MENU
klinika

Nga Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim

Rruga përpara për marrëdhënien SHBA-Shqipëri

04.08.2021 - 10:16

Gushti në Shqipëri është kohë për pushim dhe relaksim të merituar dhe, ashtu si shumë prej jush, edhe unë do të shkëputem për një pushim nga puna.

Në të njëjtën kohë, gushti i këtij viti nuk është ai i zakonshmi i viteve të tjera. Ai vjen pas një sfide të pashoqe, teksa Shqipëria ka punuar për të ndjekur një shteg të qëndrueshëm nëpër pandeminë COVID dhe ka vazhduar rimëkëmbjen nga tërmeti i nëntorit 2019.

Shqipëria ka përfunduar zgjedhje që do të shënojnë rikthimin e opozitës në Parlament, një ngjarje me rëndësi kritike. Siç vërejti ODIHR në raportin e tij përfundimtar, zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura dhe Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi që të punojnë me shumicën dhe opozitën në Parlament për të trajtuar problemet e përsëritura në zgjedhje teksa ato angazhohen në punë serioze dhe ndërpartiake për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të plotësojnë standardet më të larta. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort reformat që do ta sjellin Shqipërinë plotësisht në familjen europiane. Pesë vjet pas miratimit të ligjeve, Reforma në Drejtësi po jep rezultate reale që do të ndihmojnë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

Roli i Shqipërisë në rajon dhe marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara janë më të forta se kurrë. Shqipëria lundroi me sukses gjatë mandatit të saj si Kryetare e OSBE-së në vitin 2020, pavarësisht pandemisë COVID-19. Marsin e kaluar, BE e ftoi Shqipërinë t’i bashkohej rrugës së bisedimeve për t’u bërë anëtare e BE-së. Më herët këtë vit, Shqipëria ishte mikpritësja kryesore e stërvitjes më të madhe ushtarake drejtuar nga SHBA në Ballkan që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Nga koha kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nënshkruan Memorandumin historik për Bashkëpunimin Ekonomik në tetor 2020, planet për të ndërtuar hidrocentralin e Skavicës dhe për të sjellë gaz natyror të lëngshëm nëpërmjet Vlorës po ecin përpara me shpejtësi. Kjo do të thotë më shumë energji për të furnizuar një ekonomi në rritje, më shumë vende pune për shqiptarë si dhe amerikanë, dhe më shumë investime amerikane në Shqipëri.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nuk duhet thjesht të kënaqen duke kthyer kokën pas. Duhet të shohim përpara me shpresë dhe vendosmëri për të bërë edhe më shumë përparim në demokraci, mbrojtje dhe biznes.

Tridhjetë vjet pasi populli shqiptar – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – hodhi tej vargonjtë e diktaturës komuniste, Shqipëria ka arritur në një çast të ri mundësie historike. Në këtë kuptim, gushti i këtij viti është jo vetëm kohë për pushim dhe relaksim, por edhe një kohë për reflektim dhe planifikim, për të mësuar nga e kaluara dhe për të rrokur mundësitë përpara.

Më 1 janar 2022, Shqipëria do të marrë rolin më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë në skenën botërore, duke u ulur përkrah Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kinës, Rusisë dhe Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërsa vazhdon të zbatojë reformat e nevojshme, Shqipëria i afrohet më shumë, ditë pas dite, Konferencës së Parë Ndërqeveritare që do të fillojë formalisht negociatat për anëtarësim në BE – një proces dhe synim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht. Duke ndërtuar mbi punën me stërvitjen “Defender Europe 21”, presim me kënaqësi të përforcojmë në mënyrë domethënëse bashkëpunimin tonë për mbrojtjen. Presim po ashtu të vijnë edhe më shumë investime amerikane në Shqipëri.

Shumë do të varet nga kërkesat e popullit shqiptar dhe zgjedhjeve që do të bëjnë udhëheqësit shqiptarë.

Presim me kënaqësi ta shohim Parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë, në mënyrë që shqiptarët nga i gjithë spektri politik të jenë të përfaqësuar. Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion, si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë.

Për një kohë tepër të gjatë, korrupsioni është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të blerë politikanë, për të fituar kontrata dhe për të ndërhyrë në proceset demokratike. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprimeve të tyre se lufta kundër korrupsionit është një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Duam një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë. Duam një partner, jo një problem.

Gjatë një viti e gjysmë të shkuar kam pasur mundësinë të udhëtoj gjithandej në këtë vend të bukur dhe të takoj sa më shumë njerëz që mundem. Bajram Curri, Shkodra, Kukësi, Kruja, Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani, Pogradeci, Berati, Gjirokastra, Himara, Saranda, Vlora – çdo qytet, qytezë e fshat – ka të veçantat e veta, por bashkohen në një pikë: iu ka ardhur në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa.

Është koha që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend. Është koha për të udhëhequr.

Teksa bëjmë një pushim këtë verë, kolegët e mi dhe unë në Ambasadën amerikane do të reflektojmë dhe planifikojmë për mënyrën më të mirë për të intensifikuar përpjekjet tona për demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë – ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë.