Grevistët e fshatit Lumas kanë hyrë sot në ditën e pestë të grevës së urisë. 5 grevistët që janë ngujuar që prej ditës së martë në një godinë përballë zyrave të ish/komunës Lumas kanë shfaqur rëndim të shëndetit. Katër prej grevistëve janë më të agravuar, pasi kanë probleme me hipertensionin dhe aritminë.
Gjatë natës njëri prej protestuesve ka shfaqur luhatje të theksuara të tensionit dhe gjendje të fikëti. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, grevisti Mehmet Llangozi është trajtuar sot me serum. Infermierja e Qendrës Shëndetësore Lumas ka qëndruar deri në përfundim të serumit dhe pasi ka ekzaminuar edhe një herë të gjithë grevistët ka deklaruar se ata janë në gjendje të rëndë.
Vetë grevistët shprehen se edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë. “Nuk do të ndalemi deri në vdekje, vetëm me barrela mund të na nxjerrin që këtu”, -shprehen grevistët që kërkojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave të parashtruara në fillim të grevës së urisë dhe pezullimin e menjëhershëm të punimeve në burimin e Sinecit. Grevistët shprehen se që prej ditës së parë të grevës së tyre të urisë, nuk ka ardhur askush nga pushtetarët apo deputetët e qarkut për t’i takuar.
Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të pestë të grevës së urisë, banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit. Beteja për ujin e burimit të Sinecit vazhdon prej 4-muajsh, duke u shoqëruar me përplasje të vazhdueshme me banorëve me firmën Salillari dhe policinë.