Në përballje me shifrat në rritje të infeksionit dhe shtrimeve në spital, shumë vende po shkojnë drejt vaksinimit të detyruar.
Por, ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve e përjashtoi këtë si mundësi, e hodhi “topin” te punëdhënësit. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se ka metoda alternative që dikush të punojë në një vend të caktuar, por drejtuesit dhe administratoret duhet të jenë të qetë që punëtori është brenda parametrave të punës. Ti nuk detyron, vuri në dukje Fico, por punonjësi duhet të provojë statusin e mos infektivitetit. “Në Shqipëri vaksinimi nuk është i detyruar dhe këtë e kemi ndjekur për një kohë të gjatë dhe do vazhdojmë të ndjekim. Është e vërtetë që referencat që keni ju i kemi parë edhe ne. Por, ka disa elemente siç janë grupet si mjekë, arsimtarë që përpos detyrës qytetare të mbrojtjes së vetes duhet të mbrojnë komunitetet që punojnë. Ne nuk detyrojmë askënd, por ka metoda alternative që dikush të punojë në një vend të caktuar. Drejtuesit dhe administratorët duhet të jenë të qetë që punëtori është brenda parametrave të punës. Ti nuk detyron, por ai duhet të provojë statusin e mos infektivitetit”, u shpreh Fico.
VAKSINIMET
Deri më tani rezulton e vaksinuar me të dyja dozat 27 për qind e popullsisë. Të martën, ministrja Manastirliu bëri me dije se edhe muaji shtator do të jetë muaji i hapur për vaksinimin e personave plus 18 vjeç.
“Fushata e vaksinimit ka vazhduar me ritme mjaft të mira. Aktualisht, ne kemi një mbulesë vaksinale me të dyja dozat që po i afrohet 27%, që tregon se një çerek milioni e popullatës është vaksinuar, pra e popullatës sonë me të dyja dozat.
Ndërsa në drejtim të mbulesës me një dozë ajo po i afrohet 37%. Sa i përket vaksinimit, duhet të themi që rastet e vaksinuara që janë shfaqur në popullatë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Rastet e vaksinuara me një dozë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Kurse rastet e vaksinuara me dy doza janë 32 herë më pak se sa rastet e pavaksinuara. Kjo tregon një efekt mjaft të rëndësishëm të programit të vaksinimit dhe një vlerë tepër të rëndësishme të tij”, vuri në dukje shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino.
Ndërkohë zëvendëministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, përsëriti apelin ndaj qytetarëve që të paraqiten për t’u vaksinuar. “Kemi doza të mjaftueshme vaksine dhe kemi vënë në dispozicion struktura, të cilat shkojnë sa më pranë qytetarit. Ju lutem që të jeni më aktivë në realizimin e këtij procesi dhe të mos ketë asnjë hezitim. Edhe kjo situatë epidemiologjike e tregon më së miri se vaksinimi dhe zbatimi me rigorozitet i masave janë të vetmet mënyra që ne mundet të kontrollojmë infeksionin dhe të mos përballemi me valë të tjera ose sëmundje të rënda apo humbje jetësh”.
SITUATA
Lidhur me situatën epidemiologjike, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publike tha se është rritur numri i të infektuarve që i takojnë grupmoshës nga 35 deri në 64 vjeç. “Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 krahasuar me një javë përpara. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur, nga 5573 në 5792 që çon në rritje të incidencës dyjavore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara. Incidenca dyjavore është 202 raste të reja për 100 mijë banorë e krahasuar kjo me 38 raste të reja për 100 mijë banorë në dyjavëshin pararendës. Sa i përket pozitivitetit të mostrës, ai mbetet në shifrën 7.8 %. Dua t’ju sjell në vëmendje se grupmoshat 35 vjeç deri në 64 vjeç kanë një rritje me një numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Sa i përket bashkive të prekura, mesatarisht ne kemi çdo javë 42 bashki. Ato me incidencën më të lartë janë Saranda, Himara, Malësi e Madhe, ndërsa për bashkitë e mëdha, Shkodra, Tirana dhe Vlora”, tha Fico.
MASAT
Por pavarësisht rritjes së rasteve, Rakacolli tha se situata mund të mbahet nën kontroll me masat ekzistuese. Sipas zëvendësministres, problem mbetet zbatimi i masave. “Analizimi i të dhënave dhe indikatorëve, të cilët ne i kemi analizuar sot si monitorues të situatës, i përgjigjet mirë niveli i masave, të cilat ne i kemi në fuqi. Problem është zbatimi i tyre. Mendimi i ekspertëve të Komitetit është që situata mund të kontrollohet, duke mbajtur të njëjtin nivel masash, por duke i zbatuar ato me përgjegjshmëri dhe rigorozitet si dhe me intensifikimin e procesit të vaksinimit”.
Rriten rastet e reja, COVID-19 i kushton jetën edhe një 20-vjeçari
E mërkura ka regjistruar një tjetër rekord rastesh të reja pozitive me COVID-19. Kështu në 24 orët e kaluara janë raportuar 844 persona të infektuar. “Janë kryer 7725 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 844 qytetarë, në këto bashki: 246 raste në Tiranë, 119 në Shkodër, 41 në Durrës, 37 në Vlorë, 35 në Lezhë, nga 29 raste në Kavajë, Krujë, 26 në Sarandë, nga 23 raste në Vau i Dejës, Fier, 21 në Elbasan, nga 20 raste në Berat, Kamzë, 19 në Kurbin, nga 18 raste në Malësi e Madhe, Lushnje, 11 në Kukës, 10 në Kuçovë, 8 në Gramsh, 6 në Vorë, nga 5 raste në Rrogozhinë, Divjakë, Gjirokastër, Pogradec, Peqin, nga 4 raste në Librazhd, Belsh, Kolonjë, Korçë, Selenicë, nga 3 raste në Shijak, Dibër, Patos, Himarë, Maliq, Cërrik, nga 2 raste në Poliçan, Dimal, Devoll, Këlcyrë, Libohovë, Mallakastër, Mat, Has, nga 1 rast në Mirditë, Klos, Delvinë, Përmet, Memaliaj, Skrapar. Aktualisht janë 7070 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin” kanë bërë me dije autoritetet shëndetësore. Në spitalin Infektiv numri i pacientëve të shtruar ka shkuar në 91 ndërsa janë shënuar edhe 3 humbje jete mes të cilëve një 20 vjeçar nga Korça. “Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 91 pacientë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë tre qytetarë: një qytetar 20 vjeç nga Korça me sëmundje bashkëshoqëruese, një qytetar 69 vjeç nga Shkodra dhe një qytetar 81 vjeç nga Vlora”.
Shtrimet në spital, 50% janë mosha të reja
Në ditët e fundit janë rritur ndjeshëm edhe shtrimet në spital. Duke folur për situatën në Spitalin Infektiv, Profesor Dhimitër Kraja tha se rreth gjysma e tyre janë mosha relativisht të reja. “Të shtruarit në Spitalin Infektiv janë grupmosha të ndryshme. 50% janë mosha relativisht të reja, rreth 25% janë forma të mesme dhe më shumë madje 50 dhe 55% janë mosha të rritura, mosha e tretë që quhet dhe 8 % mosha e katërt. Situata e tyre nga ana shëndetësore është e tillë që janë forma të lehta, serioze ose me ndonjë ndërlikim ose në subjekte që rëndojnë në mënyrë patologjike situatën shëndetësore të rasteve. 30% janë forma të rënda dhe forma kritike, ose me forma të rrezikshme kërcënuese për jetën”, tha Kraja.