MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Shqipëria mund të bëjë gjëra të vogla, por me impakt të madh!

20.08.2021 - 21:51

Shqipëria nuk është një superfuqi rajonale, europiane jo e jo dhe aq më pak botërore, por kjo nuk na pengon që në planin ndërkombëtar të marim mbi supe sa herë të jetë mundësia atë barrë që mund ta mbajmë, duke dhënë përmes saj mesazhe të mëdha. Për ta bërë këtë nuk duhen gjithmonë shumë para, buxhete ekstra, apo shtërngesa të tilla ekonomike që mund ta fusnin vendin në krizë. Jo.

Më shumë sesa për para, njerëzit kanë shpeshherë më shumë nevojë, për tu dëgjuar. Për mirëkuptim. Solidaritet. Humanizëm. Ndjeshmëri. Për një akt që ndoshta nuk e zgjidh përfundimisht e tërësisht problemin e tyre, por jep një mesazh që ngroh zemra, duke dhënë shpresë për të ardhmen. Kështu duhet parë e lexuar, edhe vendimi i qeverisë shqiptare, për të pritur një grup emigrantësh politikë që po përpiqen ti shpëtojnë hakmarrjes së talebanëve pas rikthimit të tyre në pushtet.

Përtej ngërçeve, pikëpyetjeve, debateve, diskutimeve dhe hezitimeve që ka krijuar precepitimi i shpejtë i ngjarjeve në terren pas tërhqejes së trupave amerikane nga Afganistani, akti i Shqipërisë nisur edhe nga jehona në mediat prestigjioze ndërkombëtare është pritur me simpati. Kjo nuk është një ndërmarrje që e zgjidh gjithë problemin, por një shembull që dëshmon se kur ka “bon sens”, edhe për çështjen më të ndërlikuar gjenden zgjidhjet.

Jetojmë në një epokë, kur të gjithë jemi të ndërvarur nga të gjithë, pavarësisht se disa mund tia dalin edhe duke qëndruar brenda mureve e gardhit të shtëpisë së vet. Fakti që dinamika e zhvillimeve në Afganistan, dominon prej disa ditësh e javësh lajmet botërore, dëshmon se askush nuk mund të qëndrojë indiferent për diçka që i preokupon të gjithë. Ndaj duhet solidaritet dhe bashkëjetesë, në momentet më të vështira që mund të kalojë një shtet, popull, komb apo rajon.

Shqipëria vetë nuk do të kishte mbijetuar si shtet i ri pas shpalljes së pavarësisë, nëse nuk do të ishte përveç të tjerash, akti i madh i marjes nën mbrojtje nga Presidenti i SHBA Woodrow Wilson. Sikundër Kosova nuk do të ishte sot, shteti i dytë shqiptar në Ballkan, pa ndërhyrjen ushtarake të NATO kundër ushtrisë së Millosheviçit që ndali genocidin dhe solli bashkë me UÇK, çlirimin nga zgjedha serbe.

Historia e Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit, nuk dihet sesi do të kishte rrjedhur, pa mikpritjen që Italia, Greqia e shumë shtete të tjera të perëndimit, i bënë qindra mijë vëllezërve dhe motrave tona emigrantë. Apo pa ndihmën brenda vendit të misioneve humanitare e ushtarake si operacioni “Pelikan” në fillim të ’90 e deri tek misioni “Alba” në vitet 1997-1998. Për të ardhur tek solidariteti i shumë vendeve e organizmave ndërkombëtarë, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 në vendin tonë.

Megjithëse një popull i vogël e i varfër, shqiptarëve sa herë u është dhënë mundësia në histori, kanë dëshmuar humanizëm e solidaritet të pashoq për popujt e tjerë, duke iu gjendur pranë me aq sa kanë patur mundësi në ditën më të keqe të historisë së tyre.

Marrja në mbrojtje e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, është guri i diamantit të kurorës, në kokën e historisë sonë të shek. XX. Sikundër edhe më parë, por edhe më pas e deri më sot, akte të tilla nuk kanë munguar kurrë. Deri tek ai më i fundit, kur një grup mjekësh dhe infermierësh nga Shqipëria, shkuan në ndihmë të Italisë për luftën kundër pandemisë globale për shkak të virusit vrasës Covid-19.

Pjesëmarrja e trupave të ushtrisë shqiptare në misionet paqeruajtëse kudo në botë, në kuadër të NATO apo OKB, janë gjithashtu pjesë e këtij koleksioni aktesh dhe xhestesh të shqiptarëve në shërbim të së mirës globale. Duke dëshmuar me vepra konkrete, se jo vetëm e kemi kuptuar por po e zbatojmë gjithmonë e më mirë, mësimin e vyer të shenjtores shqiptare Nënë Tereza se: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashur të madhe”!

Mikpritja që i ofruam nga maji i 2013 refugjatëve muxhahedinë, ose opozitës politike me regjimin e Iranit, e deri tek ardhja e grupit të refugjatëve nga Afganistani që po i ikin hakmarrjes talbane, janë pjesë e kësaj filozofie. Shqiptarët po përmenden gjithmonë e më pozitivisht nga mediat botërore e kancelaritë perendimore edhe për këto xheste, duke dëshmuar sesa e drejtë është të bësh gjëra të vogla, që po na sjellin një impakt pozitiv shumë të madh.