MENU
klinika

Nga parashkollori në gjimnaz, detajet për vitin e ri 2021-2022

Shkollat hapen më 1 shtator, ja si do të zhvillohet mësimi

18.08.2021 - 16:07

Edhe këtë vit, situata pandemike do të diktojë mënyrën se si do të zhvillohet mësimi, e madje edhe datën se kur do të hapin dyert shkollat.

Për të mbushur boshllëqet e vitit që lanë pas, mësues e nxënës do të kthehen në shkolla jo në datën e paracaktuar, në 13 shtator, por në 1. Por nuk do të jenë dy javë, sa ç’është komunikuar për mësimin plotësues, por dhjetë  ditë, deri në nisjen zyrtare të vitit pasues për çdo fëmijë. Risi këtë vit është gjuha e huaj angleze që në klasë të parë, ndërsa mësimi sipas nismës “3 lëndë në 6 orë” do t’u përshtatet valëve të COV- ID-19. Të gjitha këto janë përmbledhur në udhëzimin  e përbashkët të dy minis- treve, asaj të Arsimit, Evis Kushi, dhe asaj të Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, për vitin e ri shkollor  2021-2022.

GJUHA E HUAJ

Duke vulosur idenë e Kryeministrit për të futur anglishten që në klasë të  parë, si nevojë e kohës, udhëzimi i firmosur dy ditë më  parë urdhëron shkollat të kujdesen për pajisjen e nxënësve me tekstet e reja shkollore, ndërkohë që duhet  të sigurohen për mbarëvajtjen e gjuhëve të huaja dytësore, si frëngjishtja, italishtja apo gjermanishtja që ofrohen me detyrim për klasat e treta. Kështu, paralelisht me përpjekjet për të përgatitur një brez që t’i përshtatet epokës dixhitale që flet gjuhën ndërkombëtare, anglishten, ka një grup klasash në qytetet kryesore të vendit që përjashtohen ose diskriminohen duke iu ofruar si parësore, gjuhë alternative.

“Të  sigurohet vijimësia e gjuhës së huaj të parë, të nisur në klasën e tretë të arsimit fillor dhe të gjuhës së huaj të dytë, të nisur në klasën e  gjashtë. Të zbatohen memorandumet dhe marrëveshjet  dypalëshe si vijon: për gjuhën italiane ….; për gjuhën frënge…; ZVAP-të Elbasan, Durrës, Korçë, Shkodër dhe Tiranë, në shkollat e të cilave  funksionojnë klasat mbështetëse për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane, shqiptaro-franceze dhe shqiptaro-gjermane, të sigurojnë hapjen e klasave në shkollat e përcaktuara në  memorandume, duke filluar në klasën e tretë të arsimit fillor dhe në klasën e gjashtë të arsimit të mesëm të ulët për fazën tranzitore”, citohet në udhëzimin që ngarkon shkollat brenda datës 30 shtator të raportojnë planifikimin për secilën gjuhë të huaj.

SKENARËT

Situata pandemike do të përcaktojë mënyrën se si do  të zhvillohet mësimi në arsimin parauniversitar. Tre skenarët e mësimdhënies, ai në klasë, i kombinuar apo tërësisht online do të vlejnë edhe për 2021-2022. “Bazuar në të dhënat dhe në protokollet që përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe në varësi të situatës pandemike të shkaktuar nga  COVID-19, institucionet arsimore mund të zbatojnë  skenarët e ndjekur gjatë vitit  shkollor 2020-2021. Skenarët janë fleksibël dhe zbatimi i tyre në shkolla varet nga situata lokale e pandemisë ose nga situata që mund të krijohen në shkolla të veçanta”. Kjo, sipas ministrisë, nënkupton që të tre skenarët mund të zbatohen në të njëjtën kohë në të gjithë vendin, por edhe kombinim të tyre apo të varianteve të ndryshme brenda një skenari nisur nga numri i nxënësve që ka në klasa. Nga vjet, shkollat kanë në  duar një udhëzues dhe praktikën e vjetshme se si duhet  të veprojnë.

Rekrutimi i mësuesve, pezull deri në shtator

Regjistrimet e nxënësve duhet të ishin mbyllur me kohë, me qëllim që shkollat të mund të përllogarisin numrin e mësuesve që nevojiten bazuar në ngarkesën e orëve mësimore. Ky proces i shtyrë në kohë, me një afat të dytë që përfundon në 30 gusht si dhe situata e ndryshuar e COVID-19 ka detyruar ministrinë të shtyjë në kohë procesin e lëvizjeve paralele që lidhet me zhvendosjen e mësuesve nga një shkollë në tjetrën. Veç kësaj, nuk ka përfunduar ende “Mësues për Shqipërinë”, portal që ndërmjetëson rekrutimet për vendet e lira që krijohen pas daljes në pensione, lejet e  lindjeve apo largimet. Sidoqoftë, zyrat arsimo- re kanë një database të tyre, por do të duhet të  presin deri në datën 10 për të përfunduar provimet e më pas renditja me mësuesit që meritojnë të punësohen.