Publikohet historia e panjohur e djaloshit tiranas, Skerdi Llagami, pinjoll i një prej familjeve më të njohura të qytetit të Tiranës, i cili pasi shërbeu për disa vjet si efektiv i trupave të forcave speciale të repartit ‘BRISKU’ pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, në marsin e vitit 1999, ai shkoi në Kosovë, duke u bashkuar me radhët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ku e emërua si komandant batalioni me pseudonimin “Komandant Shpendi” dhe në atë detyrë ai morri pjesë në shumë beteja e luftime, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit dhe Luginën e Preshevës, deri në mbarimin e Luftës, kur në Kosovë hynë trupat e NATO-s. Dëshmia e rrallë e babait të Skerdit, Bardhyl Llagamit, ish-kryeinxhinier i Kombinatit të Tekstileve “Stalin” në Tiranë, i cili rrëfen të gjithë historinë e djalit të tij të vetëm, që pas Luftës së Kosovës nuk u kthye në Shqipëri ashtu siç dhe i kishte premtuar familjes, por shkoi në Maqedoni, duke u atashuar pranë Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Shqiptarëve të Maqedonisë (me komandant politik, Ali Ahmetin), që ndodhej në malet e Sharit, ku u emërua komandant i një njësie speciale që ishte dirket nën varësinë e Ali Ahmetit dhe në krye të saj ai morri pjesë në shumë beteja e luftime, deri më 29 qershor të vitit 2001, kur u vra duke luftuar heroikisht në fshatin Begovi afër Tetovës, gjatë një betejë me forcat e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë. Si e mësoi familja Llagami vetëm pas një viti vrasjen e djalit të tyre të vetëm 33 vjeçar dhe pritja me nderime të mëdha që i bënë Bardhyl Llagamit, kolegët dhe eprorët e “Komandant Shpendit”, ish-komandantët e UÇK-së në Kosovë e Maqedoni, si: Dilaver Goxhaj, Aqif Shehu, Fazlli Veliu, Ali Ahmeti, Gëzim Ostreni, etj.
Nga: Dashnor Kaloçi
Bardhyl Llagamit, 80-vjeçarit tiranas që dikur pat punuar si kryeinxhinier i Kombinatit të Tekstileve “Stalin” në Tiranë e Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Ekonomisë, edhe sot e kësaj dite akoma nuk i besohet dhe i duket si një ëndërr e keqe, që djali i tij i vetëm, Skerdi, nuk jeton më! Ai lajm ogurzi që i erdhi familjes Llagami në korrikun e vitit 2001, Bardhylit vazhdon t’i duket ende si një gjë mistike dhe krejt e pabesueshme! Ai akoma jeton me ato fjalë që Skerdi i’a pat thënë atë mëngjes shkurti të vitit 2001, kur e mori në telefon nga Lugina e Preshevës dhe i lutej që të mos mërzitej, pasi ai do të kthehej përsëri në Tiranë, “porsa të përfundonte disa punë të vogla”. Misticizmi në ngjarjen e vrasjes së djalit të tij, Bardhylit i duket, apo më saktë ai ka dëshirë ta lidhë me një ngjarje të largët të ndodhur para 300 e sa vitesh.
Asokohe një djalë i ri i quajtur Moç Llagami, pasi vrau post-komandantin serb në Grykën e Rugovës, iku nga vendlindja e tij dhe erdhi e u vendos në Tiranë, ku më pas ai themeloi fisin Llagami. Kështu që, sipas Bardhylit, fisi Llagami sikur i kishte një “borxh” për t’ia larë Kosovës dhe fati i takoi që ai të ishte djali i tij i vetëm, 33-vjeçari Skerdilajd Llagami, apo Komandant “Shpendi” siç e njohën të gjithë luftëtarët e UÇK-së, ata të Luginës së Preshevës dhe më pas Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Shqiptarëve të Maqedonisë, ku djaloshi i fuqishëm tiranas, komandoi një njësi speciale.
