Për shekuj me radhë, filozofët kanë ngritur teori të ndryshme mbi lidhjen mendje-trup, duke debatuar për marrëdhënien midis lëndës fizike të trurit dhe aktivitetit të ndërgjegjshëm mendor që ajo krijon në njëfarë mënyre. Edhe me përparimet në neuroshkencë dhe teknikat e imazhit të trurit, pjesë të mëdha të asaj marrëdhënieje themelore mbeten të pazbërthyera. Në vitin 1995, shkencëtari konjitiv David Chalmers shpiku termin “problemi i vështirë”, për pyetjen sesi saktësisht, truri, krijon përvojë subjektive të ndërgjegjshme. Disa filozofë vazhdojnë të këmbëngulin, se në thelb, mendja është e ndryshme nga materia. Sidoqoftë, përparimet në të kuptuarit e funksionimit të trurit i minojnë idetë e dualizmit.
Nga: Tim Adams
Anil Seth, profesor i neuroshkencës konjitive në Universitetin e Sussexit, udhëheq një kërkim të tillë. Fjalimi i tij në ”Ted”, mbi vetëdijen, është parë më shumë se 11 milionë herë. Libri i tij i ri, “Të jesh ti”, propozon një ide të mendjes njerëzore si një “makinë parashikimi shumë e evoluar”, e rrënjosur në funksionet e trupit dhe “në halucinacione të vazhdueshme të botës dhe vetes” për të krijuar realitet.
Një nga gjërat që më pëlqeu në qasjen tuaj në libër ishte mënyra sesi shumë nga fenomenet që merrni në shqyrtim, dalin nga përvoja juaj. Për shembull, ndjenja e kthimit në vetëdije pas anestezisë ose sesi nëna juaj, duke përjetuar delir, nuk njihte më vetveten. A mendoni se është gjithmonë e rëndësishme të mbani në mend atë kornizë të botës reale?
Arsyeja pse jam i interesuar për ndërgjegjen është thelbësisht personale. Unë dua të kuptoj veten dhe, më gjerë, të tjerët. Por, gjithashtu jam shumë i interesuar për shembull, në zhvillimin e modeleve statistikore dhe metodave matematikore për të karakterizuar gjëra të tilla, si shfaqja [sjellja e mendjes në tërësi, që tejkalon aftësinë e pjesëve të saj individuale] dhe nuk ka asnjë përbërës personal në të.
Ju keni ngritur ekipin tuaj në Sussex, si një grup multidisiplinar, me matematikanë, psikologë dhe shkencëtarë kompjuteri, si dhe neuroshkencëtarë konjitivë. Pse e gjithë kjo?
U tregova i matur me akademinë sepse përvoja ime e hershme e arsimit, ishte ajo e specializimit progresiv. Ende mbaj mend që duhej të zgjidhja midis arteve dhe shkencave, kur isha 15 vjeç dhe kjo dukej e diçka e çmendur. Isha i shqetësuar se pasja e një karriere akademike shkencore do të konsistonte në marrjen e një sasie të madhe njohurish, për diçka që askujt tjetër, nuk i interesonte. Ishte një lehtësim i madh, kur doli se nuk ishte e vërtetë. Ne përpiqemi të mbajmë në mend një pyetje dhe më pas, përdorim mjete të ndryshme për t’iu përgjigjur asaj pa u shqetësuar, për atë disiplinë të cilës i janë bashkangjitur.
Cila është pyetja që të gjithë, e keni parasysh?
Në tërësinë e saj, është pyetja sesi të arrihet në një shpjegim të kënaqshëm shkencor, të përvojës së ndërgjegjshme.
Me sa duket, problemi mendje-trup, nuk do të zgjidhet kurrë plotësisht?
Jo, por do të doja të përparonim në këtë pikë. Kemi atë përgjigjen e mërzitshme, se do të vazhdojmë të bëjmë shkencë rigoroze, në vend që të propozojmë një zgjidhje eureka për “problemin e vështirë” [pyetja pse dhe si, truri ynë krijon përvojë subjektive, të ndërgjegjshme]. Qasja ime është se ne rrezikojmë të mos e kuptojmë misterin qendror të jetës, duke iu drejtuar njërës ose tjetrës forme të të menduarit magjik. Ndërsa shkenca mund të jetë pak më e ngadaltë, ka shumë për të bërë në një kuptim të drejtpërdrejtë materialist, lidhur me atë sesi truri lidhet me përvojën e ndërgjegjshme.
Më intereson pjesa për kujtesën në librin tuaj, veçanërisht për ”Clive Wearing”. Ai është dikush që, si rezultat i një infeksioni shkatërrues të trurit, humbi të gjithë kujtesën e ndërgjegjshme dhe jeton në një të tashme të përhershme, sikur zgjohet në mënyrë të përsëritur nga koma. Megjithatë, studimet tregojnë se ai demonstron një dashuri të vazhdueshme për gruan e tij. Si shpjegohet kjo?
Unë nuk e kam takuar kurrë Clive-n ose gruan e tij, vetëm kam lexuar për rastin. Por, ai thekson faktin se disa nga ato gjëra që ne mendojmë se i kemi të nevojshme për vetveten, mesa duket nuk janë të tilla. Ekzistojnë shumë forma të ndryshme të kujtesës. Kujtimi i qartë i ndërgjegjshëm, kujtesa autobiografike, është vetëm një prej tyre. Te pacientët neurologjikë, shpesh shohim se si mendja është ndërtuar nga procese që në jetën normale nuk i shohim kurrë.
