1200 shtretër në 7 godina në Qytet Studenti janë vendosur në dispozicion të grupit të afganëve që do të vijnë në Shqipëri duke filluar nga dita e nesërme.
Dhomat e godinave ku kanë qëndruar deri tani studentët janë me dy ose tre shtretër, ndërsa mensat do të jenë të përbashkëta.
Zëri i Amerikës raportoi se fillimisht ishte planifikuar që mbërritja e afganëve të ishte sot në mbrëmje, por ky variant u anulua, për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul, të cilat kushtëzojnë ndryshime të planeve nga ora në orë. Bëhet fjalë për afro 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan.
Avioni që do t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda. Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Grupi i afganëve do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re./