MENU
klinika

“Ka njerëz që janë penduar që nuk u vaksinuan”

Mjekët e familjes: Kemi një fluks të shtuar të personave të prekur me COVID

21.08.2021 - 20:21

“Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga mbyllja e muajit të hapur të vaksinimit, mjekët dhe ekspertët e shëndetit publik bëjnë thirrje që popullata të vaksinohet, pasi vaksina ul transmetueshmërinë e virusit, shmang hospitalizimin dhe nuk vë në rrezik jetën”.

“Kemi një fluks të shtuar të personave të prekur me Covid. Janë rreth 15 pacientë në ditë vetëm në Qendrën Shëndetësore numër 3 në Tiranë.

Vëmë re ndryshimin që ka një person i vaksinuar, nga një i pavaksinuar.

Një njeri i vaksinuar, nëse infektohet, e kalon sëmundjen për 5-7 ditë, pa qenë nevoja për gjithë gamën e ilaçeve dhe komunikimin intensiv me mjekun, ndërsa një i pavaksinuar e kalon për rreth 3 javë, duke rrezikuar shumë shëndetin.

Ka njerëz që janë bërë pishman dhe po vijnë ta bëjnë vaksinën.

Por ka edhe pacientë që pasi infektohen duan të vaksinohen. Kjo nuk është e mundur. Vaksina bëhet pasi sëmundja kalon dhe pas rreth 3-6 muaj që i duhet organizmit të rikuperohet nga Covidi.

Është mjeku i familjes që e vendos kur do të bëhet vaksina dhe llojin e saj. Vaksina nuk është pasaportë për të udhëtuar, por është shpëtimi dhe shërimi ynë i vetëm nga Covid 19-ta”.

Për ditë me radhë janë shënuar fatalitete dhe mbi 500 të infektuar me Covid në vendin tonë. Aktualisht të shtruar në spitalin Covid 1, janë 60 persona. Qytetet me numrin më të madh të të infekturve janë Tirana, Shkodra, Vlora dhe Durrësi.

Krahas qendrave të vaksinimit dhe atyre shëndetësore, janë hapur edhe 4 qendra specialitetesh në kuadër të vaksinimit masiv. Gati 1 milionë e 400 mijë qytetarë janë vaksinuar deri tani. Ekspertët thonë se pasojat e lirimit të masave gjatë sezonit të verës, do të ndihen në shtator, kur fillon edhe shkolla.