Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe avokati i tij në Francë duket se nuk i kanë marrë ende pushimet e verës.
Dje Sali Berisha, përmes një konference për shtyp, njoftoi se avokati i tij kishte depozituar padinë për shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken, për akuzat e ngritura në vendimin që shpallte Berishën dhe familjen e tij “non grata” në SHBA.
Berisha sqaroi dje se padia është për shpifje dhe jo që anulohet vendimi i Sekretarit Antony Blinken. Ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen e tij.
Deklaratën e ambasadores Yuri Kim në selinë e PD-së pas takimit me Lulzim Bashën ku i kërkoi të përjashtonte Berishën nga Grupi Parlamentar e cilësoi si më skandalozen e 30 viteve të fundit.
Për këtë, Berisha tha se Partia Demokratike duhet t’i kërkojë zyrtarisht ambasadores Yuri Kim që të kërkojë ndjesë për përdorimin e “dogmës” së barit.
Ndërkohë, Berisha nuk tërhiqet nga vendimi i tij për të hyrë në Parlament në shtator, siç e kanë votuar shqiptarët, pra në Grupin Parlamentar të PD-së. Çdo vendimi kundër kësaj, Berisha tha se do t’i kundërvihet në një aleancë me shqiptarët.
E ndërsa nga kryedemokrati Basha nuk ka pasur një qëndrim publik në lidhje me çështjen “Berisha”, ky i fundit gjatë konferencës zbuloi bisedat e takimit Kim-Basha me dyer të mbyllura në selinë blu.
Sipas Berishës, gjatë takimit kur kryediplomatja amerikane kishte kërkuar që Basha ta përjashtonte nga Grupi Parlamentar, kryetari i PD-së, Lulizm Basha, i kishte kërkuar ambasadores Kim që t’i jepte prova dhe fakte që vërtetojnë akuzat në vendimin për shpalljen “non grata”.
Padia për shpifje ndaj Blinken
“Avokati im, Jean Yves le Borge, ka dorëzuar padinë time për shpifje në Gjykatën Korreksionale të Parisit. Si ç’ju kam njoftuar më parë se, pas vendimit të Sekretarit të Shtetit Antiony Blinken për të shpallur ‘non grata’ mua, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi, bazuar në keqinformimin nga lobimi korruptiv hakmarrës i Edi Ramës dhe mikut e mbrojtësit të tij, multimiliarderit Georg Soros, unë autorizova avokatin tim në Francë, zotin Jean Yves le Borgne, të ngrejë padi për shpifje në Gjykatën Korreksionale të Parisit. Javën që kaloi, avokati Jean Yve le Borgne ka dorëzuar këtë padi pranë kësaj gjykate. Sipas avokatit tim, kjo padi në gjykatë për shpifje bazohet në precedentë të mëparshme të ngjashëm dhe në parimin universal se për shpifjen nuk ka imunitet, sepse ajo nuk hyn në funksione zyrtare dhe për rrjedhojë, imuniteti në rastin e shpifjes nuk mund të përdoret si mburojë. Padia ime bazohet edhe në parimin tjetër universal, sipas të cilit, shpifja në internet dënohet kudo ku del lajmi, pra ku ndodh dëmi. Vetëkuptohet, gjithçka varet nga interpretimi i gjykatësit që do të gjykojë çështjen”.
Z. Berisha, nisur nga deklaratat e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, çfarë vendimi prisni që të marrë Basha në lidhje me ju?
