Fshati Lumas në bashkinë Kuçovë, është një nga fshatrat me bimësi, pemë e gjelbërim për t’u admiruar. Që në kohën e komunizmit kjo zonë frekuentohej mjaft nga qytetarët beratas, të cilët kryenin plazh në kanionin e Sinecit dhe admironin zonën e tij kodrinore me pisha e gjelbërim, ku ishin pozicionuar edhe kampe pushimi për nxënësit e shkollave. Me një sipërfaqe prej 68.55 km katror dhe me një popullsi prej 7030 banorësh, fshati Lumas përbëhet nga 12 fshatrat: Lumas, Luzaj, Pëllumbas, Katundas, Zelevizhdë, Belesovë, Mëndrakë, Sheqës, Bardhaj, Pashtraj, Vodëz, Krekëz dhe Koritëz.
E gjithë zona merret përgjithësisht me bujqësi dhe blegtori, ndërkohë që shumë prej banorëve të fshatit kanë shkuar në emigrim jashtë vendit, gjë që duket qartë sapo shkel në këtë zonë nga ndërtimet e banesave që janë kryer aty pas viteve ’90. I zhvilluar në sajë të të ardhurave që kanë sjellë emigrantët të cilët kanë investuar në banesat dhe ambientet e tyre private, ky fshat favorizohet nga zonat fushore të cilat janë të gjitha nën ujë dhe japin një prodhimtari të bollshme për çdo familje që merret me bujqësi. I vetmi burim jetese për banorët e Lumasit janë prodhimet e fushave dhe blegtoria, të cilat vaditen të gjitha nga burimi natyror i Sinecit, që ndodhet në zonën kodrinore, rreth 10 km larg qendrës së Lumasit. Duke qenë se të gjitha familjet e ish/komunës Lumas jetojnë vetëm me të ardhurat që sigurojnë nga prodhimet e fushës dhe prodhimet blegtorale, ata prej 4-muajsh janë duke kundërshtuar me forcë projektin për ndërtimin e një ujësjellësi me ujin e burimit natyror të Sinecit, i vetmi ujë që ata kanë për të pirë dhe që e përdorin edhe për të vaditur tokat e tyre bujqësore e për t’i dhënë për të pirë kafshëve.
Banorët e Lumasit shprehen se marrja e ujit të burimit të Sinecit do të thotë për ta shkatërrim dhe thatësirë e të gjitha tokave bujqësore dhe çdo sipërfaqeje të gjelbëruar në zonë. “Ky ujë për ne është gjithçka, është jeta jonë. Pa të ne mbarojmë dhe do të thahemi për pikën e ujit. Ne jetojmë falë bujqësisë e blegtorisë dhe pa këtë burim ne jemi të vdekur. Më mirë të na largojnë të gjithëve nga fshati sesa të na e marrin këtë burim që e krijuar zoti”- ,shprehen banorët që deklarojnë se të gjitha fshatrat e Lumasit furnizohen me ujë nga ujësjellësit e ndërtuar nga Banka Botërore 15 vite më parë. “Ne nuk na mungon uji i pijshëm, çdo fshat ka ujësjellës dhe çdo familje ka ndërtuar në oborre puse për vaditje e nevoja të tjera. Nuk e kuptojmë se çfarë ujësjellësi duan të ndërtojnë kur ne kemi ujë dhe nuk jemi ankuar asnjëherë për ujë”-shprehen gratë e fshatit, të cilat na tregojnë edhe çezmat në banesat dhe oborret e tyre, që furnizohen të gjitha drejtpërdrejtë nga burimi i Sinecit.
Banorët e Lumasit e kanë kundërshtuar me forcë ndërtimin e ujësjellësit me ujin e burimit të Sinecit, duke penguar çdo ditë mjetet e firmës Salillari, firmës kontraktuese nga bashkia Kuçovë për kryerjen e punimeve. Ata nuk i kanë ndalur për asnjë ditë protestat për të ruajtur të paprekur burimin e Sinecit, edhe pse janë dhunuar, rrahur e tërhequr zvarrë nga policia, që është në mbështetje të plotë të firmës Salillari dhe bashkisë Kuçovë. Pas shumë protestave të banorëve të Lumasit, në 29 korrik ADZM Elbasan mori vendimin për pezullimin e punimeve në kanionin e Sinecit, për shkak se është zonë e mbrojtur e kategorisë të tretë, por edhe pse vendimi ju përcoll zyrtarisht bashkisë Kuçovë, DPV Berat, IKMT-së dhe firmës Salillari, kjo e fundit nuk i ka ndërprerë për asnjë ditë punimet dhe po i afrohet grykëderdhjes së vetme dhe kryesore të burimit të Sinecit. Duke mos gjetur asnjë zgjedhje nga shteti,5 prej banorëve të Lumasit janë futur prej 8 ditësh në grevë urie, duke kërkuar pezullimin e punimeve të ujësjellësit dhe takim me kryeministrin Edi Rama.