Dy autorë të zjarrvënieve në Vlorë e Sarandë janë arrestuar nga Policia.
Një 41-vjeçar me emrin Gëzim Meço në Tragjas dogji një sipërfaqe me 1500 m2 shkurre dhe 20 rrënjë ullinj kurse një tjetër në Shelegar i vendosi zjarrin një kullote.
Policia ka një apel për të gjithë banorët që të mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do të përballen me ligjin teksa i fton të denoncojnë për çdo rast.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Në Vlorë e Sarandë kapen dhe vihen në pranga 2 autorë të dyshuar për zjarrvënie.
Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. M, 41 vjeç, banues në fshatin Tragjas.
Ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe 1500 m2 me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj, në fshatin Tragjas.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. L., 23 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe kullosore në fshatin Shelegar.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.