MENU
klinika

"Po vendos PD në linjë përplasjeje me SHBA"

Nazarko analizon Berishën: Pse zgjodhi këtë kohë për daljen publike. Po merr një goditje të rëndë, e drejtë e tij të mbrohet si di

05.08.2021 - 18:44

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar sot deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe përplasjen e tij me ambasadën e SHBA-ve pas shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Nazarko dha në “Opinion” në News24 se arsyet se përse Berisha zgjodhi këtë kohë për daljen në publik, teksa e cilësoi një goditje të rëndë, vdekjeprurëse për karrierën e tij politike qëndrimin e SHBA.

“Do doja që në fillim t’i kushtoja ca fjalë kohës së zgjedhur për dalje në publik. Ishte një dalje menjëherë pas atij shkrimit të ambasadores Yuri Kim në gazetën ‘Panorama’, ku paralajmëronte pushimet, por ama jepte disa këshilla, vadekum këshillash për klasën tonë politike. E para, synonte që t’i jepte përgjigje këshilltares, znj. Yuri Kim. E dyta, ai është komunikator i shkëlqyer, që di dhe kohën dhe argumentin e mirë për të qenë efektiv në komunikimin e tij, duke imagjinuar që ambasada ishte me pushime siç paralajmëronte ambasadorja dhe duke qenë që dhe për aktivitetin e përditshëm të kronikanëve, medias kjo është një periudhë e vakët, ai donte që të kishte maksimumin e vëmendjes. Kjo ishte arsyeja e dytë dhe arsyeja e tretë ishte fakti që mesa duket në limitet e kohës pas shpalljes së tij ‘non grata’ dhe publikimit të një reagimi juridik, gjyqësor të tij në Francë, padia ndaj zotit Blinken me sa duket është dorëzuar nga avokati i tij. Këto ishin tre arsyet që zoti Berisha zgjodhi për të dalë pikërisht sot dhe në fund të fundit dhe kjo bisedë është treguesi i qartë që ia vlejti kjo zgjedhje e kohës për të marrë maksimumin e vëmendjes”, deklaroi Nazarko.

Ai nxori më tej disa mesazhe nga deklaratat e Berishës.

“Kam lexuar me vëmendje disa prej komentuese për aksionin e tij politik në përgjithësi dhe në veçanti. Mes këtyre komentuesve më ka bërë përshtypje Kreshnik Spahiu që analizonte disa skenarë me probabilitet të lartë verifikueshmërie dhe ai thoshte, po është në stilin e Berishës të shkojë tek maksimumi i presionit dhe pastaj të tërhiqet në momentin e fundit dhe në një kuptim ajo çfarë ai iu përmbajt sot, vija e sjelljes që ai parapriu për shtatorin ishte një vijë e fuqishme presioni. Ai la të kuptohej se nuk do kishte tërheqje. La të kuptohej se do kishte trefishim të agresivitetit të gjuhës së tij në mbrojtje apo edhe denoncuese, vendosi disa piketa për sjelljen e PD-së në të ardhmen, la të kuptohej se mes tij dhe Bashës ka një raport luajaliteti të plotë. Në gjykimin tim, por do ishte pandehmë e tepërt ai në mënyrë të koduar la të kuptohen dhe disa kushtëzime që e përcaktojnë këtë luajalitet. Për shkak se unë nuk kam informacione të plota rreth marrëdhënies së tyre, nuk do të kuturis që t’i konsideroj se cilat ishin prej tyre. Unë kam një lloj intuite se cilat ishin ato kushtëzime, që në mënyrë të koduar ai ia përcolli Bashës, probabilisht mund të ishte e ashtuquajtura dosja ruse që sipas Berishës iu dorëzua nga Donald Lu-ja. Mund të ketë dhe gjëra të tjera. Këto ishin linjat e komunikimit të tij”, u shpreh ai.

 

 

Nazarko tha se Berisha me këtë lloj mandate kaq të rëndë, me këtë lloj vule kaq të rëndë për karrierën e tij të gjatë politike, është brenda së drejtës së vet individuale që të mbrohet ashtu si di ai.

“Në këtë komunikim më duhet të them diçka që është e drejtë që ta them. Berisha si figurë politike që ka kushtëzuar, që ka përcaktuar zhvillimet tona në 30 vitet e fundit, po sheh që në apogjeun e karrierës së vetë po merr një goditje të rëndë, gati vdekjeprurëse. Ai po akuzohet për korrupsion, ai dhe familja e tij për t’u saktësuar. Futja në listën e zezë për korrupsion bashkë me familjen, është krejt ndryshe nga futja në listën e zezë të atij kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, zoti Xhaferri, i cili është për rolin e tij në konfliktin e armatosur në vitin 2000 mes UÇK-së dhe shtetit maqedonas. Është një gjë përfshirja në listën e zezë, shpallja non grata për një rol politik dhe gjë tjetër të jesh në listën e zezë për korrupsion. Kështu që Berisha me këtë lloj mandate kaq të rëndë, me këtë lloj vule kaq të rëndë për karrierën e tij të gjatë politike, është brenda së drejtës së vet individuale që të mbrohet ashtu si di ai. Ta mbrojë dinjitetin e tij dhe të familjes së tij ashtu siç di ai dhe siç mundet ai.
Mund të divergjojmë si të duam, sa të duam nga rruga që ai ka zgjedhur për të mbrojtur dinjitetin e vet. Por që ai duhet ta mbrojë kjo nuk ka diskutim. Është një goditje e rëndë e personalizuar, e familjarizuar ndaj tij, kështu që reagimi i tij është i justifikueshëm”, u shpreh Nazarko.

