Ne fillim iku Zonja me floke te kuqe. Pastaj tha se do te ikte edhe zëvendësi i shefit në qeverinë Rama. Dhe sipas të thënës së vjetër, se nuk ka tre, pa pasur dy më parë, i treti që iku ishte Mark Marku. Për Najada Çomon, një nga adresat ku trokiste halli për t’u zgjidhur këtë shekull pambarim pandemie, por dhe për Erion Braçen e zhurmshëm, pati pak komente. Keqardhje për ikjen nga dashamirësit dhe pak ironi nga kundërshtarët, një gjë totalisht anormale për një ambient publik si Tirana, që normalisht hedh brisqe berberi në çdo supë dite dhe dihat sikur mbart çdo natë tra në secilin sy. Krejt ndryshe u trajtua dorëheqja nga mandati ende i pazyrtarizuar i Mark Markut. Varësisht llogores së mendimit, ku vetërreshtohen gjenitë anonimë të rrjeteve apo laborantët e gjykimit, Marku u shemb dhe u shqye, u lëvdua dhe u lartua shumë më shumë nga sa do të duhej t’i jepte hapësirë vlera e aktit dhe akti i zhveftësimit të mandatit të deputetit të pa bërë sefte. Emri i polemistit Mark Marku u bë kryefjalë e javës, me të njëjtën peshë si afganët e ardhur në Tiranë apo dhe si ankthi i socialistëve për kompozimin e tretë të qeverisë nga Rama. Pak a shumë e njëjta histori ndodhi edhe kur Marku foli në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të PD-së, ku nxituan ta krahasojnë sërish si dhe kësaj here, me fjalën e famshme të Dritëro Agollit në kongresin e fundit të komunistëve të vjetër që u numërua njëkohësisht edhe si kongres i parë i socialistëve të rinj, por pa gjykuar mbi asgjë nga thelbi i asaj që kumtonte kundër rrymës deputeti i Lezhës. Dhe këtu zë fill habia e ushqyer nga kujtesa e shkurtër e opinionit publik dhe atyre që formësojnë opinion publik. Në të dy rastet, Marku ka thënë, fjala vjen, një të shtatën e asaj që po thonë ditë mbas dite ca demokratë të tjerë ende brenda gardhit demokratik të PD-së. Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, prej muajsh tashmë godet si snajperist marrëzi të lidershipit të partisë së tij. Ka paralajmëruar me një saktësi të frikshme çfarë pritej të ndodhte në zgjedhje dhe parashkruajti se çfarë do të ndodhte mbas tyre. Ende me peshën e mëkatit për atë që bëri për Bashën fiks dhjetë vjet më parë si kryetar i KQZ-së, ende i numëruar si “armik” personal, pa shpresë per kompromis me Edi Ramën, ai është shembulli fantastik i mungesës së mirënjohjes në Tiranën politike dhe përtej.
Bardh Kadilli, kandidati i parë i vetëdeklaruar për kundërshtar i Bashës, është autor i një letërsie të çmueshme politike, së paku që nga e nesërmja traumatike e 25 prillit. Kadilli është nga të vetmit që afroi një program si vizion dhe shfaqi vizionin e tij si një program minimal për të ndalur rënien e PD-së edhe më thellë në gropë dhe për t’i bërë gropën kundërshtarit kur t’i vijë rradha.
Edith Harxhi, kandidatja e vetme që pati për “ndihmës” edhe një ish-president, është po aq racionale në artikulim, por shumë më e athët në akuza: “Pse ti Lul nuk shkon dot në Amerikë?”, është pyetja që tremb më shumë sepse nuk ka marrë aspak përgjigje. E megjithatë, rrebeshi i analizave për Markun që vendosi të ikë vetë, është shumë më i madh se për secilin nga këta tre kritikë të fortë të PD-së zyrtare, pa futur në llogari dhe të tjerë pesha të rënda të politikës si Topalli e Bregu, Imami, Patozi, Nishani e të tjerë. Gjykuar nga kuti i Tiranës, ku sa më e madhe akuza, aq më e madhe zhurma që pason, matja e vëmendjes çalon dukshëm. Për më tepër që gjatë katër vjetëve të mandatit të dytë opozitar të PD-së, Marku ishte një nga mbështetësit pa kushte të çdo marrëzie që shpikte babalopolitika dhe pabolepolitikanët e partisë së tij. Ai ishte ekstremisti i ekstremit që thërriste në apel armët kur flitej për betejat me “regjimin e Ramës”. Mbështetës pa dilema i largimit të PD-së nga sistemi, i bindur se djegia e mandateve, e ndoshta edhe djegia e Shqipërisë, ja vlenin si mjete për të realizuar qëllimin, Marku trembte edhe radikalët me radikalizimin e tij pa kushte, Ai ishte premtimi i frikshëm ta bërë trupin barrikadë nën këmbët e votuesve që do të hidhnin votën për pushtetin lokal duke qenë një nga inicuesit e shqiptarizimit të lëvizjes “Me too”, a thua se bashkë me shokë ishin përdhunuar nga kryeministri. Edhe pse shumë debate përvëlues nga toni, por bosh nga përmbajtja në sallonin e Fevziut, përplasje të Ramës kryeministër që duhej të përgjigjej me Markun Profesor që nuk arrinte të pyeste, në fakt nuk ishin më shumë sesa përdhunim i egër publik i etikës dhe logjikës.
