Është rikthyer sërish vala e të nxehtit në vendin tonë. Sinoptikania Lajda Porja tha se i nxehti do të vijojë deri të mërkurën, ku pritet të ketë edhe rrebeshe shiu, kryesisht në zonat malore.
Sipas sinoptikanes, problemi kryesor përgjatë kësaj jave do të jetë era, e cila do të përforcohet duke filluar nga pasditja e sotme.
“Shqipëria është krejtësisht në periferi të valës së të nxehtit, megjithatë është e ndjeshme. Ka pasur që ditën e djeshme një rritje temperaturash, deri në 38 gradë. Parashikohet që sot, nesër e deri të mërkurën, moti të jetë i nxehtë, duke bërë që të kemi temperatura të larta në gjithë zonat e ulëta. Temperatura të larta priten në Elbasan, Berat e zona të caktuara, si Ura Vajgurore, Gjirokastër, ku do të kemi sërish deri në 40 gradë ose edhe më lart.
Pritet që temperaturat e larta të na shoqërojnë në 15 ditëshin e parë të gushtit, ku vlerat do të jenë nga 36 deri në 39 gradë, ndërsa mbi 40 do të jenë vetëm në zona të caktuara. Dita e mërkurë pritet të sjellë rrebeshe shiu, që do të freskojë pak motin. Ditën e enjte do të kemi shi edhe në zonat jugore. Problematike këtë javë do të jetë edhe era. Që nga dita e sotme, në pjesën e dytë të ditës, e deri të premten, do të kemi forcimi të erës”, tha sinoptikania Porja.