MENU
klinika

Gazetarët dhe anëtarët e shoqërisë civile në konviktet e shkollave dhe në hotele

Shqipëria do të presë mbi 2 mijë afganë, mbërrin sot grupi i parë

17.08.2021 - 08:53

Strehimi i gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile afgane me familjet, në konviktet e shkollave dhe në hotele në Tiranë dhe Durrës.

Shqipëria do të pranojë mbi 2 mijë afganë, bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshme të strukturave amerikane në Afganistan. Siç njofton dhe “Zëri i Amerikës”, një grup i parë prej 250 afganësh pritet të mbërrijë në Shqipëri brenda kësaj jave. Burime diplomatike i shpjeguan Zërit të Amerikës se bëhet fjalë për përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan. Burimet thanë dje se grupi i parë i afganëve do të mbërrijë sot në Rinas.

Ata do të transferohen së bashku me familjet e tyre. Mësohet se ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka po koordinon operacionin e mbërritjes dhe sistemimit të tyre në Shqipëri, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë qëllim po punon për sigurimin e ambienteve ku ata do të qëndrojnë. Burime thanë se fillimisht familjet af- gane do të sistemohen në konviktet e shkollave të mesme dhe të larta dhe më pas, me mbarimin e sezonit turistik, ato do të transferohen në hotele për t’i dhënë mundësi dhe nisjes së vitit të ri shkollor dhe lirimit të konvikteve.

Burime diplomatike thanë se Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë ofruar për të strehuar me mijëra afganë bashkëpunëtorë të aleatëve në Afganistan, të cilëve u rrezikohet jeta nga talebanët. Kryeministri Edi Rama tha dy ditë më parë se Shqipëria nuk do t’u thotë “Jo” Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila kërkon strehimin e afganëve që kanë bashkëpunuar me Aleancën kundër talebanëve. Përmes një komenti në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se “është e vërtetë se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend transit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara”. Edi Rama shtonte se “pa diskutim që ne nuk do të themi ‘Jo’, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria!”.

Kreu i qeverisë zbuloi se kishte qenë ai që kishte propozuar në samitin e NATO- s, marrjen në mbrojtje të afganëve që kishin bashkëpunuar me aleatët në Afganistan, të cilët do ishin shënjestra e parë e talebanëve. Kryeministri ka një mesazh edhe për kritikët në rrjetet sociale, duke u shprehur se: “Shqipëria nuk është e salltanetit të atyre që hidhen për të në flakën e ndezur nga egërsia dhe padija e kinse patriotizmit, por është e amanetit shekullor të mikpritjes së të panjohurve në rrezik”.

KATEGORITË

Burime diplomatike thanë se i pari që do të evakuohet dhe me shumë gjasa mund të strehohet në Shqipëri do të jetë ekipi i sigurisë diplomatike dhe afganët që punojnë në konsullata. Një kategori e dytë afganësh gjithashtu që ka nevojë për ndihmë janë anëtarët e parlamentit dhe anëtarë të partive politike, por sipas një marrëveshje të arritur nga SHBA-ja, ata ka të ngjarë të strehohen në Kanada. Një tjetër kategori që mund të strehohet në vendin tonë janë gazetarë, nëpunës civilë, aktivistë dhe kategori të tjera të ngjashme që mund të kualifikohen si refugjatë. “Siguria e diplomatëve dhe personelit ushtarak amerikan duhet të jetë përparësia jonë e parë”, thanë një grup senatorësh amerikanë drejtuar Presidentit Biden.