Së pari, do të më lejoni të shpreh mendimin tim se ambasadorja Kim është unike në botë. Si ambasadore që pasi ka lavdëruar të nesërmen një masakër zgjedhore, kërkon t’i diktojë këtij vendi se kush duhet apo kush nuk duhet të futet në Parlament. Do të më lejoni ta zhvilloj këtë koncept. Ajo e lidhi qëndrimin e saj me “dogmën” e barit. Jo rastësisht. Ajo është e shkolluar mirë dhe ka lexuar. Edhe Enver Hoxhën, edhe Abraham Linkolnin etj. Por një gjë ju them se ju jeni të rinj. Diktati dhe bari janë një binom i pandarë. Shqiptarët e dinë mirë se në diktaturë, kur njerëzit për dramën e tyre i kishin deleguar arsyen diktatorit, ai iu ofronte si rrugë shpëtimi barin. Dhe dua të them këtu se shqiptarët kanë ngrënë bar dhe kanë vdekur nga bari, kanë ngrënë mishin e ngordhur dhe kanë vdekur. Kjo është përshkruar në libra. Diktatura dhe bari janë të lidhura. Gjithçka unë po bëj është pikërisht që shqiptarët të mos hanë bar dhe rruga e vetme që shqiptarëve të mos u ofrohet bari është transparenca. Unë nuk po ofroj bar, por transparencë. Ndaj dhe në këtë kontekst dua të them prapë se qëllimi im nuk ka të bëjë dhe nuk mbrohem unë nga imuniteti, nuk mbrohet Sali Berisha nga sovraniteti. Por unë nuk mund të pranoj që nën diktat t’i shkel ato. Kështu që nuk ka forcë në botë përveç të gjithëfuqishmit që mund të më pengojë mua pa ushtruar misionin tim të besuar nga zgjedhësit shqiptarë. Kjo është përfundimtare. Me sa di unë, kryetari i PD-së në takimin me Kim ka kërkuar të njëjtën gjë: transparencë. Dhe ftoj çdo shqiptar të bëjë të njëjtën gjë. Por ata që u ofrojnë shqiptarëve barin, kanë frikë nga e vërteta, i tremben. Unë kam deklaruar se një fakt po të thuhet, unë marr vendimet e mia. Por nuk ka forcë në botë që të më imponojë mua, përveç transparencës, një qëllim tjetër veç kësaj që kam shpallur. Sa i përket asaj që pyesni ju, për rekorde kriminale, cilido që akuzon pa fakte bazë, ka probleme madhore me karakterin e tij. Kam qenë në një vend mik. Më priti Kryetari i Parlamentit. Kryetari i Parlamentit ishte blacklist-uar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Jo vetëm ai, por edhe nja 9 apo 11 të tjerë. Që të gjithë në përballje me SOROS. Natyrisht, ata vazhduan punën me sukses dhe fituan edhe zgjedhjet dhe administrata tjetër ia hoqi. Ai drejtonte Parlamentin sigurisht i keqardhur, sepse nuk ka njeri që nuk ka keqardhje ku sheh që vjen një vendim nga një vend që admiron, pa asnjë bazë dhe pa asnjë dokument. Lulzim Basha ka kërkuar fakte, prova e dokumente.
Në selinë blu ka zëra se disa deputetë do të kërkojnë në shtator përjashtimin tuaj nga Grupi Parlamentar? Keni ju një informacion të tillë?
Nuk kam asnjë informacion konkret. Në këtë betejë unë kam vetëm të vërtetën. Unë po përpiqem ta bëj pa kërkuar, nuk kërkoj ndryshimin e vendimit. Ai është i zoti i shtëpisë dhe ai ka të drejtë të caktojë se kush do të hyjë apo jo në vendin e tij. Por nga ana tjetër, mendoj se çdo njeri që nuk ka deleguar arsye tjetërkund, ka detyrë njerëzore që të kërkojë prova. Mendoj se ata të cilët nuk bëjnë këtë, kanë probleme me veten e tyre. Keni parë një hordhi hajdutësh e trafikantësh duke shkuar nëpër studio duke thënë “eureka, eureka eureka”, duke thënë se shpëtuam nga denoncimet e Berishës. Ka të tjerë të cilët për probleme të ndryshme preferojnë të delegojnë karakterin e ndërgjegjjen e tyre, por është zgjedhje fatkeqe e tyre. Kërkoni transparencë që nesër të mos hani më bar e të mos ju servirin më bar. Kjo do t’ju mbrojë. Nuk ju mbron Berisha.
Keni menduar të jeni jashtë Grupit të PD-së e të hyni si deputet i thjeshtë?
Në Parlament do të futem ashtu si më kanë votuar shqiptarët. Çdo vendimi, duhet të jemi të hapur këtu, i cili në vend të transparencës zgjedh diktatin, unë do t’i kundërvihem në një aleancë me çdo demokrat dhe çdo shqiptar në betejën përfundimtare kundër këtij regjimi. Këtë do ta bëj edhe në kuadër të PD-së. Por ajo që unë mund të them është se unë kërkoj nga PD-ja që të mos angazhohet në këtë betejë. PD dhe çdo kush tjetër, të kërkojë fakte dhe prova. Dhe në mungesë të këtyre të mos pranojë diktatin, sepse diktati të çon te bari. Te fyerjet që të çojnë te bari. Nuk po mbroj veten time, por dinjitetin e çdo shqiptari.
