Dashnor Kaloçi
Publikohet një dokument i rrallë me siglën “Tepër sekret” i nxjerrë nga teksti voluminoz “Historia e Sigurimit të Shtetit” i cili studiohej si lëndë më vete në ish-Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë (Dega e Sigurimit), ku bëhet fjalë për të ashtuquajturën ‘organizata kundërrevolucionare’ me nofkën “Rrëshqitja” e cila realizonte vrasje dhe vjedhje, ku bënin pjesë tetë persona, e zbuluar nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1974 në rrethin e Shkodrës, ku si krerët kryesorë të saj, ishin Enver Bicakani dhe Rustem Tabakun, dy oficerë, efektiva në një nga repartet ushtarake të qytetit të Shkodrës. Sipas dokumentit të Sigurimit të Shtetit, qëllimi i organizatës “Rrëshqitja”, ishte: “të zgjeronte radhët dhe të punonte për rrëzimin e pushtetit popullor, sipas planit të tyre, me ndihmën e ushtrisë social-imperialiste sovjetike, duke i dhënë shkas asaj, ose nëpërmjet sulmit që grupi do të kryente në institucionet kryesore të Shkodrës, ose 200 veta do të sulmonin Bllokun e banesave të udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit në Tiranë”. Si u arrestuan dy krerët kryesorë të organizatës “Rrëshqitja”, përpara se ata të realizonin planin e tyre, si rezultat i denoncimit të bashkëpunëtorit “Shtegtari” dhe “Fluksi”, si dhe arrestimi i grupit “Bretkosa”, në vitin 1975, ku bënin pjesë: Gëzim Peshkëpia, Eqerem Kavaja, Estref Kërçiku, Haxhi Qira, Besnik Xoxe, Bujar Skënderi, Shefqet Kau, etj.
Para disa kohësh në një nga ambientet e Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit të kryesuar nga drejtoresha, znj. Gentjana Sula dhe nën kujdesin e moderimin e z. Selman Zalli, punonjësi i këtij institucioni, u zhvillua një aktivitet për hapjen dhe bërjen publike të dokumenteve sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit, të dosjes në ngarkim të z. Gëzim Peshkopia, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik familjarisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për vite me radhë.
Në atë event i cili duhet thënë se pason një sërë aktivitetesh të tjera të suksesëshme të kryera nga ai institucion në bashkëpunim edhe me shoqata dhe institucione të tjera, (si ai i Institutit të Studimit dhe Publikimit të Krimeve të Komunizmit, Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, Fondacioni Konrad Adenhaur, etj), jo vetëm në Tiranë por dhe në rrethe të tjera të vendit, si në Tepelenë, Lushnjë, Shkodër etj., u publikuan vetëm një pjesë e dokumenteve sekrete nga dosja në ngarkim të z. Gëzim Peshkopia, pasi rezulton se ka përsëri dokumente arkivore sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit, edhe në arkiva dhe institucione të tjera.
Një nga këto është edhe ky dokument arkivor me siglën “Tepër sekret”, që publikohet për herë të parë nga Memorie.al, në të cilin bëhet një përmbledhje e shkurtër e të ashtuquajturit grup armiqësor me nofkën “Bretkosa”, ku bënte pjesë dhe z. Gëzim Peshkëpia. Sipas dokumentit në fjalë, ky “grup armiqësor” është zbuluar, goditur dhe arrestuar nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1974-’75, ku akuza më e rëndë është: “Të zgjeronte radhët dhe të punonte për rrëzimin e pushtetit popullor, sipas planit të tyre, me ndihmën e ushtrisë social-imperialiste sovjetike, duke i dhënë shkas asaj, ose nëpërmjet sulmit që grupi do të kryente në institucionet kryesore të Shkodrës, ose 200 veta do të sulmonin Bllokun e banesave të udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit në Tiranë”?!
Sa më sipër, duket qartë se ajo akuzë është kryekëput një fantazi e Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, për të goditur dhe dënuar një grup personazh që vinin nga “klasat e përmbysura”, për t’i implikuar ata me të ashtuquajturin “Grupi puçist në Ushtri me në krye Beqir Ballukun”. Si rezultat i kësaj, pjesëtarët e organizatës “Rrëshqitja” dolën para gjyqit që u bë me dyer të hapura në qytetin e Shkodrës dhe dy të ashtuquajturit si krerët kryesorë, dy oficerët Enver Bicakani e Rustem Tabaku, u dënuan me vdekje dhe u tha se u pushkatuan, ndërsa të tjerët morën dënime të rënda me burg, sipas shkallës së fajësisë.
Sipas dokumentit në fjalë, në atë kohë u godit dhe u arrestua edhe një grup tjetër i quajtur “Bretkosa”, ku përveç z. Gëzim Peshkëpia, bënin ojesë edhe: Eqerem Kavaja, Estref Kërçiku, Besnik Xoxe, Bujar Skënderi, Haxhi Qira, Shefqet Kau etj. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti arkivor i cili është shkëputur nga teksti “Historia e Sigurimit të Shtetit”, i cili studiohej si lëndë më vete në ish-Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit në Sauk.
Dokumenti i Sigurimit të Shtetit për arrestimin e organizatës “Rrëshqitja”, me në krye dy oficerët e ushtrisë, Enver Picagani dhe Rustem Tabaku, si dhe arrestimi i grupit “Bretkosa”!