“Por ne gjithashtu duhet të evakuojmë afganët e kualifikuar për azil, dhe të gjitha burimet publike dhe private tani duhet të mobilizohen për të shpëtuar ata që kanë të drejtë për azil”. Deri më tani, për azil kanë aplikuar 19,000 qytetarë afganë, një shifër që nuk përfshin anëtarët e familjes së tyre. Mediat amerikanë shkruajnë se çdo aplikant duhet të llogaritet me rreth katër persona shtesë. E thënë ndryshe, kjo do të thotë se afro 88,000 afganë mund të kenë nevojë të evakuohen nga vendi. Nuk është ende e qartë se sa prej tyre do strehohen në Shqipëri. Rreth gjysma e të gjithë aplikantëve jetojnë jashtë Kabulit dhe ambasada nuk do të bëjë asgjë për t’i ndihmuar ata të shkojnë në kryeqytet, tha zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.

Afganët, 6 vende të BE duan dëbimin e azilkërkuesve Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Katari pranojnë të marrin afganë

Franca ka pritur mbrëmë 800 afganë, ndërsa në SHBA mësohet se janë evakuuar 1200. Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se vendet ishin në mëdyshje për të marrë afganët për shkak të shqetësimeve në lidhje me cilësinë e verifikimit të sigurisë dhe kontrollit shëndetësor për COVID-19, para se të lejoheshin të fluturonin. Ven- det e tjera me të cilat po negocion SHBA-ja janë edhe Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë pranuar të marrin me qindra af- ganë me familjet e tyre. Shumica janë të shqetësuar se cilët janë këta njerëz.

A mund të siguroheni që këta njerëz do të marrin vizat për në Shtetet e Bashkuara? Çfarë ndodh nëse këta njerëz largohen nga vendet ku ata po qëndrojnë momentalisht?”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Një marrëveshje për strehimin e rreth 8,000 afganëve në Katar ka përfunduar përpara disa javësh, sipas një njoftimi të një zyrtari amerikan, por ende nuk është bërë publike. Zyrtarët paralajmërojnë se ritmi i çdo marrëveshjeje të mundshme mund të pengohet nga situata në Afganistan që po ndryshon me shpejtësi. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës koncesione ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve, por ka shqetësim në Uashington për aftësinë e saj për të strehuar afganët, thanë burimet.

James Miervaldis, kryetar i një organizatë që ndihmon aplikantët e SIV-it të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara, tha se mundësia që shumica e aplikantëve të evakuohen është e pakët. Kjo çështje po diskutohet ende nga ligjvënësit në Kongres, përfshirë aleatët e Biden. “Ne duhet të mbajmë premtimet tona për mijëra afganë që rrezikuan jetën e tyre për të na ndihmuar. Është koha që Biden të lërë mënjanë burokracinë dhe të ndihmojë afganët”, tha kongresistja Sara Jacobs.

Ndërkohë që gjashtë vende anëtare të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje Komisionit Europian të mos e ndalojë dëbimin e migrantëve afganë, pavarësisht marrjes së kontrollit nga ana e talebanëve të disa pjesëve të vendit, thanë zyrtarët të martën. Qeveritë e Gjermanisë, Danimarkës, Austrisë, Belgjikës, Greqisë dhe Holandës i shkruan një letër organit ekzekutiv të BE -së duke thënë se atyre duhet t’u lejohet të kthejnë mbrapsht migrantët afganë, nëse nuk miratohen kërkesat e tyre për azil. Në muajin korrik, Afganistani i bëri thirrje BE -së që të ndalojë dëbimet e detyruara të migrantëve afganë, për tre muaj, derisa forcat e sigurisë po luftonin kundër talebanëve. Afganët në vitin 2020 përbënin 10.6 për qind të azilkërkuesve në BE, ose pak më shumë se 44.000 nga rreth 416.000 kërkesat e përgjithshme për azil. Shifra është e dyta më e madhe pas sirianëve me 15.2 për qind, sipas statistikave të BE-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Nuk do t’i themi jo Amerikës për afganët”

Edi Rama zbulon kërkesën e administratës Biden për Shqipërinë

RMV po bashkëpunon me autoritetet amerikane

“Po përgatitemi për pranimin e afganëve”

Nga ujgurët, te muxhahedinët e afganët

Marrëveshjet ndër vite mes Shqipërisë dhe SHBA