MENU
klinika

Nga bizneset te ngatërrimi i shënjestrës

Mister vrasja e biznesmenit në Lushnje/ Si u ekzekutua 34-vjeçari

25.08.2021 - 10:01

Një atentat mafioz i mori jetën të riut 34-vjeçar Bledar Muça nga fshati Dushk i Lushnjës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të së hënës kur një automjet tip “Golf” në ecje e sipër përpara lokalit në pronësi të viktimës, qëlloi me breshëri kallashnikovi, disa herë duke lënë të vrarë në vend te riun Muça dhe plagosi edhe 5 persona të tjerë, njëri prej tyre kunati i tij, Judin Velo.

ATENTATI

Ndërsa 34-vjeçari po konsumonte kafe në lokalin në pronësi të tij në qytetin e Lushnjës, nga një automjet u derdhën breshëri automatiku. Paraprakisht dyshohet se janë përdorur dy armë zjarri të llojit kallashnikov, duke lënë Bledar Muçën të vdekur në vend. Mësohet se nga automjeti është qëlluar me dy armë automatike me breshëri nga jashtë xhamit të ndërtesës, duke lënë gjurmë të shumta plumbash. Ndërsa pronari i lokalit vdiq në vend, të plagosur mbetën Judin Velo, 32- vjeç, Ervis Tafa, 24-vjeç, Sara Liçi, 24-vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeçe dhe Majlinda Gjyla, 66- vjeçe. Katër prej të plagosurve kanë qenë persona të rastësishëm në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë. Menjëherë pas ngjarjes, personat e pranishëm lajmëruan Policinë dhe ambulancat, të cilat transportuan të plagosurit për në spital. Ndërkohë, për 34-vjeçarin, mjekët e urgjencës nuk mundën të bënin dot asgjë për shkak se plumbat e kishin goditur në organet jetësore. Po ashtu, në gjendje kritike për jetën është edhe Judin Velo, i cili ka qenë fare pranë me viktimën. Jashtë rrezikut për jetën janë të plagosurit e tjerë të cilët vijojnë të jenë nën kujdesin mjekësor të Spitalit të Lushnjës.

ATENTATI NË NJË ZONË TË POPULLUAR

Ngjarja bëhet e rëndë edhe për faktin se atentati është organizuar në një zonë mjaft të populluar të qytetit të Lushnjës. Pas të shtënave të shumta, shumica e klientëve të lokalit janë shtrirë për tokë, duke krijuar panik jo vetëm te të pranishmit, por edhe te banorët përreth. Dëshmitarë okularë i thanë Policisë se një automjet që ecte ngadalë hapi zjarr drejt lokalit. Kjo bëri që të krijohej rrëmujë e madhe dhe klientët u ulën të gjithë përtokë. Pasi atentatorët qëlluan me breshëri plumbash, ku dyshohet se janë përdorur dy armë zjarri njëkohësisht, autorët janë larguar me automjetin e tyre.

HETIMET

Ndërsa mbeten ende të panjohura arsyet e ekzekutimit të 34-vjeçarit Muça, hetuesit sipas burimeve të gazetës “Panorama” kanë dyshime se bëhet fjalë për vrasës me pagesë. Kjo edhe për faktin nga mënyra se si është organizuar atentati dhe më pas djegia e makinës, një metodë kjo e përdorur nga grupet kriminale për të humbur gjurmët. Policia nisi menjëherë hetimet, ndërsa ka ngriti postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit të Lushnjës, pa mundur të arrestojë autorët. Po ashtu, është bërë edhe krehja e zonës në afërsi të vendit ku u gjet e djegur makina, e cila dyshohet të jetë e autorëve të atentatit. Burimet tregojnë se Bledar Muça ka qenë një biznesmen i ri dhe nuk ka pasur asnjë problem me drejtësinë. Ai drejtonte disa biznese shërbimi, si lokale dhe loto, si dhe ishte administrator i një tregu në Lushnjë. Burime nga policia thonë se në qytet, viktima nuk njihej si person problematik.