Libri juaj është plot me aforizma të mirë. Një pikë kyçe në argumentin tuaj lidhur me ndërgjegjen, është ideja se “Unë parashikoj veten, prandaj jam”. Kush është “unë”, në atë fjali?
Është një koleksion parashikimesh perceptuese. Është një lojë fjalësh. “Unë” është qëllimisht i paqartë atje. Ajo ka kuptimin: një përvojë që lind nga unë duke qenë një individ i vetëm i unifikuar, me të gjitha këto atribute të ndryshme si kujtime, lidhje emocionale, përvoja të trupit. Për këtë pjesë mishi dhe gjaku këtu, ata duket se janë të unifikuar – të paktën nëse “unë” nuk reflektoj shumë mbi të.
Kjo ndjesia e vetës së parë është shumë kokëfortë. Shumica prej nesh kanë një ndjesi shumë të fortë të vazhdimësisë midis përvojave tona të fëmijërisë dhe vetes sonë aktuale. A është ai unitet i perceptuar në thelb një lloj strategjie darviniane?
Ka shumë argumente në lidhje me funksionin evolucionar të vetëdijes. Por përgjigjet që merrni për këtë varen nga çfarë dallimi po përpiqeni të bëni. Nëse po përpiqeni të thoni pse është diçka e ndërgjegjshme, në vend që thjesht të zhvillohen mekanizma në modele në errësirë? Atëherë, thjesht, jeni përsëri kundër “problemit të vështirë”. Por, nëse e kornizoni atë në aspektin se, cili është përfitimi evolucionar i organizmit që ka këto përvoja specifike, atëherë shihni se përvoja e vetvetes është qartë e rëndësishme, sepse maksimizon mundësitë e organizmit për të mbijetuar.
Pse nuk është e mundur që inteligjenca artificiale, të paktën të imitojë atë organizim të perceptimit dhe për këtë arsye, të imitojë aspekte të tjera të vetëdijes?
Unë mendoj se ka shumë të ngjarë që AI ta imitojë. Në fakt, në libër unë flas për ritmin e frikshëm të aftësisë për të imituar, me kombinimin e gjërave “thellësisht të rreme” dhe përpunimin e gjuhës së natyrshme me anë të makinerive.
Por, nëse marrim përkufizimin e Daniel Dennett, për ndërgjegjen, si ”një trilion robotë pa mend, që kërcejnë”, ku qëndron ndryshimi?
Dan Dennett ka qenë një nga frymëzimet dhe mentorët e mi më të vjetër dhe mundësia gjatë viteve të fundit, për të debatuar me të, ka qenë një kënaqësi e madhe. Kam mbajtur një fjalim të ”Ted” më 2017 dhe nga 3,000 njerëzit që më ndiqnin – shumë themelues, investues dhe njerëz të famshëm – pata drojë, vetëm nga Dennett, i cili, e dija se ishte në auditor. Dhe me të drejtë. Në një moment të fjalimit, unë i përshkrova përvojat perceptuese si një lloj “filmi të brendshëm”. Më pas, ai tha: “Ah, ishte gjithçka e mrekullueshme, përveç filmit. Sepse: kush po e sheh?” Kjo, është një kritikë shumë e mirë. Nuk ka film, sepse nuk ka njeri që e shikon.
Por, ka një narrativë të integruar, sido që ta përshkruajmë – jeta jonë e brendshme, është e gjitha tregim?
Dennett është pak i dyshimtë në lidhje me atë që ai mendon, se është përvoja perceptuese ose fenomenale, nëse ekziston apo jo – nëse, pasi të keni shpjeguar të gjitha funksionet e sistemit dhe prirjet e tij për të vepruar në mënyra të veçanta, ka mbetur ende diçka për të shpjeguar. Unë jam dakord me këtë, sepse mendoj se mund të kemi një rrugë shumë të gjatë derisa të arrijmë te shpjegimi i funksioneve dhe prirjeve të gjërave për t’u sjellë në mënyra të veçanta. Por unë jam agnostik lidhur me atë nëse në fund të këtij programi të përpjekjes për të dhënë llogari në aspektin fizik, për vetitë e përvojës, do të ketë akoma një mbetje misteri, diçka që mbetet pa shpjeguar.
Një nga pyetjet e parashtruara në esenë e famshme të Thomas Nagel, “Si është të jesh një lakuriq nate?”, është nëse një qenie njerëzore përfaqëson llojin më të evoluar të ndërgjegjes. Sa i ndërgjegjshëm jeni, për lloje të ndryshme qeniesh?
Shpresoj shumë. Shumë nga ato që dimë për ndërgjegjen njerëzore, bazohen në eksperimente me kafshë. Një nga tregimet në libër ka të bëjë me kohën që kam kaluar duke studiuar oktapodët, që ishte fantastike. Ata vërtet demonstrojnë një mënyrë krejtësisht të ndryshme të të qenit. Një nga gjërat që është bërë gjithnjë e më e ngulitur për mua është ai tension midis përdorimit të njerëzve si pikë referimi, të cilën ne duhet ta bëjmë në një farë mënyre dhe pranimit të faktit se, njerëzit nuk janë standardi me të cilin duhet të vlerësohen të gjitha speciet e tjera me ndërgjegje. Është e rëndësishme të pranohet se, nëse speciet e tjera kanë përvojë, gjërat e para me të cilat ata do të pajisen nga evolucioni, janë aftësitë për të ndier dhimbje ose kënaqësi, ose vuajtje sesa të menduarit kompleks, inteligjent. Kur vendosim sesi t’i trajtojmë kafshët e tjera, duhet ta kemi parasysh këtë, në vend që të vlerësojmë sesa të zgjuar duken.