MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Sali Berishën nuk po e mbron asnjë prej shtyllave politike të Partisë Demokratike

01.08.2021 - 13:42

Ajo që po vihet re në gjithë këtë zhurmë që ka provokuar me urdhër makineria propagandistike e Sali Berishës, pas bombës së radhës së SHBA, është që të gjitha zërat që e mbrojnë atë, nuk kanë as valencë politike, e as nuk
janë faktor realë. Lulzim Basha, po hesht, edhe pse realisht ai është koloneli që doktori ka vendosur si figurë në selinë e marrë me VKM nga SHQUP, ku kryheshin kryesisht funerale veteranësh apo edhe dreka vakie.

Që nga Ylli Manjani, e Artan Hoxha, edhe sikur të shprehin realisht opinionin e tyre(pasi perceptimi është sikur ai është opinion por qokë), gjithsesi është normale e ligjike që një numër i konsideruar njerëzish të shprehin qëndrime apo mendime për situatën. Siç ndodh për ndeshje futbolli, Covid 19, vaksinën, e të tjera me radhë, ku ka shumë mendje të qeta e me fantazi që japin kolorit një bote që quhet një ansambël i lirë mendimesh e qëndrimesh.

Por në politikë vlejnë faktorët, aktorët, e ajo që është më e rëndësishmja, votat. Këto ditë shumë mbrojtës të doktorit karshi SHBA-së po thonë se nuk mundet që Amerika të penalizojnë një person që e ka votuar populli. Fakti është që Sali Berishën nuk e ka votuar populli më 25 prill. Shqiptarët kanë çuar në opozitë Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, ku prej kohësh Sali Berisha dhe ndjekësit e tij thonë se ai është larguar dhe nuk ka asnjë rol në vendimet e PD-së, ku kundërshtarët i thonin të kundërtën.

Ndërkaq, sinjali tjetër është numri i votave preferenciale që ka marrë Sali Berisha, si kandidat i PD-së i qarkut Tiranë. Në logjikën e fuqisë dhe magnetizmit të liderit historik të PD-së, numri i votave që ishte mjaft i vogël krahasuar me peshën e tij, ishte realisht sinjal politik që vinte nga elektorati i PD-së.

I cili, natyrisht është më i çliruar dhe më i kthjellët me ata që ose shkruajnë me porosi kundër SHBA-së, apo thjesht duan t’i lënë shenjë lobit të fortë të berishëve se kush po e mbron në këtë ditë të keqe. Pas 25 prillit, shumë përkrahës të Berishës, numrin e vogël të votave preferenciale e kanë justifikuar me shumëçka, por realisht mënyrë e mjet tjetër për të matur peshën reale të Sali berishës tek “Populli që voton PD-në” nuk se ka.

Vetë mediat pranë Berishës, asnjëherë nuk kanë organizuar një sondazh real të kësaj marrëveshjeje, përveç atyre që kanë dhënë perceptimin elektoral para zgjedhjeve që e rendisnin Sali Berishën më popullor se Basha, e kjo është fakt që dihet. E përveç këtij lakmusi që mat aciditetin e sotëm të Sali Berishës, është natyrisht edhe qëndrimi i atyre që përbëjnë shtyllën politike dhe librin real të historisë politike të Partisë Demokratike.

Sali Berishën nuk po e mbështet sot përveç Tritan Shehut, asnjë themelues i PD-së, asnjë pjesëtar i qeverisë apo i grupit shtyllë të deputetëve të mandatit të parë 1992-1997, asnjë ministër i qeverisë së mandatit të dytë 2005-2009, e përveç Petrit Vasilit, asnjë ministër i qeverisë së mandatit 2009-2013. Kryeministri i parë i PD-së, Aleksandër Meksi, që prej kohësh është tërhequr nga politika, edhe prej presionit të dhunshëm të Berishës, nuk është shprehur për këtë çështje, pra s’e ka mbrojtur.

Presidenti i Republikës, që Sali Berisha zgjodhi së bashku me Fatos Nanon; Alfred Moisiu, nuk e ka mbrojtur. Presidenti i Republikës që PD-ja zgjodhi në 2012, Bamir Topi nuk e ka mbrojtur këto ditë, as nuk e ka mbrojtur gjithashtu Kryeparlamentarja më e famshme në Shqipëri, Jozefina Topalli.

Besnik Mustafaj, një intelektual i dorës së parë në vend, shkrimtar i njohur, ishbashkëpunëtor i ngushtë i Sali Berishës dhe ministër i Jashtëm i tij, nuk e ka mbrojtur. Preç Zogaj, një nga themeluesit e PD-së që sot është aktiv në publiçistikë e është shprehur për rastin-ka mbajtur anën e SHBA-së. E valenca politike, nuk matet as me një grup fanatikësh, as me disa njerëz të kontraktuar me lobet e qarqet që krijohen si konjukturë. Sali Berisha, de fakto është vetëm, e këtë e sheh në mënyrë të qartë jo vetëm SHBA, por të gjithë faktorët rilevantë politikë…