Këshilltarët shkencorë të qeverisë britanike kanë ngritur mundësinë e një lufte të përjetshme ndaj koronavirusit, duke thënë se çrrënjosja e virusit “nuk ka gjasa të ndodhë”.
Ata paralajmërojnë se “gjithmonë do të ketë variante”.
Shkencëtarët britanikë, shkruan “Zëri i Amerikës”, shpresojnë që virusi të evoluojë në një formë që shkakton “sëmundje shumë më pak të rënda”, por paralajmëruan se nuk ka gjasa që kjo të ndodhë për disa kohë.
Masat parandaluese dhe kufizimet do të jenë të nevojshme ndërkohë që ekziston një “mundësi reale” që të shfaqen variante rezistente ndaj vaksinave. Në një raport të publikuar javën e kaluar nga Grupi Këshillimor Shkencor i Britanisë për Emergjencat, i njohur ndryshe si SAGE, shkencëtarët nuk përjashtojnë mundësinë e shfaqjes së një varianti të ri, që të ketë nivelin e vdekshmërisë së MERS-it, një koronavirus tjetër, i cili ka një shkallë të lartë vdekjesh, prej 35%.
RAPORTI
Raporti mbi evoluimin e mundshëm afatgjatë të virusit u publikua të premten vonë dhe politikanët e opozitës në Britani janë ankuar se ai është nxjerrë pa zhurmë dhe fshehurazi nga qeveria për të shmangur publicitetin, në mënyrë që të mos minohej besimi i publikut në lehtësimin e kufizimeve të pandemisë dhe hapjen e kufijve të vendit për vizitorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
“Ky raport duhet të kishte shkaktuar valë tronditëse në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar”, u tha gazetarëve Philippa Whitford, një ligjvënëse nacionaliste skoceze dhe nënkryetare e një grupi parlamentar të të gjitha partive mbi pandeminë. “Rekomandimet dhe komentet e bëra nga SAGE sjellin realitetin e qartë: se ne ende nuk e kemi ‘mposhtur’ këtë virus”, shtoi Whitford, një kirurge me profesion.
Në raport, shkencëtarët thonë se mundësia që një variant i ri t’u rezistojë vaksinave aktuale është “pothuajse e sigurt” që do të ndodhë. Frika më e madhe e grupit SAGE janë ndryshimet e vogla në gjenet e virusit që mund të çojnë në ndryshime në proteinat e tij sipërfaqësore. Shumica e vaksinave që përdoren tani kanë si objektiv proteinat sipërfaqësore të koronavirusit.
Shkencëtarët gjithashtu shqetësohen për mundësinë e rikombinimit të varianteve për t’u bërë më ngjitëse. Epidemiologia Deepti Gurdasani thotë se raporti i SAGE “e bën të qartë se nuk ka gjasa që virusi të bëhet më pak i rrezikshëm në një periudhë afatshkurtër”.
Ajo shkroi në “TWitter”: “Pra, për të gjithë ata që sugjerojnë se duhet të jetojmë me të dhe se ai do të bëhet si koronaviruset sezonale të padëmshëm, nuk duket se ka të ngjarë të ndodhë së shpejti”.
Raporti ka tërhequr vëmendjen e qeverive në Europë dhe zyrtarët në Berlin thonë se ai luajti rol në vendimin e shpallur të hënën nga qeveria gjermane për të ofruar vaksina përforcuese te njerëzit që konsiderohen të rrezikuar nga COVID-19.