Ndryshe nga sa pretendon kryeministri Rama që e barazon Tregun e Përbashkët Rajonal, një nismë në kuadër të Procesit të Berlinit, me Ballkanin e hapur qeveria e Malit të zi është shprehur bapur se është për të parën dhe jo për të dytën.
Kryenegociatorja e Malit të Zi, Zorka Kordić, tha për për Vijesti se Tregu i Përbashkët Rajonal, që organizohet nën ombrellën e BE, është më i përshtatshëm për vendin sesa nisma Ballkanit të Hapur e nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Mali i Zi është vendi më i përparuar në rajon për procesin e integrimit në BE prandaj Qeveria mbështet zbatimin e iniciativave rajonale ekskluzivisht si një instrument për një pranim më të shpejtë në BE, tha Kordić.
“Prandaj, ne përqëndrohemi kryesisht në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor,” theksoi ajo.
Kordić deklaroi se Tregu i Përbashkët Rajonal ishte më gjithëpërfshirës sesa Ballkani i Hapur, sepse përveç katër lirive të lëvizjes, ai trajton edhe infrastrukturën dixhitale, inovacionin dhe një politikë të vetme investimi sipas standardeve të BE -së.
Pak ditë më parë kur BE inkurajoi përparimin gjithëpërfshirës në projektin për Tregun e Përbashkët Rajonal, kryeministri Rama e paraqiti këtë si një përkrahje për nismën e tij dhe të Vuçiçit. Por në Ballkanin e hapur ende nuk kanë aderuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja.