Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot eksodin e vitit 1991, kur 30 vit më parë mijëra shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë.
Kreu i shtetit thekson se anija “Vlora” na fton për reflektim të thellë, ndërsa e konsideron edhe njëherë shpopullimin si dramën më të madhe të Shqipërisë.
POSTIMI I PRESIDENTIT META
Si sot 30 vite më parë, më 8 gusht 1991, rreth 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë, në kërkim të lirisë dhe shpresës, duke i dëshmuar botës tragjedinë dhe mjerimin e popullit më të shtypur dhe të izoluar të kontinentit.
Anija ‘Vlora’, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.