Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka qenë sot në terren për të parë nga afër operacionin për shuarjen e zjarrit në malin mbi tunelin e Kalimashit.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale Mehaj thotë se FSK-ja e Kosovës do të veprojë si një trup i vetëm me vëllezërit dhe motrat në Shqipëri deri në fund të betejës me flakët.
“Sot për të parë nga afër zhvillimin e operacionit në shuarjen e zjarrit në malin Shemëri, vizitova pjestarët e kontingjentit të FSK-së dhe pjestarët e kontingjentit të zjarrëfikësve nga Agjencia e menaxhimit të Emergjencave. Dhembjen për dëmet e shkaktuara nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët tanë- heronj të vërtetë që me guxim, shiprt ekipi dhe shërbim vetmohues nderojnë emblemën tonë, Kombin dhe Atdheun. Si një trup i vetëm bashkë me vëllezëri dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund. Së bashku më të fortë, në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona!”, shkruan ai në rrjetet sociale.