Kush ishte Skerdi Llagami?
Skerdi u lind në 31 tetor të vitit 1969 në qytetin e Tiranës dhe ishte fëmija i parë i Bardhyl Llagamit, i cili rrjedh nga një familje qytetare tiranase, të paktën që prej 300 e sa vjetësh. Fisi Llagami është tepër i njohur dhe nga ajo derë kanë dalë shumë intelektualë që kanë bërë emër në fusha të ndryshme të jetës, ku shumica e tyre ishin diplomuar për Drejtësi dhe Gjuhësi. Që kur ishte në bankat e shkollës së mesme “Myslym Keta”, në Tiranë, Skerdi shquhej për fizikun e tij të fortë dhe kishte një trup shumë të bukur si të sportistëve të Badi Building. I nxitur edhe nga babai i tij, vite më parë ai kishte filluar të merrej me ushtrime të ndryshme sportive dhe premtonte rezultate të larta në garat e vrapimit të atletikës. Por ai nuk mundi që ta vazhdonte më tej atë sport, sepse u detyrua dhe filloi punë në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, ku punonte dhe babai i tij, Bardhyli, i cili më pas u bë kryeinxhinieri i atij Kombinati. Në fillimin e viteve ’90, ashtu si pjesa më e madhe e rinisë tiranase, edhe Skerd Llagami u përfshi në proceset demokratike, duke përkrahur Lëvizjen e Dhjetorit, madje të gjitha ato ditë që vazhduan mitingjet në ‘Qytetin Studenti’, ai ishte prezent atje. Lidhur me këtë, i ati i tij Bardhyli dëshmon: “Pasi u përfshi në të gjitha lëvizjet e proceseve demokratike të cilat çuan në shembjen e regjimit komunist, në vitet që vazhduan, Skerdi u bë një nga veprimtarët më të njohur të Partisë Demokratike. Krahas gjithë këtyre angazhimeve, Skerdi nuk e la pas asnjëherë pasionin e tij, e të ushtruarit me sport dhe fiziku i tij u bë shkak, që në vitin 1977, atë e morën si efektiv të Forcave Speciale, (BRISKU) të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Që nga ajo kohë kur ai filloi punë pranë atij reparti special, ne të familjes na merrte malli që ta shikonim, pasi ai merrte pjesë në të gjitha operacionet speciale që zhvilloheshin për kapjen e personave në kërkim, jo vetëm në Tiranë por edhe në shumë rrethe të tjera të vendit. Ai e dinte se si unë, ashtu dhe e ëma e tij, (bashkëshortja ime, Lumturia) dhe motra më e vogël, bëheshim merak për të dhe nuk na tregonte kurrë për operacionet speciale ku kishte marrë pjesë. Të gjitha ato gjëra unë i merrja vesh vetëm nga shokët e tij, të cilët sapo më takonin më thoshin që t’i flisja Skerdit, pasi ai nuk e njihte rrezikun dhe futej i pari në mes plumbave. Ajo punë që kishte Skerdi, e bëri atë të papranishëm në shtëpi dhe ne na merrte malli për ta parë. Kjo gjë vazhdoi deri në marsin e vitit 1999, kur ai iku përgjithmonë nga shtëpia dhe nuk u kthye më”, kujton me sytë e përlotur, Bardhyl Llagami, të kaluarën e djalit të tij, Skerdit, djaloshit simpatik e me një fizik po aq të bukur si ata të aktorëve që luajnë rolet e gladiatorëve të arenave në filmat hollivudianë.
