MENU
klinika

Mandati i KPK drejt fundit

Këshilli i Lartë Gjyqësor përgatitet të marrë në dorë vetingun e gjyqtarëve

27.08.2021 - 13:55

Këshilli i Lartë Gjyqësor po përgatitet të marrë përsipër procesin e vetingut, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po hyn në vitin e fundit të mandatit 5-vjeçar.

KLGJ-ja miratoi dje me votat e nëntë anëtarëve projektvendimin “Projektbuxheti Afatmesëm 2022-2024 për Sistemin Gjyqësor”.

Në projektbuxhetin afatmesëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor parashikohet edhe punësimi i 27 ekspertëve për kryerjen e vetingut pas qershorit të vitit 2022, kohë kur skadon mandati 5-vjeçar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Drejtoresha e Buxhetit dhe Administrimit në KLGJ, Luljeta Laze, shpjegoi në mbledhjen plenare të së enjtes se efekti buxhetor për 27 punonjësit e rinj është përgatitur për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022.

“Nëse KLGJ-ja e merr këtë detyrë”, tha Laze, duke iu referuar parashikimeve kushtetuese për mandatit 5-vjeçar të KPKsë dhe transferimin e këtij procesi në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pas këtij afati.

PËRCAKTIMI NË KUSHTETUTË

Neni 179/b i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton se mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit tyre, ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit është 9 vjet.

Pas shpërbërjes së Komisionit, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit parashikohet të shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.

Nga fillimi i punës në vitin 2017 dhe deri në korrik të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përfunduar procesin e vetingut për 421 magjistratë nga 801 subjekte në total. Nga këta janë konfirmuar vetëm 174 magjistratë ose 40% e totalit, ndërsa pjesa tjetër u shkarkuan nga detyra ose u larguan me dorëheqje.

Me një numër ende të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh për t’u vetuar, mungon ende një vendimmarrje, nëse do të ketë një shtyrje të mandatit të KPK-së apo nëse kjo kompetencë do t’i kalojë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Një zgjatje e mundshme e mandatit të KPK-së do të kërkojë megjithatë ndryshime kushtetuese. Po kjo gjithsesi do të dilte përtej rekomandimeve të Komisionit të Venecias, pasi kujtojmë që 5 vite më parë Komisioni i Venecias rekomandoi që mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik të mos jetë sa mandati i Komisionit të Apelimit (9 vite).

Sipas shpjegimeve të Lazes, buxheti i parashikuar për të gjithë sistemin gjyqësor, përfshi KLGJ-në, gjykatat dhe Qendrën për Teknologjinë e Informacionit, QTI, për vitin 2022 është 4.9 miliardë lekë. Në këtë kërkesë buxhetore përfshihen shpenzimet për personelin, shpenzime operative dhe kapitale.

Laze shpjegoi para Këshillit se kërkesat buxhetore për vitin 2022 janë 29% më shumë nga tavani i miratuar, ku pjesa më e madhe prej 92.7% u shkon gjykatave. Veç faturës për personelin që pritet të shtohet nga punësimi i ndihmësve ligjorë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, janë parashikuar fonde për rikonstruksionin apo ndërtimin e gjykatave dhe për projekte për dixhitalizimin e dosjeve dhe dokumenteve gjyqësore.

SHISH: Gjyqtarët po bëjnë korrupsion gjatë vetingut

Gjyqtarët dhe prokurorët po shfrytëzojnë periudhën që janë në proces rivlerësimi, për të intensifikuar korrupsionin për interesa materiale në favorin e tyre. Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka publikuar së fundmi raportin e monitorimit për vitin 2020, që përkon edhe me periudhën e pandemisë.

Nga të dhënat e siguruara nga SHISH-i, duket se ndonëse për shumë sektorë pandemia ka ndikuar negativisht, për administratën, gjyqtarët dhe prokurorët që janë në proces rivlerësimi, pandemia ka shërbyer për “lulëzimin” e korrupsionit. “Korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët”.

Ajo që vihet re në raportin e SHISH-it, është fakti se prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët janë në proces vetingu dhe nuk kanë shpresë që të marrin “notë” kaluese, janë duke shfrytëzuar këtë periudhë për të “mbushur” xhepat. “Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të vetingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi”. SHISH-i njofton gjithashtu se, po përdor metoda të reja teknologjike në veprimtarinë e tij, ndërsa sulmet kibernetike ndaj këtij institucioni nuk kanë munguar:

“SHISH-i ka aplikuar metoda dhe teknologji të reja në mbrojtjen e perimetrave dhe parandalimin e çdo situate katastrofike nga sulmet kibernetike, referuar edhe kërcënimeve të shfaqura rishtazi edhe si pasojë e situatës pandemike.

RAPORTI I SHISH PËR KORRUPSIONIN

Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët. Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie, ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ.

Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të vetingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi. Pastrimi i produktit të veprës penale, kontrabanda e mallrave të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore, evidentohen si format më të përhapura të krimeve në ekonomi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ora kur do të mbahet takimi dhe temat e diskutimit

Mandati i tretë/ Rama mbledh sot grupin e vjetër dhe të ri parlamentar