PISTAT E VRASJES

Mbeten mister arsyet e vrasjes së 34-vjeçarit, Bledar Muça. Hetuesit pranë Policisë së Shtetit kanë disa pista hetimi në lidhje me krimin e rëndë. E para pistë e ngritur për ngjarjen është ajo e ndonjë konflikti të mundshëm që lidhen me çështjet e konkurrencës, të cilat mund ta kenë konsideruar rival të biznesit të tyre viktimën Muça. Një prej këtyre bizneseve është edhe përplasja në lidhje me kontrollin e lojërave të fatit në këtë qytet. Madje, në të tilla debate ka qenë përfshirë edhe vetë Muça. Ende nuk dihet nëse bizneset që ai drejtonte i përkisnin vetëm atij, apo pas tij fshihen pronarë të tjerë që qëndrojnë në hije. Ky dyshim është ngritur për shkak të moshës së re që kishte viktima dhe posedimit në të njëjtën kohë të një numri të madh biznesesh. Nuk përjashtohet si pistë edhe ajo që lidhet me drogën, megjithëse nuk ka të dhëna në këtë drejtim. Një pistë tjetër është ajo që viktima Bledar Muça mund të mos ketë qenë shënjestër e atentatit, por kunati i tij me të cilin po qëndronte në lokal. Ky i fundit ka lidhje fisnore me një familje me probleme të shumta me drejtësinë. Judin Velo rezulton të jetë nipi i shtetasit Roland Shyti, personazh i njohur i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi”, i cili njihej ndryshe me nofkën “Mustaqekuqi”.

Pas atentatit, automjeti tip “Golf” gjendet i djegur me dy armë brenda

Vetëm disa minuta pas atentatit me armë zjarri në qendër të Lushnjës, ku mbeti i vrarë Bledar Muça, Policia gjeti të djegur plotësisht një automjet, rreth 18 km larg vendit të krimit. Nga mënyra se si është kryer vrasja është tipike mafioze e përdorur nga grupet kriminale në vendin tonë. Automjeti u gjet i shkrumbuar në fshatin Thanasaj. Brenda mjetit të djegur të llojit “Golf”, janë gjetur edhe dy armë zjarri kallashnikovë. Dyshohet se kallashnikovët janë armët që përdorën autorët e krimit për të kryer atentatin në lokal që la të vdekur pronarin Bledar Muça dhe të plagosur kunatin e tij, Judin Velo bashkë me 4 klientë të tjerë të rastësishëm. Sipas burimeve, automjeti rezulton i vjedhur në qytetin e Vlorës dhe ishte me targa italiane. “Në fshatin Thanasaj, Lushnjë, është gjetur i djegur një automjet, i cili dyshohet se është i autorëve”, konfirmoi policia. Pas vrasjes, hetuesit më të zotë të Policisë së Shtetit kanë shkuar në vendngjarje për të kryer hetimet për atentatin që tronditi qytetin e Lushnjës mbrëmjen e së hënës.

Media spanjolle “La Vanguardia”

Zbuloni Beratin, qytetin përrallor në Shqipëri

Shisnin doza me dr*ga të forta në Vlorë e në Fier

Çmontohet grupi kriminal! 12 në pranga, 2 në kërkim

Donte të vriste prindërit e tij të moshuar

Emri/ Arrestohet 42-vjeçari në Fier

Mjeku: Të hiqet fostoksina, nuk ka kundërhelm

Depresioni vret në Fier! Pesë vetëvrasje në dy javë

Cili është qarku më i rrezikuar

Cikloni mesdhetar, prek Shqipërinë!

"Hapi dyert me kushte dinjitoze për 850 nxënës dhe mësues"

Kryeministri publikon pamjet e shkollës “Naim Frashëri” në Fier