Ikja e Skerdit në radhët UÇK-së
“Askujt nga ne nuk i tregoi kur iku për të luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Kështu shprehet Bardhyl Llagami për djalin e tij të vetëm, Skerdin, i cili në marsin e vitit 1999, braktisi repartin special të ‘BRISKU’-t dhe iku në Kosovë. Lidhur me këtë dhe karrierën e tij më mëvonshme në radhët e UÇK-së, Bardhyl Llagami shprehet: “Ai e dinte se ne nuk do ta linim që të ikte nga shtëpia, pasi e kishim djalë të vetëm dhe prandaj nuk na tregoi që kishte vendosur të ikte dhe të luftonte në Kosovë. Skerdi ishte një tip shumë i dhembshur dhe tepër sensibël. Ai prekej menjëherë nga vuajtjet dhe mjerimi i të tjerëve të cilat nuk i duronte dot. Them se kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që ai iku nga shtëpia, pikërisht në atë kohë kur ushtria e Millosheviçit nisi shpërnguljen masive të kosovarëve nga vatrat e tyre dhe të gjitha ekranet e televizioneve u mbushën me tablo rrënqethëse të masakrave serbe ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës. Kur u largua Skerdi nga shtëpia, ne si familje u bëmë shumë merak dhe u alarmuam të gjithë si fis. Për shumë kohë ne nuk lamë njeri pa pyetur, por askush nuk na dha asnjë lajm se ku ndodhej ai. Kaluan muaj dhe ne përsëri nuk kishim asnjë lajm për fatin e tij. Por na mbante shpresa se ai do të ishte gjallë, pasi po t’i kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe, do të merrej vesh menjëherë. Por ne ngushëlloheshim duke menduar se ai do të kishte ikur jashtë Shqipërisë për të punuar, ashtu si shumë të rinj bashkëmoshatarë të tij. Kështu kaluan disa muaj deri në 13 nëntorin e vitit 1999, kur nga një gazetë të përditshme, ne mësuam të vërtetën e vend ndodhjes së tij. Në atë gazetë ishte botuar një intervistë me një djalë të ri nga Shqipëria, i quajtur Dritan Dyrmishi, i cili në atë kohë luftonte si komandant batalioni në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një nga pyetjet që i bëhej nga gazetari intervistues, se kush ishin shqiptarët e tjerë që luftonin bashkë me të në Kosovë, ai i përgjigjej: “Skerdilajd Llagami, komandanti i batalionit që gjendet atje ku vdekja është më e sigurtë”. Pas kësaj interviste që na gëzoi pa masë të gjithëve, ne përsëri vazhduam kërkimet dhe tentuam disa herë që të lidheshim në telefon me eprorët e lartë ushtarakë të UÇK-së, por përsëri nuk mësuam asgjë për fatin e djalit tonë”, dëshmon Bardhyl Llagami, lidhur me lajmin më të gëzuar të jetës së tij, atë që i biri, Skerdi ishte gjallë dhe luftonte në radhët e UÇK-së.
Nga UÇK-ja në Luginën e Preshevës
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kishin shkuar për të luftuar edhe shumë të rinj të tjerë nga Shqipëria, Skerdi Llagami u bë shumë shpejt tepër i njohur. Për guximin, trimërinë dhe shpirtin e tij luftarak që ai kishte treguar në të gjitha betejat ku kishte marrë pjesë në zonën e Rrafshit të Dukagjinit, ai ishte caktuar si komandant batalioni, në një nga njësitë ushtarake që vepronin në atë krahinë. Lidhur me këtë, i ati, Bardhyli, dëshmon: “Ndonëse ne e mësuam lajmin për vend ndodhjen e Skerdit, përsëri rrinim në ankth e me gjak të ngrirë pasi nuk po arrinim që të komunikonim dot me të me telefon. Kjo gjë vazhdoi për muaj me radhë dhe ajo që na e shtoi akoma dhe më shumë ankthin, ishte fakti që edhe pse Lufta në Kosovë kishte mbaruar, ai nuk po kthehej në shtëpi. Ky ankth i yni u shua aty nga shkurti i vitit 2001, kur një telefonatë e bërë nga Kosova, gati sa nuk na çmendi nga gëzimi. Ishte djali ynë Skerdi, ai që na fliste nga Lugina e Preshevës, ku ai kishte shkuar pas mbarimit të Luftës në Kosovë. Ndërmjet atyre pak fjalëve që ai na tha atë ditë, u shpreh: ‘Mos u mërzisni, se unë do të kthehem një ditë aty në Tiranë. Por sapo të mbaroj disa punë të vogla, sepse këtu problemet akoma nuk kanë mbaruar’. Këto ishin dhe fjalët e fundit që dëgjuam ne në telefon nga goja e Skerdit, sepse ai mbeti atje dhe nuk u kthye më kurrë, ashtu siç na dha fjalën…”, dëshmon Bardhyl Llagami, duke fshirë lotët që i rrjedhin herë pas here mbi faqe.
