MENU
klinika

Ora kur do të mbahet takimi dhe temat e diskutimit

Mandati i tretë/ Rama mbledh sot grupin e vjetër dhe të ri parlamentar

27.08.2021 - 13:03

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 19:00 grupin e vjetër dhe të ri parlamentar. Sipas News24, mësohet se takimi do të zhvillohet për bilancin e qeverisjes së kaluar dhe objektivat për qeverinë e re.

Ky takim vjen dy dite pas fjales përmbyllëse të mandatit të dytë, ku Kryeministri Edi Rama ka falënderuar të gjithë ministrat për punën e tyre ndërsa bëri me dije se qeveria e re do te shpallet javën e ardhshme.

Sipas kreut të qeverisë, jo të gjithë do të jenë pjesë e kabinetit të ardhshëm, ndërsa tha se “avantazhi më i madh ndaj rivalëve është se janë skuadër kampione”.

“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrisht do të vijoni punën deri në minutën e kalimit të detyrës pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Fatmirësisht, kemi skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi të mirë të grupit parlamentar dhe një kryesi efektive të partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të situatës. Ky është avantazhi ynë i madh në krahasim me rivalët dhe duhet të gjithë së bashku ta kultivojmë këtë avantazh”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ndërkohë Najada Çoma nuk do të jetë pjesë e grupit të ri parlamentar, pasi ka hequr dorë nga mandati i deputetes.

Largimin nga qeveria e ka paralajmëruar edhe zv/kryeministri aktual, Erjon Braçe, i cili përmes një statusi në Facebook shkruan se “ka një fund”. Përmbajtja e statusit të Braçes lë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një mbyllje të aktivitetit të tij politik kur bën dhe një bilanc të 24 viteve në politikë.

“Ka një fund! I nderuar që shërbeva për njerëzit në nevojë! Në ditët e tyre më të vështira në 24 vitet e fundit. Pas çdo pune të kryer, vepre të ndërtuar nuk jam unë, janë punëtorët! Mijëra që punuan, ndërtuan, ndryshuan Divjakën dhe fshatrat”, shkruan Braçe.