Në vitet 1973-‘74 u zbuluan dhe u goditën disa grupe pa arritur të kryenin akte armiqësore. Kështu, shtetasit Ll. R. dhe J.K., denoncuan në degën e Punëve të Brendshme të Tropojës, se ekzistonte një grup që zhvillonte veprimtari armiqësore kundra Partisë. Më vonë, bashkëpunëtori “Shtegtari”, informon se nga biseda që kishte bërë me ….Rustën, mësoi se në Shkodër, ishte krijuar një organizatë e cila kryente vrasje dhe vjedhje. U morën masa dhe menjëherë ai vihet në përpunim aktiv.
Problemi u centralizua dhe u ndoq me nofkën “Rrëshqitja”. Nga disa veprime që u kryen shpejt, u vërtetua se denoncimet dhe të dhënat ishin të sakta. Më datë 28.II.1974, u bë arrestimi i 8 kryesorëve me në krye Enver Bicakani dhe Rustem Tabaku etj. Zhvillimi i hetuesisë intensive dhe përpunimi në dhomat e izolimit vërtetoi veprimtarinë armiqësore të grupit “Rrëshqitja”.
Qëllimi i të cilit ishte të zgjeronte radhët dhe të punonte për rrëzimin e pushtetit popullor, sipas planit të tyre, me ndihmën e ushtrisë social-imperialiste sovjetike, duke i dhënë shkas asaj, ose nëpërmjet sulmit që grupi do të kryente në institucionet kryesore të Shkodrës, ose 200 veta do të sulmonin Bllokun e banesave të udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit në Tiranë. Po të dështonin do të arratiseshin në Jugosllavi nga Hani i Hotit. Por këto akte aventureske mbetën më imagjinatën e tyre pasi ata u zbuluan dhe u goditën shpejt.
Më datën 5.5.1975, bashkëpunëtori “Fluksi” raportoi se në prani të disa personave (në dokument jepen dhe emrat) më 5.5.1975, ora 9 e 30, në fund të rrugës së Pishës, është bërë një bisedë nga këta element për të djegur Shtëpinë e Formimit të Partisë.
Menjëherë merren masa. Kryen disa veprime si në drejtim të bashkëpunëtorëve, përgjimi me teknikë operative vëzhgimi dhe rezultoi se ata merreshin me veprimtari armiqësore në formë të organizuar. Problemi u ndoq me përparësi, me pseudonimin “Bretkosa”.
Si rezultat i njohjes së mirë të situatës operative të grupit dhe të lidhjeve të tyre nga veprimet e kryera u vërtetua se: Bujar Skënderi, Haxhi Qira dhe Shefqet Kau, ishin më të rrezikshmit dhe ishin në dijeni të veprimtarisë të secilit. Më datën 8.8. 1975 u bë goditja e tyre.
Gjatë hetimit dhe përpunimit në dhomat e izolimit u vërtetua edhe veprimtaria e përbashkët që kryenin Eqerem Kavaja, Besnik Xoxe, Estref Kërçiku, Tonin Çefa dhe Gëzim Peshkëpia.
U vërtetua se grupi përbëhej nga element të deklasuar si: Bujar Skënderi, dënuar për tentativë arratisje, imoral dhe i shthurur, babanë të dënuar mbas çlirimit për mos denoncim malli, Shefqet Kaut, imoral, bir tregtari, Eqerem Kavaja, vëlla të arratisur jashtë shtetit, Besnik Xoxe, i biri i tradhtarit, Koci Xoxe, Estref Kërçiku, dënuar tre herë për krime kundër shtetit etj.
Veç këtyre, gjatë procesit të përpunimit u fiksuan dhe 22 lidhje të tyre, nga të cilat 13 u vunë në përpunim aktiv dhe 9 në parapërpunim.
“Bretkosa” u zbulua dhe u godit shpejt, por dobësia del se u drejtua vetëm me një bashkëpunëtor, “Fluksi”, megjithëse u evidentuan 13 bashkëpunëtorë të përshtatshëm. Mos aktivizimi i këtyre bëri që të mos zbërthehet në thellësi veprimtaria e armiqësore e krerëve të “Bretkosës”, si dhe të pjesëtarëve të tjerë.
Por karakteristikë kryesore e kësaj veprimtarie armiqësore e keq bërëse ishte zhvillimi i saj në mënyrë intensive dhe në disa raste dhe në grupe. Vetëm gjatë viteve 1970-1975 u zbuluan dhe u goditën disa grupe në qytetet Tiranë, Berat, Vlorë, Tepelenë etj.
Vetëm në 6 grupe që u zbuluan dhe u goditën në vitin 1973, implikoheshin 54 të rinj dhe të reja nga të cilët 21 nxënës shkolle, 24 në marrëdhënie pune dhe 9 parazitë, të gjithë ishin me banim në qytet, gjë që tregon se ndikimi i ideollogjisë borgjezo-revizioniste ishte intesifikuar në qytet.
Shumica e atyre që implikoheshin në veprimtari armiqësore ishin të moshës 16 deri 21 vjeç, 90 përqind të tyre ishin me përbërje të mirë politike, 10 përqind ishin nga klasat e përmbysura.
Veprimtaria e tyre filloi me dëgjimin e muzikës dekadente, leximin e literaturës borgjezo-revizioniste dhe shikimin e shpërndarjen e materialeve pornografike duke kaluar gradualisht në veprimtari të mprehtë dhe të organizuar në grupe armiqësore.
Bazuar dhe në përbërjen e tyre dhe goditja u bë e diferencuar.
30 përqind u arrestuan dhe u dënuan, kurse 70 përqind u demaskuan ose këshilluan në prezencë të prindërve apo organizatave të masave dhe aktivistëve shoqërorë./Memorie.al