Vrasja e ‘Komandant Shpendit’ në Tetovë!
Por edhe pas mbarimit të Luftës në Luginën e Preshevës, 33-vjeçari Skerdi Llagami nga Tirana, i njohur me pseudonimin “Komandant Shpendi”, i cili kishte bërë emër të madh në radhët e UÇK-së, nuk kishte vendosur të kthehej pranë familjes në shtëpinë e tij në kryeqytetin shqiptar. Po si rrodhi më pas jeta e djaloshit simpatik tiranas, që i kishte vënë vetes detyrë të gjendej e të luftonte në të gjitha konfliktet ushtarake ku rrezikoheshin fatet e bashkëkombësve të tij? Lidhur me këtë, i ati, Bardhyli dëshmon: “Por edhe pas mbarimit të Luftës në atë zonë problematike ku Skerdi kishte luftuar përsëri si komandant batalioni, ai nuk u kthye në Tiranë. Menjëherë ai ishte larguar që andej dhe ishte vendosur në malet e Sharrit mbi Tetovë, ku sapo ishte krijuar Ushtria Çlirimtare Kombëtare e Shqiptarëve të Maqedonisë, e cila komandohej nga udhëheqësi politik, Ali Ahmeti. Nisur nga e kaluara e tij në radhët e UÇK-së në Kosovë dhe Preshevë, Skerdin e caktuan me detyrën e komandantit të një njësie special, e cila ishte direkt nën vartësinë e Ali Ahmetit. Në radhët e asaj njësie ai mori pjesë në disa luftime deri më 29 qershor të vitit 2001, kur u vra duke luftuar heroikisht në fshatin Begovi afër Tetovës, gjatë një betejë me forcat e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë. Pas vrasjes së Skerdit, njësia speciale që komandohej prej tij, u pagëzua me emrin “Shpendi”, duke marrë pseudonimin që i kishin vënë atij që nga koha kur luftonte në radhët e UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit. Por lajmin për vrasjen e tij ne e mësuam shumë vonë, vetëm në korrikun e vitit 2002, kur erdhi dhe na e tregoi, nëna e Dritan Goxhit, bashkëluftëtarit të Skerdit, që në radhët e UÇK-së së Kosovës”, kujton Bardhyl Llagami, lidhur me vrasjen e djalit të tij të vetëm, Skerdit, i cili u përcoll për në banesën e fundit me nderime të mëdha nga të gjithë shokët e tij të Luftës. Pas marrjes së atij lajmi, Bardhyli u nis për në Kosovë, ku ai u prit me nderime të mëdha nga Dilaver Goxhaj, (ish-komandant brigade në UÇK-ës) bashkëluftëtarët e djalit të tij dhe Kryetari i Bashkisë së Gjakovës, Aqif Shehu, i cili pasi e shëtiti atë në të gjitha vendet ku kishte luftuar i biri, e quajti Skerdin: “Heroi i Gjakovës”. Më pas Aqif Shehu, me ish-pjestarët e UÇK-së ku kishte luftuar Skerdi, e dorëzuan Bardhylin në kufirin me Maqedoninë, ku atë e pritën përfaqësuesit e Ali Ahmetit, të cilët e çuan atë në selinë e Shtabit të tyre në Malin e Sharrit. Aty, përveç Ali Ahmetit, Bardhyli u prit me nderime të mëdha edhe nga Fazlli Veliu, Gëzim Ostreni dhe nga i gjithë Shtabi i UÇK-së, të cilët e çuan atë tek vendi ku ishte vrarë i biri i tij. Aty rrëzë Malit të Sharrit, në afërsi të një xhamie ku ishte fillimisht varri i Skerdilajd Llagamit, Ali Ahmeti me bashkë luftëtarët e tij bënë homazhe dhe vendosën kurora në shenjë nderimi për ish-shokun dhe kolegun e tyre nga Tirana, që dha jetën duke luftuar bashkë me ta, në emër të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Trupi i “Komandant Shpendit” në ‘Varrezat e Dëshmorëve’ në Tiranë
