MENU
klinika

Kurs i ri nga talebanët?

Vajzat do marrin arsim dhe gratë do të jenë pjesë e qeverisë

18.08.2021 - 09:59

Talebanët kanë mbajtur konferencën e parë për mediat që pas marrjen nën zotërim të të gjitha provincave të Afganistanit, duke hedhur poshtë zërat se ata do të persekutojnë gratë afgane apo do të përndjekin ata që kanë punuar me të huajt.

Shumë gra të shkolluara dhe drejtuese në fusha të ndryshme në Afganistan kanë deklaruar në postimet e tyre se e dinë se çfarë i pret dhe kanë frikë për të ardhmen e tyre. Talebanët thanë se gratë afgane nuk do të persekutohen nën sundimin e tyre islamik. Zabihullah Mujahid, një zëdhënës i tyre, tha se “ka një ndryshim të madh mes nesh dhe talebanëve të 20 viteve më parë”, kur gratë afgane u rrahën në rrugë ose u ekzekutuan publikisht, iu mohuan punën, kujdesin shëndetësor dhe arsimin dhe u ndaluan të largoheshin nga shtëpia pa një mashkull në krah.

Gjatë konferencës së tyre për shtyp në kryeqytet, talebanët këmbëngulën që vajzat do të marrin arsim dhe gratë do të lejohen të studiojnë në universitet – të dyja këto ishin të ndaluara nën sundimin taleban në Afganistan midis 1996-2001 para pushtimit të udhëhequr nga SHBA. Grupi terrorist gjithashtu pretendoi se ata duan që gratë të jenë pjesë e qeverisë së re, pasi gratë afgane organizuan një protestë jashtë selisë lokale të talebanëve në rrethin Khair Khana, një periferi në veriperëndim të Kabulit, ndërsa brohorisnin “nderi dhe jeta janë të sigurta” dhe “bashkoni zërat me ne”.

Sidoqoftë, gratë dhe vajzat mbeten më të rrezikuarat nën regjimin e ri, me bandat në zonat e pushtuara që përndjekin vajza të reja të moshës 12 vjeç dhe gra të pamartuara ose të veja, që ata i konsiderojnë si plaçkë lufte – “khanimat” – të detyruara në martesë ose skllavëri seksuale. Talebanët gjithashtu kanë thënë se gratë do të duhet të mbajnë hixhab, por jo burka. Gjatë konferencës për shtyp të martën, Mujahid nuk dha detaje se çfarë kufizimesh do të vendoseshin për gratë, edhe pse ai tha se do të ishte një qeveri me “vlera të forta islame”.

Mujahid tha: “Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave nën sistemin e Sheriatit. Ata do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndër- kombëtare se nuk do të ketë diskriminim”. Talebanët mohuan se po zbatonin skllavërinë seksuale dhe pretendojnë se veprime të tilla janë kundër Islamit. Sidoqoftë, praktika të tilla ishin të shfrenuara gjatë viteve 1990, kur regjimi krijoi polici fetare për shtypjen e “vesit” dhe gjykatat shqiptuan dënime ekstreme duke përfshirë prerjen e duarve të hajdutëve dhe vrasjen me gurë të grave të akuzuara për tradhti bashkëshortore.

Vetëm pak minuta para konferencës për shtyp që zgjati një orë, u konfirmua se Mullah Abdul Ghani Baradar, nënkryetari dhe bashkëthemeluesi i talebanëve, kishte mbërritur në Kandahar nga Katari, me atë që u përshkrua si një delegacion i nivelit të lartë. “Ne do të vendosim se çfarë lloj ligjesh do t’i paraqiten kombit. Kjo do të jetë përgjegjësi e qeverisë me pjesëmarrjen e të gjithë njerëzve”, tha Mujahid. Nënpresidenti afgan, Amrullah Saleh, tha në “Twitter” të martën se ai është në Afgani- stan dhe është “Presidenti legjitim kujdestar”. Salej pritet të bëjë kalimin e pushtetit te talebanët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një jetë në errësirë...

Pse talebanët urrejnë gratë?