MENU
klinika

Renditja sipas Eurostat

Popullsia e rritur e Shqipërisë më e “paditura” në Europë për teknologjinë

18.08.2021 - 07:58

Teksa bota po shkon drejt dixhitalizimit dhe shumica e shërbimeve do të ofrohen nëpërmjet kësaj forme, të rriturit shqiptarë kanë njohuri të dobëta në krahasim me vendet të tjera të Europës.

Statistikat krahasuese të Eurostat për të gjitha vendet e Europës gjeten se, në vitin 2019 vetëm 21 për qind e shqiptarëve të moshës 16-deri në 74 vjeç kishin njohuritë bazë dixhitale. Kjo ishte përqindja më e ulët ndër shtetet Europiane.

Pas nesh vjen Bosnja ku, 24 për qind e popullsisë së rritur ka aftësi sado të pakta dixhitale, me pas Kosova me 28 për qind të popullsisë së rritur, Bullgaria me 29% etj.

Në krahun tjetër të grafikut, vjen Islanda me përqindjen më të lartë të popullsisë që ka njohuri dixhitale, ku 85 për qind e të rriturve nga 16-74 vjeç kanë njohur bazë në dixhitalizim. Më pas vjen Norvegjia me 83% të popullsisë me njohuri dixhitale, Holanda me 79%, Zvicra ,me 77%, Finlanda me 76% etj.

Treguesi i njohurive dixhitale në popullsinë e rritur mat përqindjen e popullsisë nga mosha 16 deri në 74 vjeç që kanë së paku aftësitë bazë dixhitale në katër fusha të veçanta (informacion, komunikim, zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e një përmbajtjeje). Treguesi bazohet në sondazhin e BE -së në përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në familje dhe nga individët.

BE po zbaton një strategji për rritjen e aftësive dixhitale të popullsisë së kontinentit. Të kesh një fuqi punëtore dhe një popullsi të kualifikuar me njohuri dixhitale është vendimtare për konkurrencën evropiane.

Sondazhet tregojnë se gati 42% e qytetarëve evropianë nuk kanë aftësi bazë dixhitale. Nga këto 37% e njerëzve pa njohuri dixhitale bëjnë pjesë në forcën e punës. Mungesa e njohurive dixhitale përfshin fermerët, punonjësit e bankave dhe punonjësit e fabrikave.

Evropës gjithashtu i mungojnë specialistë të aftë të TIK -ut për të mbushur numrin në rritje të vendeve të lira të punës në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Një çështje thelbësore që mbështet këtë është nevoja për të modernizuar sistemet europiane të arsimit dhe aftësimit, të cilat aktualisht nuk i përgatisin të rinjtë në mënyrë të mjaftueshme për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale.

Punësimi i ekspertizës në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (TIK) është një sfidë për bizneset në Bashkimin Evropian (BE), por në Shqipëri ky problem është edhe më i mprehtë.

Gjatë vitit 2018, rreth 9% e ndërmarrjeve të BE -së rekrutuan u përpoqën të rekrutojnë specialistë të TIK -ut, por më shumë se gjysma e tyre raportuan se kishin probleme në plotësimin e vendeve të lira që kërkonin aftësi në TIK./Monitor