MENU
klinika

Peleshi i kujton ligjin për emergjencat civile Dritan Lelit

Situata nga zjarret/ “Tani të vijë këtu të ruajnë ditë e natë me mjetet e forcat e veta”

11.08.2021 - 15:43

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi duke raportuar mbi gjendjen e shkaktuar nga zjarret në vend tha se pas 2 javësh në betejë me flakët në të gjithë territorin e Shqipërisë, situata sot paraqitet më e qetë.

Pas shuarjes së të gjitha vatrave të zjarrit në gadishullin e Karaburunit, Peleshi i ka bërë thirrje Bashkisë së Vlorës, drejtuar nga Dritan Leli, që të ruajë tani territorin dhe nëse ndizet një tjetër vatër zjarri, detyra për elemininim e saj është e pushtetit vendor, theksoi ministri i cili kujtoi edhe përgjegjësinë ligjore.

“Meqë jemi te pushteti vendor, unë dua të them tani që këtë zonë sic e shikoni të pastër ia kthejmë mbrapsht në administrim e përgjegjësi sic e ka me ligj pushteti vendor, në rastin konkret e ftoj bashkinë e Vlorës të ngrihet në lartësinë e detyrës e të përgjegjësisë ligjore të marrë përsipër administrimin, kontrollin, vigjilencën le të rrinë këtu ditë e natë sepse Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë detyra të tjera”.

Ministri Peleshi hodhi thumba ndaj drejtuesve të Bashkisë së Vlorës kur tha se duhet të veprojnë sic e parashikon ligji në rastet e emergjencave civile dhe të mos thërriten për ndihmë helikopterët e Ministrisë kur flaka ka dalë në majë.

“Ndonjëherë duke qenë se na shikojnë cdo ditë në tv e cdo sekondë në frontin e parë të punës krijohet perceptimi se kjo është një detyrë parësore e jona, në fakt dua të sqaroj që ne jemi në mbëshetetje pasi pushteti vendor ka shteruar burimet e veta.

Ligji ngarkon me përgjegjësi administrimi dhe menaxhimi të emergjencave civile bashkitë e vendit tonë që detyrohen të kenë 4% të buxhetit të alokuar për emergjencat civile.

Pasi të përdorin mjetet e tyre zjarrfikëse dhe këtë buxhet atëherë thërrasin për ndihmë.

Kur del flaka në majën e malit apo mes parkut ne nuk fshihemi pas këtyre burokracive por do ishte mirë që në kohën e duhur seciili të bëjë detyrën e vet në mënyrë që flaka mos shkojë deri në majë e pastaj i biem shkurt e marrim në telefon helikopterët, e të themi pastaj ku janë helikopterët e ministrisë së Mbrojtjes.

Ne nuk kemi pafund helikopterë, kemi dhe ne problemet tona, na shërben edhe ne jo situatë për të reflektuar e për të qenë më të përgatitur vitin tjetër, nuk jemi perfekt, por duhet ta dini që ne jemi e duhet të jemi hallka e fundit e ndërhyrjes.

Do u lutesha të gjithë hallkave të tjera të bëjnë detyrën e tyre.

Nga ky moment bashkia e Vlorës të ngrihet në lartësinë e detyrës, të vijë këtu të ruajnë ditë e natë me mjetet e forcat e veta.

Edhe nëse ndodh një vatër ta fikin vetë të përdorin gjithë burimet e tyre e në rast se i shterojnë ato ne jemi gati”, tha Peleshi.

Njoftimi i plotë i MM

Në këto operacione janë angazhuar rreth 3 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, rreth 150 mjete të FA, rreth 300 forca policore, rreth 1800 forca zjarrfikëse, mbi 370 mjete të MZSH, 20 ambulanca, mbi 1 mijë punonjës bashkiakë, mbi 300 punonjës të shërbimit pyjor, 101 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 822 forca vullnetare.

Ndërhyrja nga ajri u krye përmes ekuipazheve të 7 helikopterëve të Shqipërisë, Holandës dhe Çekisë. Një ndihmë e madhe në punën për shuarjen e zjarreve ishte edhe mbështetja me pajisje nga SHBA.

Aktualisht nuk ka më vatra zjarri në gadishullin e Karaburunit, por puna po vijon në Dukat të Ri, nga toka dhe nga ajri për të normalizuar tërësisht situatën për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Më e qetë paraqitet situata edhe në Mirditë, ku po vijon puna për stabilizimin e flakëve në fshatin Thirrë. Nën kontroll po mbahen vatrat në fshatin Munellë dhe Domgjon.

Po vijon puna nga toka dhe nga ajri për të izoluar vatrat e zjarrit në “Majën e Rrunës”, njësia administrative Malzi. Situata nuk paraqet më rrezik për tunelin e Kalimashit.

Nën monitorim janë disa vatra zjarri në vendin e quajtur Dragodi, në Luginën e Valbonës në Tropojë, ku dyshohet zjarrvënie e qëllimshme.

Janë izoluar vatrat në drejtim të fshatit Patalej në Lezhë.

Vijon puna për normalizimin e vatrës së riaktivizuar në zonën e Mbrojtur te Guri i Nikës në Pogradec, ku nuk paraqitet rrezik për banesa.

Janë drejt shuarjes përfundimtare vatrat e zjarrit në Malin e Tomorrit dhe në fshatin Therepel në Skrapar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Në Llogara ishim gati të shpallnim triumfin kur…"

Peleshi: Flakët janë larguar shumë nga tuneli i Kalimashit

"Dëmet nga flakët janë të pallogaritshme"

Si u shmang katastrofa e zjarrit në autostradën Shqipëri-Kosovë?