mbas pak orësh, lisi shekullor të rrëzohej përdhe dhe gjethet e tij të shërbenin si ushqim i lumtur dite për bagëtinë. Vlora jep dëshminë e tij rrënqethëse se i njëjti pyll, pak para dhe pak pas pavarësisë nga otomanët, ishte rrudhur, tkurrur, mpakur e plakur siç ndodh me vetë shpresën njerëzore me plakjen e viteve. Zjarri kishte lënë shumë më pak pyll në këmbë dhe nuk kishte mbetur këmbë nga kafshët e egra të tij, që ishin arratisur me llahtar nga egërsia e vetëqeverisjës së shqiptarit të zakonshëm.

Bariut të djeshëm nuk i duhej analizë ekonomike, e llojit raport mes kostos dhe efikasitetit, nuk i duhej të dinte sa shpenzohej për atë që fitonte. Askush nuk i thoshte atij që qumështi që merrte për të ushqyer fëmijët, mishi që i shërbente për të shoqëruar burrërinë që i diktonte rakia apo leshi që i rinonte gunën nën pushkën që i zgjaste dhe forconte burrërinë, kishin shumë më pak vlerë se pylli që digjte. Se kishte më pak vlerë i ushqyeri se ushqimi vetë. Nuk ja thoshte një gjë të tillë askush sepse gjithkush e konsideronte si të drejtë natyrore të tij, që për hir të ushqimit, patrioti me pushkë e gunë, me fyell dhe vetmi, me dele dhe dhi, mund të vriste, priste e digjte edhe zemrën e vatanit për të cilin ishte i gatshëm të binte therror e të therrte si kurban birin si Agamemnoni vajzën në port.

Një qind vjet më parë kjo ishte normale për një popull që rregullin e shihte si zanat të të dobtëve, që taksën e konsideronte si vjedhje nga i ligu dhe që vetë shtetin që i kishte imponuar pushtuesi, e konsideronte si armik që ose duhej grabitej, ose duhej luftuar.

E njëjta histori vazhdon edhe sot, kur shqiptari i zakonshëm e sheh pagimin e taksave si lek të humbur, shtetin si një “baba” që nevojitet vetëm për hall dhe atë çfarë është pronë publike e konsideron si sheshin perfekt për të bërë përsheshin vetjak, kur të dojë dhe si të dojë.

Shumica dërmuese, po vërtet shumica dërmuese e zjarreve të rënë në jugun e Shqipërisë, janë të zjarrvënie të qëllimshme. Janë zjarre që i ndezin barinjtë, që shpresojnë që në vend të pyllit, bredhit, pishës apo edhe ullinjve dhe të bimësisë së ulët mesdhetare, në përpjekjen e saj për rigjenerim, natyra do të krijojë kullotë bagëtish. Ndaj djegin pyllin për barin e bagëtisë. Kështu ndodh gjithmonë dhe ai qumësht, mish e lesh që niset më pas nga Karaburuni e Dukati deri në Tiranë, ka shijën dhe aromën e zjarrit kriminal të verës të banditëve të paditur. Që lenë pas hi dhe dëshpërimin e pafund se sa më shumë ndryshon, aq më shumë shoqëria shqiptare mbetet në thelb e njëjta gjë: edhe njëherë si përherë ajo dëshmohet dritëshkurtër, egoiste dhe individualiste, pa vizion vetjak dhe pa njerëz që t’i tregojnë vizion kolektiv, reflektive ndaj ndodhisë dhe aspak intuitive për atë që mund të ndodhë, e gatshme të djegë jorganin për një plesht dhe e gatshme të shkëmbejë çdo luan me pleshta, me kusht që pleshti të jetë në pushtet.

Çfarë mund t’i thuhet ndryshe bariut të djeshëm të Eqrem bej Vlorës nga fermeri i sotëm i Edi Ramës, kur mes tyre, bir i njërit dhe baba i tjetrit, qëndron njeriu i ri që donte të lindte Enver Hoxha. Banditi në pushtet, po aq i lig sa i marrë, e ngjiti si merimangë njeriun e ri në male që t’i bënte ato pjellore si fushat. Preu e shkuli pyje për të mbjellë patate dhe mbas pak vjetësh, ja dorëzoi edhe malin errozionit, edhe urisë njeriun e ri. Secili nga ta është i pafajshëm, sa kohë që kush hipën lart në Shqipëri, i duket vetja si Moisiu në mal dhe shpresë për ata që e shohin nga poshtë. Pa ditur se mali merr hak me mallkim dhe mallkimi i malit nuk shmanget e shuhet se shkruhet në çdo fletë peme të djegur.

Brez mbas brezi njëlloj, sa më shumë ndryshon, aq më shumë mbetet e njëjta gjë. Me kultin e ankesës në gjuhë, me lodhjen nga puna pa ja bërë ende “rixha” punës, me ëndrra si në Anadollin e largët dikur dhe me kërkesa si votues nga Amerika e sotme, zjarrvënësi i qëllimshëm i pyllit, ndërsa shihte zjarret në lajmet televizive, bëri tifo edhe për garën e Luiza Gegës në Tokio 2020. Brohoriti si patriot për pjesmarrjen e saj në finale dhe mallkoi si legen kur Gega nuk doli e para, pa kujtuar se edhe ajo si ai, është rritur me qumësht pluhur, është rritur në pluhur dhe ja kanë lënë talentin të stërvitet në pluhur. Pa kuptuar se lajmet që prodhon Shqipëria edhe për atë ishull kuqezi shqiptar që e ndiqte nga shkallët e stadiumit japonez, janë të tilla që ju rikthejnë në fyt qumështin e dhisë, të pirë në fëmijëri. Qumështin e ardhur nga zjarri. I njëjti qumësht si ai që vjen sot nga Vlora dhe që nuk ndryshon shumë në thelb e shije me atë që pinte dikur Eqremi, evropiani i madh shqiptar që kishte ardhur nga orienti, për t’u ndjerë si dhia mes dhënve në atdheun e tij. Apo edhe si Rosaku i Shëmtuar, siç e shihnin bashkëkombasit e tij me skaje mustaqesh nga veshi në vesh, me pushkë në krah dhe burrëri të garantuar tre herë rrotull brezit.