Islanda ka arritur të shmangë valën e katërt të pandemisë koronavirus me anë te vaksinimit masiv të popullatës, por edhe mbajtjes së maskave nga qytetarët. Ky shtet ka që prej majit që nuk ka raportuar asnjë jetë të humbur.
Shefi i epidemiologjisë në vend, Thorolfur Gudnason, konfirmon për CNN se vendi ka regjistruar zero viktima që nga muaji maji. “Mendoj se vaksinimi në masë ka parandaluar rastet me pasoja serioze”, thotë ai.
Doktor Pall Matthiasson drejton spitalin më të madh të Islandës. Ai thotë se skenarët e tmerrshëm gjatë kësaj vale të katërt janë shmangur nga sjelljet e bashkëqytetarëve. “Po të mos kishim vaksinim në popullatën tonë, mendoj se do të ishte katastrofike”.
Zyrtarët thonë se nuk ka pasur asnjë vdekje nga Covid-19 që prej majit. 30 persona humbën jetën para atij muaji, thuajse të gjithë përpara se vaksinat të ishin në dispozicion. Por sa është niveli i vaksinimit në këtë shtet? “Nëse marrim për bazë grupmoshën 16 vjeç e sipër, është mbi 90%”, thotë mjeku Mar Kristjansson.
Në qendrën e përkujdesjes intensive në Islandë ka gjithmonë e më pak pacientë të shtruar, pavarësisht rritjes së rasteve të reja. Vitin e kaluar përpara mbërritjes së vaksinave antiCovid në Islandë, kishte mesatarisht nga 65 deri në 75 pacientë në këtë spital. Por tani ka vetëm 18.