Në vitin 2013, me nismën e Shoqatës “Tirana” dhe të kryetarit të saj, Arben Tafaj, u bë e mundur sjellja ne atdhe e trupit të ‘Dëshmorit të Atdheut’, Skerdilajd Llagami, (i njohur ndryshe si: “Komandant Shpendi”), ish – luftëtar i UÇK-së në Kosovë dhe Maqedoni. Ne ceremonitë përkatëse, morën pjesë personalitete nga të dyja vendet, familjarë, të afërm, etj. Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, Prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi, etj. Ceremonia mortore u zhvillua në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, ku u bënë homazhet e fundit. Në fund të ceremonisë mortore, Bardhyl Llagami, babai i Skerdit, pasi falenderoi të gjithë të pranishmit si dhe ata që bënë të mundur sjelljen e eshtrave të “Komandant Shpendit” në atdhe, përcolli mesazhin që “Mbi gjithçka duhet të vëmë Shqipërinë. Nën shoqërimin e truprojave të nderit dhe të marsheve funebre, trupi i tij u varros në ‘Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut’ në Tiranë. /Memorie.al
Poezia e Bardhyl Llagamit, kushtuar të birit,
Skerdit O bir!
Ç’e gjeti, ç’e gjeti shtëpinë përdhese
Mbahej e zeza me ca fije shprese
E mbështolli nata
Nata dhe mandata
U ku ku’!
Si e more vesh, se të desha unë
Erdhi hija jote, vetë kishe punë
Hije nazelie
Bërthama kajsie
Syt’e tu.
Ti na pe ngadalë, ngadal’ e ngadalë
Heshtja jote ishte muhabet i gjallë
Na shkrive të dyve
O drita e syve
Me lot!
Varur në mur, shqiponja dhe ti
Dje ishe djalë, sot fotografi
Ditën të vështrojmë
Natën të lotojmë
O bir!
Përmbi varrin tënd bora që ka rënë
Kalë do të bëhet, fjalën na ke dhënë
Merri të dy botët
Me vehte dhe lotët
Zinxhir.
Djalë në Tiranë, burrë në
Gjakovë
Trimi në Preshevë bie në Tetovë
Ngrihu bir nga varri
Shko tek lapidari
Nëna Shqipëri.
Do të vinë djemtë, vajzat
lulekuqe
Pleqtë flokë borë edhe dy
burbuqe
Se të deshën shumë
O deti me shkumë
Rri i qetë, fli!
Kishe emër mbreti, ca fije argjendi
Kalove ylberin, more emrin “Shpendi”
Lulet janë strukur
Skerdilaid i bukur
Dhimbsurisht.
O ti qiell i pa anë, o ti qiell!
Dhe ti hënëzë e prerë, dhe ti diell!
Si s’na thatë asnjë fjalë
Kur na ra ai djalë
Trimërisht.
Varri atje lart, pranë një xhamie
Malet rreth e rrotull, tokë
Shqipërie!
Arratisen lotët
Dhe betohen shokët
Për LIRI!
Ti njeri, a ç’je ti, që qëllove
Komandantin dhe shqiponjën dykrenore
Mos kujto se i ke fikur
Trimat bien për tu ngritur
Përsëri!