Zjarri në disa prej fshatrave të Gjirokastrës është shuar. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bën me dije se falë punës së palodhur të Forcave të Armatosura, atyre zjarrfikëse dhe bashkisë, vatrat janë eliminuar.
“Dielli lind përsëri në Gjirokastër. Pas një nate mes zjarresh, falë punës së palodhur dhe me sakrifica te Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar. Vazhdojmë vigjilencën dhe kërkojmë bashkëpunim komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm. #Gjirokastra”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Është shuar vatra e zjarrit në fshatin Qestorat. Helikopteri ka bërë 5 inkursione nga ajri për të shuar përfundimisht vatrën e riaktivizuar mëngjesin e sotëm. Ndërkaq forca të shumta të PMNZH dhe FA kanë arritur të shuajnë edhe vatrën tjetër të zjarrit në Tranoshishtë, në një terren shumë të pafavorshëm.
Kujtojmë që dje pati një agravim të vatrave të zjarrit në Gjirokastër, ku ndërroi jetë 64-vjeçari Andrea Haxhiaj dhe u plagos bashkëshortja e tij.