“Big Brother VIP” do të nisë transmetimin në muajin tetor dhe kurioziteti i shikuesve për çdo detaj vazhdon. Arbana Osmani, konfirmoi para disa ditësh në llogarinë e saj në Instagram se këtë edicion do të jetë ajo që do ta drejtojë programin dhe i dha përgjigje pyetjeve që mund të kishin ndjekësit e saj. Krahas sipërfaqes së shtëpisë, ditëve të transmetimit e çmimit të madh, Arbana përmendi edhe përfshirjen e Lori Hoxhës.
“Është një punë në skuadër që të jep veç frymëzim dhe motivim për të punuar. Është një frymë që kujton pak kohën e Tanit, ndoshta nga përfshirja e Lorit, ndoshta sepse na ka marrë malli për spektakle live, ndoshta sepse pritshmëritë janë të mëdha dhe përgjegjësitë akoma më të mëdha”, shkroi moderatorja.
Lori Hoxha, sot e ka konfirmuar këtë duke publikuar një foto nga zyrat e Top Channel. Ajo nuk ka shkruar asgjë krah fotos, por nga dera e zyrës me logon e Big Brother duket se puna ka nisur.
Nuk është çudi që Lori, e cila ka shërbyer edhe si producente e Top Awards kohë më parë, të kujdeset për një program si “Big Brother”.