A druheni se KQZ do t’ju heqë mandatin?
Nuk i druhem aspak faktit. KQZ është e detyruar të zbatojë Kushtetutën. Këtu Kushtetuta shkelet çdo ditë, siç është shkelur në rastin që ka zemëruar ambasadoren. Kur unë kritikova marrëveshjen e Delina Ficos dhe Llagamin. Një marrëveshje që shkel çdo ligj të këtij vendi. Një marrëveshje që bën outsorce, jep me koncesion dosjet gjyqësore që përbëjnë sekret. Ka krijuar Delina një grup militantësh. Ata do të marrin në dorë 30 e 40 mijë dosje të Gjykatës së Lartë. Njerëz pa asnjë lloj prove që mund të shesin e të blejnë ato dosje.
Ambasadorja Kim i ka dhënë ultimatum z. Basha se duhet t’i japë drejtim çështjes suaj deri në shtator. A i druheni një tradhtie?
Kryetari i PD-së i është përgjigjur kërkesës së Kim me kërkesën e tij: paraqisni prova. Kjo është përgjigjja që ka marrë Kim nga Basha. Për këtë unë e falënderoj dhe e përgëzoj. Unë kam kërkesë për rrëzimin e shpifjeve.
A mendoni ju se ambasadorja po ndërhyn në punët e brendshme të vendit?
Ambasadorja sillet si një guvernatore. Qoftë nga marrëveshjet që nxit dhe ndërmjetëson, që shkelin Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke i dhënë ish-bashkëshortes së Kryeministrit Delina Fico menaxhimin e 30 apo 40 mijë dosjeve të pagjykuara.
Ambasadorja Kim publikoi një editorial në gazetën “Panorama” ku i kërkoi Bashës që të shikonte listën e deputetëve, çfarë do t’i sugjeronit Bashës?
Do t’i sugjeroj të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Dhe ligji i dekriminalizimit është meritë kryesore e Bashës dhe opozitës. Unë edhe një herë kam qenë mbështetës i fuqishëm i ligjit të vetingut të politikanëve. Është Rama që ka kundërshtuar ligjin për vetingun e politikanëve.
A mendoni se i jepni kosto PD-së përballë PS-së që i përdor këto raste?
Mendoj se beteja për të vërtetën farkëton njeriun, individin, trupin dhe forcën politike. Do të ishte fatale për një individ që i lejon vetes të thotë se s’më intereson e vërteta. PD është themeluar në dy parime kryesore: interesi kombëtar dhe liritë njerëzore. Partia që ishte para PD-së kishte shitur interesin kombëtar.
A rrezikon PD-ja të ndëshkohet nga SHBA-ja për shkak se ju do të jeni pjesë e saj?
Unë besoj se atë fjalën mbështetje e merr me rezervë. PD jo nga Berisha, u akuzua zyrtarisht se ka marrë fonde ruse. Po ju kujtoj se paraardhësi i kësaj zonje (Kim) më erdhi me një dosje në zyrë, me të cilën donte të më provonte se Basha kishte pranuar financime ruse. Çfarë kishte dosja? Kishte shkrime dhe akte burokratike të gazetës “Mother Jons” të sponsorizuar nga Sorosi dhe unë i thashë aty që kjo është gazeta “Mother George”. Jo vetëm që ishin dokumente që s’provonin asgjë përveç trillimeve, por ambasadori u thoshte deputetëve të PD-së që shkoni te Berisha se i kemi dhënë dokumente, se kryetari ka marrë para nga rusët. Ju e keni të qartë rastin Kavalec, u shpërndanë dokumente në media se ai anuloi emërimin e saj. Anulimi ndodhi, por jo me kërkesë të Bashës. Merr pak Reformën në Drejtësi, nëse ju intereson e vërteta. Opozita luajti rol themelor në parandalimin e kapjes së Kushtetutës. Si kurrë ndonjëherë, një lider i opozitës u telefonua nga Merkel dhe Parlamenti Europian për rolin që luajti, sepse e panë që po bëhej një përpjekje për kapjen e sistemit. Mos harroni Donald Lunë që thoshte: “Lulzim Basha zhblloko reformën”. Ndërkohë që Basha dhe Bylykbashi po zbatonin rekomandimin e Venecias. Të flasë për mbështetje ndaj PD-së, ajo nuk ka ekzistuar, përkundrazi, është bërë e kundërta. U përligjën zgjedhjet më të padenja në historinë e një vendi të lirë. Me praktikën e patronazhistëve. Një sistem i përdorur pas skllavopronarisë.
Jeni dakord për bashkëqeverisje?
Kategorikisht kundër. Do të ishte drama më e madhe për shqiptarët që opozita, që është shpresë për përmbysjen e narkoshtetit, të kthehej në levë të narkoshtetit. Bashkëpunimi që iu referua Kim mund të jetë për bashkëqeverisje, por edhe mund të mos jetë për bashkëqeverisje.
Nëse do të ishit sot kryetar i PD-së, cili do të ishte qëndrimi juaj karshi Ambasadës së SHBA-së?
PD është dhe do të mbetet e hapur si një parti pro-perëndimore dhe pro-amerikane. Qëndrimi? Mendoj se deklarata që bëri ambasadorja në oborrin e PD-së është deklarata më skandaloze e 30 viteve të fundit e një përfaqësuesi të huaj në Shqipëri. Me barin, të kuptohemi. Kërcënimi që iu bëri demokratëve dhe shqiptarëve indirekt, dhe unë po atë ditë i kërkova të kërkojë ndjesë. Mirëpo ajo nuk ka ndodhur. Megjithatë nuk është vonë. Mendoj se PD duhet t’i kërkojë zonjës të kërkojë ndjesë publikisht dhe pa diskutim ajo mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha përfaqësitë e vendeve mike në Shqipëri.
Ambasada e SHBA: Do përdorim çdo instrument kundër korrupsionit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka ritheksuar prioritetin e Uashingtonit për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Ambasada reagoi pas deklaratave të bëra dje nga ishKryeministri Sali Berisha, i cili në një konferencë për mediat, tha se “vetëm Zoti mund ta ndalojë që të futet në Kuvend”.
Zyra e shtypit të selisë diplomatike të SHBA-së, në një reagim për gazetën “Panorama”, tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i pandryshuar dhe se do të përdoren të gjitha instrumentet në dispozicion për t’u përballur me korrupsionin. Duke iu referuar deklaratave të mëhershme të ambasadores Yuri Kim pas takimit me Bashën, Berisha tha se ajo “nuk ka asnjë provë, përveç kërcënimeve me dogmën e barit, siç e ka përdorur Enver Hoxha”.
Ndërsa Zyra e Shtypit e Ambasadës amerikane, në një reagim pak orë pas deklaratave të Berishës, thotë:
“Midis urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga Sekretari i Shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për t’u përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”, reagoi Zyra e Shtypit të Ambasadës së SHBA-së.
Javën e kaluar, një muaj pasi kishte takuar kryedemokratin Basha me ndihmëssekretarin e Shtetit Reeker, ambasadorja Kim zhvilloi një tjetër vizitë në selinë e PD-së për të çuar përpara bisedën që kishin bërë edhe me praninë e z. Reeker e që bëhej fjalë për përjashtimin e ish-kryedemokratit Berisha nga Grupi Parlamentar i PDsë, pasi Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një deklaratë për mediat, kryediplomatja theksoi se do të ishte një tragjedi për një parti që rrëzoi komunizmin të “hante bar për interesat personale të një individi”.
APELI
Sakaq, në një editorial ekskluziv për gazetën “Panorama”, ambasadorja Yuri Kim kërkonte nga kryetarët e partive që në legjislaturën e ardhshme të bashkëpunonin me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, u bëri thirrje Ramës dhe Bashës që të kontrollojnë listat dhe të bëjnë kompromis mes tyre. “Presim me kënaqësi ta shohim Parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë, në mënyrë që shqiptarët, nga i gjithë spektri politik, të jenë të përfaqësuar. Nxisim udhëheqësit nga të gjithë krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar.
Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion, si dhe udhëheqësi të vërtetë, për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë.
Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë, për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiakë dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëritjetrin për një kauzë më të lartë: për të ardhmen e Shqipërisë”, shkroi ambasadorja Kim.