MENU
klinika

Ben Andoni

Më mirë që nuk janë më njerëzit e kulturës… si Kosta Raka & CO

08.08.2021 - 17:52

    Qasja jonë e pamundur me Neoliberalizmin, inerci apo hipotezë sistemi
Nga: Ben Andoni

Piktori Kosta Raka mbylli sytë disa ditë më parë. E kishte nisur para kohe udhën e mbrame dhe me sa duket e dinte mirë fundin e shpejtë. I dërrmuar nga një sëmundje e rëndë, e cila po e brente nga dita në ditë dhe e uli deri në karrocën e invalidit, karikaturisti i pagojë dhe shumëpunë priste fundin duke vizatuar pothuaj deri në fund. Në fund deri me ndihmën e të shoqes. Shkrimi ynë nuk ka fokus të bëjë një elegji për të, as të përshkruajë sesi ishte Kosta Raka. Por si e vlerëson shoqëria jonë njeriun e thjeshtë nga familja e thjeshtë dhe nga shoqëri “e panjohur”. Njësoj u harrua Dhimitër Ligori, Kozma Laro, Milto Vako, Koço Devole e të tjerë e të tjerë… Jo thjesht indiferenca e tejzgjatur dhe harresa në të gjallë por mungesa e një sistemi vlerash, ku ai të kishte një vend që i përshtatej kontributit të tij është sot ulëritëse. Një vlerësim nderi duhet t’i bëhet kolegëve të “Telegrafit”, të cilët vendosën ta kishin pjesë të tyre dhe një portali 27.al, që gjeti vend të përdori punën e tij. Duhej të ishte Kosta gjallë që ta ripyesnim, por në ankimimin e tij të paqtë, ku nuk donte të bezdiste askënd ishte shprehur dhe ky aspekt. “Nuk mjaftojnë për asgjë, por të paktën kujtohen…dhe këtë e vlerësoj”, thoshte. Artikullshkruesi ndihet thellësisht i pafuqi që megjithë apelet e vazhdueshme, trokitjes te njerëzit e karikaturës, që kanë dhe shoqatën për të kishte vend për fjalë të mira, por jo për t’i dhënë një firmë që të dekorohej. Ose të përcillnin thjesht një dokument, ku nuk ka mbetur njeri pa marrë një dekoratë ne vendin tonë të kishte pak vend dhe për të. Sa qesharake, pak vend, sepse me artin e tij, ai tupëron mbi 50 të panjohurit, që dekorohen e do dekorohen në presidencë. Paradoksi tjetër: mori vlerësim në komunizëm por jo në demokraci. Mbase punët e tij ishin më të mira do të shprehet një cinik. Po vërtetë disa nga punët e tij të asaj kohe, që sot janë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare, i bëjnë nder artit të karikaturës të çdo kohe. Shikimi për neofashizmin, Fuqitë e mëdha dhe të tjera janë të paarritshme sot. Jo vetëm sepse ne kemi frikë të vazhdueshme nga Fuqitë e Mëdha dhe SHBA edhe kur e teprojmë, po sot ke frikë të shkruash dhe të vizatosh për kapitalizmin. Ndryshe do të quajnë komunist. Kosta Raka u përshtat deridiku duke dhënë në formën e traktatit karikaturik të vërtetën e kohës tonë, kuptohet atë politike.

Ndërkohë prej vitesh për të flitej sikur nuk ekzistonte. Pak a shumë një gjë e tillë i ndodhi Lasgush Poradecit, poetit të shkrimit. Kosta mbeti i vetëm por të paktën rrethuar me familjarët e tij dhe vendoste ashtu si thoshte dikur shkrimtari Jozef Konrad: “Një karikaturë e vë fytyrën e një shakaje në trupin e një të vërtete”. E vërteta ishin punët e tij.

Pak kohë më parë me aktivisten e shoqërisë civile, Alma Lahe, një mike e familjes së tij, plotësuam dokumentet e Kosta Rakës për të marrë një vlerësim konform staturës së tij. Pa i turpëruar njerëzit, që e morën përsipër si proces, kemi insistuar disa herë dhe na është thënë se është në proces, por të vjen keq, që ai vlerësim nuk erdhi asnjëherë në të gjallë.

Janë disa njerëz që mendon se do të rrojnë edhe pse e di se janë në segmentet e fundit, por me punën e tyre, kalojnë kohët dhe kjo të step. Ka kohë dhe në fund s’ka kohë. Vdekja, procesi me sublim, nuk pyet për ne, as për indiferencën tonë, as për rrahagjoksit dhe as për personazhet. Në kohën e caktuar të thërret. Kostën e thirri shumë kohë para maturimit të fundmit të moshës biologjike për të na bërë sërish të turpëruar për indiferencën tonë skajore.

***

Për ata që nuk e njohin: Kosta Raka, eksperimentuesi i karikaturës

Emri i Kosta Rakës u bë shumë i njohur në mesin e viteve ’80. Autori i shumë karikaturave është nga pjesa e artistëve që vazhduan të punojnë intensivisht edhe pas viteve ’90. Tre nga karikaturat e tij me më shumë çmime ndërkombëtare ruhen në Galeri.

Historia e karikaturës shqiptare fiton përmes emrit të tij konceptimin e një artisti që e njeh shumë mirë grafikën.

Punët e tij kryesisht i kushtohen problemeve ndërkombëtare. Dhe, në konceptet e tij kemi përfytyrime të asaj që Shqipëria konceptonte për paqen në botë. Është interesant se paçka ngjyresës ideologjike, që mund t’i veshin ato punë janë shumë bashkëkohore.

Paqja sot në botë është e rrezikuar hapur dhe “Pëllumbat e Paqes” janë predha. Ky mesazh është shumë e shumë domethënës, ashtu si i ashtëquajturi revolucioni “tekniko-shkencor” që po lë shumë e shumë njerëz pa punë.

Interesant është edhe vëzhgimi i tij sa i përket “Neofashizmit”, ku në syrin e një “vegimi” vigjilon pushka për të vrarë. Autori tregohet me kulturë të spikatur, por edhe shumë i kujdesshëm për refleksionet ndërkombëtare.

Karikatura e Kosta Rakës është e organizuar shumë mirë. Ai është shumë i qartë në idetë dhe mbahet si një nga vizatuesit më të mirë të grafikës. Në karrierën e tij të gjatë, kemi edhe etyde, por edhe përshkrime vizatimorë.

Duhet thënë se kontributi i Kosta Rakës në zbërthimin e ideve të ndryshme është shumë interesant dhe puna e tij tregoi se Shqipëria ishte në rrugë të mbarë, sa i përket karikaturës. Por, ai vlerësohet dhe për eksperimentet e ndryshme që bën sa i përket koncepteve në karikaturë.

Punët e tij janë të vlerësuara dhe ai është një nga karikaturistët shqiptarë që është vlerësuar në vend dhe sidomos jashtë vendit. Shqetësimi i tij artistik e ka mbajtur shpesh në nivele të larta të perceptimit. (Ky është një rrëfim teknik i punës së tij bërë pak kohë më parë.)

***

Megjithatë, çfarë i duam njerëzit si Kosta Raka? Na mjaftojnë politikanët, na mjaftojnë vajzat e botoksit të pafre dhe djemtë e fryrë me tatuazhe dhe zhurmëmëdhenjtë. Kjo është Shqipëria e sotme, ku nuk ka vend për të pagojët e artit si Kosta. Më mirë, që nuk do jesh më, Kosta Raka! Çfarë do mund të bësh në këtë lloj Shqipërie?!