Ku kishte debat, ku kishte përplasje, ku kishte mohim, Marku nuk mungoi kurrë te pohonte armiqësinë pa kushte ndaj socialistëve të Ramës duke veshur fanelën e grisur të ekstremit në një vend që e ka pësuar gjithmonë nga ekstremet. Por siç rrodhën ngjarjet, shumica dërmuese e këtyre qendrimeve të frymëzuara nga urrejtja, ishin po aq të gabuara dhe të përgënjeshtruara nga koha sa edhe aktet e ndermarra nga lidershipi i partisë së tij. Këto do të mjaftonin që edhe akti i fortë i largimit të Markut që mallkonte dikur nëpër studio si i ndjeri Hazbi Kasa dhe i ngrysur si Kadri Hazbiu, të relativizohej dhe të harrohej nën harenë që shoqëron gjithmonë një vend të lenë të lirë. Nuk është keshtu për një arsye krejt tjetër. Për një mesazh krejt tjetër që Marku dha me largimin e tij më shumë sesa më praninë e tij. Një mesazh që nuk ja lexuan miqtë dhe nuk ja vunë në dukje kundërshtarët, të cilin me gjasë as ai vetë nuk e ka kuptuar. Marku dëshmoi në mënyrë tronditëse sesa e rrafshët, sa monotone, sa gri e mërzitshme dhe mërzi grije pa shpirt, është peisazhi politik në partinë më të madhe të opozitës. Madje edhe më shumë se kaq, sa i shkretëtirtë është mendimi zyrtar politik në vend, qoftë kur është në pushtet si PS-ja me Ramën, njeriun orkestër, qe vetë kompozon dhe vetë ekzekuton melodinë që i pëlqen, qoftë kur është në opozitë si Basha që nuk reagon, por vetëm reflekton, që nuk pohon, por vetëm mohon; që njëlloj si në 2017, edhe tani, mendon se mjafton të jesh njëshi i pjesës që të mos ja ndjesh kurrë nevojën të tërës.
Ikja e Mark Markut është akuzë pikërisht për këtë arsye dhe është ndoshta një nga akuzat më të forta qe i bëhet klasës së sotme politike, e cila është “rekrutuar” për të bërë politikë, për arsye gjithmonë e më pak politike. Me gjasë, Profesoreshë Najada e ka kuptuar më mirë një gjë të tillë duke i vënë diagnozën pacientit duke u vetëlarguar. Me gjasë, largimi i Markut është një lajm i keq jo vetëm për partinë e tij sepse jo ikja, por qendrimi do të dëshmonte diferencën e tij me shumicën dërmuese të konformistëve dhe lolipopistëve demokratë. Me gjasë, edhe largimi i Braçes dhe i kurajos së tij të hershme për të thënë të vërtetat e tij edhe kur të tjerët zgjidhnin të heshtnin, ka më shumë arsye sesa mund të merren me mend për momentin. Deri më sot politika shqiptare i ngjan asaj amvisës tipike që nuk vendos kurrë të shkundë dollapet nga vjetërsirat e pavlefshme, me idenë se mund t’i hyjnë ndonjëherë më punë. Por “amvisa” më të reja, po japin sinjalet se po ndryshon ky detaj. Të tjera largime po vijnë rrotull nëpër ajër. Largimet nga qeveria e kanë rradhën të parët. Të paktën për disa nga ikjet, arsyet do të jenë gjithashtu shumë më shumë sesa do të shpjegojë me metafora Edi Rama. Ikja e Berishës? Mbase as Doktori vetë nuk e ka kuptuar se ka pasur të drejtë dikur kur thoshte se largimin e tij nga politika e vendoste vetëm “Ai Lart”, por pa ditur se këtu Poshtë në Tiranë, amerikanët janë po aq Lart sa dhe vetë i Plotfuqishmi.