Ai tha se e vërteta është se Berisha do të krijojë idenë se SHBA-të kanë diçka të personalizuar me të dhe reagimi i shpejtë i ambasadës së SHBA-ve ndaj tij i shërben kësaj narrative.

“Ishte nga intervistat që më ka bërë shumë përshtypje e Presidentit Topi. Leximi i tij i situatës, i personalitetit të Berishës, i reaktivitetit të tij dhe skenarët e pritshëm të PD. Zoti Berisha në këtë fazë të jetës së vet, politike dhe njerëzore edhe për shkak të leximeve të veta, ai është një pasionant i leximit, ka disa shembuj nga leximet por dhe nga eksperienca e jetës sonë kombëtare që mundohet t’i ndjekë. Ai e kupton që përballë një akuze të tillë kaq të rëndë të luftosh si Davidi me Goliathin është diçka që do të ishte një rrethanë lehtësuese, do të ishte diçka që të paktën në imagjinatën kolektive të mbrojtësve të vetë do të ishte një melhelm i mirë për plagën që ka krijuar kjo goditje e SHBA-ve. Po ashtu Berisha është dikushi që e ka jetuar pjesën më të rëndësishme të rinisë së vet jo thjesht fizike, por edhe asaj politike nën ndikimin e shembullit të Enver Hoxhës, që u përplas në fillim me rusët, pastaj me amerikanët, pastaj me të dy bashkë, pastaj dhe me Kinën dhe me të tre bashkë, ai e ka qejf këtë lloj përplasje. E vërteta është se ai do të krijojë idenë se SHBA-të kanë diçka të personalizuar me të dhe reagimi i shpejtë i ambasadës së SHBA-ve ndaj tij i shërben kësaj narrative që Berisha po përpiqet të kultivojë me shumë inteligjencë. Reagimi ishte shumë i qartë, ne do t’i përdorim të gjithë instrumentet që kemi në dispozicion. Instrumentet që kanë në dispozicion SHBA-të janë të shumta, me karakter legal, me karakter diplomatik, me karakter diplomatik etj. Po Berisha ia arriti me këtë konferencë shtypi dhe me reagimin që pasoi për të krijuar idenë që është një betejë e personalizuar ndaj tij. Por ndërkohë ai u përpoq mu për të krijuar këtë frontin e mbështetësve të vet për të thënë që kjo është diçka që ka lidhje dhe me PD-në”, u shpreh Nazarko.

Sipas tij, Berisha tha diçka që mund të ngjajë si autolesioniste, si vetëdëmtuese kur tha që nuk ka mbështetje të SHBA-ve për PD-në.

“La të kuptohej që Amerika nuk e mbështet PD-në, ishte gabim. La të kuptohej që ambasadat mbështesin qeveritë, pra la të kuptohej që edhe kur ka qenë ai në pushtet ambasada e SHBA-ve ka mbështetur vetëm qeverinë e tij. La të kuptohej që do të përfshihet në një luftë, jo ai individualisht, por PD, madje edhe Basha sepse la të kuptohej që Basha është tërësisht në të njëjtën varkë me të; pra la të kuptohet që PD-ja do të përfshihet në një përplasje frontale me SHBA-të. Pavarësisht se Berisha mundohet të tregojë që shikoni se unë nuk jam antiamerikan, shikoni se PD-ja është parti proamerikane; përplasjet e tij me të gjithë ambasadorët, duam s’duam, do s’do ai e vendos qartësisht në një linjë përplasje me Amerikën.
Shqetësimi im, shqetësimi i dikujt që është proamerikan me çdo kusht; unë jam proamerikan me çdo kusht, mendoj që amerikanët nuk gabojnë, por edhe sikur të gabojnë ata nuk është detyra jonë tua tregojmë se ku gabojnë. Ata i zgjidhin vetë gabimet e tyre. Unë jam me qasjen introspektive. Ne duhet të korrigjojmë sjelljen tonë. Ne nuk mund t’u imponojmë kushte atyre”, u shpreh Nazarko.

Sesioni i 76-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB

Xhaçka: Krenare për përkushtimin e Shqipërisë!

"Do të sigurojë mbijetesën politike pasi u shpall ‘non grata’"

Pritjet e Berishës/Kadilli: Nuk me impresionon