“Shifrat janë qartësisht në rritje, kemi dhe rritje të shtrimeve në spital. Nuk duhet të shohim shumë rastet e reja, por rastet e rënda dhe shtrimet në spital, e sidomos nëse do të kemi mundësi të shohim sa prej tyre e kapërcejnë vaksinën dhe imunitetin njerëzor.
Vigjilenca është e rëndësishme të mbahet. Ne nuk e dimë se sa për qind e njerëzve e kanë kaluar koronavirusin apo janë vaksinuar. Duke mos ditur këtë, edhe llogaria me vaksinimin është pak e vështirë të bëhet”.
Kështu u shpreh epidemiologu Ilir Alimehmeti, teksa foli për situatën e pandemisë në vendin tonë.
Më tej, ai u shpreh se Shqipëria i ngjan shumë Turqisë për strategjinë që ka përdorur dhe për rrjedhojë duhet ta marrim si shembull, tha epidemiologu.
Sa i përket variantit Delta, Alimehmeti theksoi se ka filluar t’i ngjajë gripit sezonal.
“Delta është qartësisht më i transmetueshëm dhe kjo vihet re edhe te shifrat. Simptomat e para janë të lehta dhe të ngatërrueshëm me çdo virus tjetër.
Kjo e maskon këtë virus dhe si rrjedhojë arrin të kamuflohet dhe pacienti e shpërndan atë duke mos treguar kujdes. Ky variant ka filluar t’i ngjajë klinikisht gripit sezonal”, tha ai.