Gjatë viteve të qëndrimit tim si ambasador në Romë, kolegu im francez, Fransua Kuantin, më lajmëroi se kishte parë në oborrin e jashtëm të “Musei Capitolini” një reliev me origjinë nga Shqipëria. Me të vërtetë, në Piazza Cafarelli, nga janë zyrat e Muzeut, pashë në mes të një shatërvani një nga veprat më të njohura artistike të Shqipërisë së lashtë. E njohur si stela e Selenicës, nga vendi ku ka qenë gjetur, ajo ka qenë botuar nga arkeologu italian Luigi Ugolini, në librin e tij “Albania Antica”, 1928, përkthyer në shqip nga “Shtëpia Botuese Migjeni” me titullin “Shqipëria e Lashtë”.
Ugolini e përshkruante stelen si një reliev 0.93x 0.50 m, që paraqet një luftëtar me armatim të lehtë, të përbërë vetëm nga një shpatë e shkurtër, e ngjeshur në brez, një heshtë e hollë, një përkrenare atikase dhe një mburojë e rrumbullakët. Luftëtari paraqitet në një akt solemn, duke derdhur përmbajtjen e një patere mbi flakën e një altari. Mbishkrimi greqisht sqaron vetëm se monumenti ku bënte pjesë pllaka, u ngrit në kohën e prytanit Lysenos, biri i Sostrionos dhe të toksarkut Patronos, biri i Eukleidasit. Vlera e kësaj stele qëndron në punimin e thellë të relievit, ku figura e luftëtarit është shkëputur në tre të katërtat, pothuaj si një skulpturë e rrumbullakët.
Lëvizja elegante, përqendrimi psikologjik në aktin religjioz dhe hollësitë e detajeve dëshmojnë dorën e një mjeshtri të madh të shek. III p. Kr. Po kaq e rëndësishme është edhe vlera historike e kësaj vepre arti. Emrat e personave dhe funksionet e tyre, prytani, si kryetar i pushtetit ekzekutiv dhe toksarku si komandant i harkëtarëve, na referojnë menjëherë te qyteti antik i Apolonisë. Po përse duhej që apoloniatët të ngrinin një monument në Selenicë, aq larg për kohën nga qyteti i tyre?
Për këtë, duhet t’u referohemi të dhënave historike.
Shkrimtari grek Pausania dëshmon se apoloniatët kishin ngritur në faltoren pangreke të Olympias një monument, kushtuar fitores së tyre kundër fisit ilir të Amantëve. Ai kishte kopjuar mbishkrimin NERITAN CEKA pasues: “Këtu gjendemi si dhuratë e Apolonisë, së ndërtuar pranë Jonit nga Foibi flokëgjatë. Fituesit kundër Amantëve Zeusit ia kushtojnë me një të dhjetën e plaçkës të marrë në Thronion”. Foibi flokëgjatë ishte Apoloni, si perëndi i dritës së diellit, emrin e të cilit mbante qyteti.
Qyteti Thronion i Amantëve nuk është identifikuar, por mendohet të ketë qenë Kanina.
Mendohet, gjithashtu, se shkaku i luftës ka qenë zotërimi i minierës së serës në Selenicë, që ishte njëkohësisht edhe një vend i shenjtë, i njohur me emrin Nymfeum. Pausania na ndihmon edhe për përcaktimin e kohës kur ndodhi ngjarja, kur shkruan se monumenti u realizua nga djali i Mironit, Lykos. Nëse Mironi, autori i njohur i Diskobolit, ishte aktiv në vitet 480-440 p. Kr., mund të themi se djali i tij punoi rreth viteve 460-420 p. Kr. dhe kjo ka qenë koha e mundshme e zhvillimit të luftës midis apoloniatëve dhe Amantëve. Gjetja e një stele me emrat e zyrtarëve apoloniatë në Selenicë është një dëshmi arkeologjike, që tregon se ai territor kishte mbetur nën sundimin apoloniat deri në mesin e shek. III p. Kr, kur datohet stela. Kjo gjendje nuk kishte ndryshuar deri në shek. I m. Kr., kur shkrimtari romak Plini vendos në Nymfeum kufirin midis apoloniatëve dhe “barbarëve Amantë dhe Bylinë”.
Luigi Ugolini, në botimin e tij shkruan se stelen e kishte parë dhe fotografuar në ambientet e Shoqërisë Italiane të Bitumit të Selenicës, me dashamirësinë e ing. Ineichen, Bianchini dhe Saggiotti. Që nga ajo kohë, stela nuk u pa më dhe u konsiderua si e humbur gjatë Luftës II Botërore. Për këtë arsye u interesova menjëherë pranë Drejtorisë së Musei Capitolini, të cilët më bënë të njohur me skedën e veprës. Ajo kishte kodin: urn: collectio: 0001: scu: 03358 dhe kishte hyrë në koleksionin e muzeut më 28/12/1979. Ajo që tërhiqte vëmendjen ishte prejardhja e saj nga koleksioni i Barone Aloisi në Villa via Flaminia Antica.
Ky fakt sqaronte të gjithë odisenë e veprës, po të dimë se Barone Aloisi ishte emëruar konsull i përgjithshëm i Italisë në Durrës më 1926, duke drejtuar edhe veprimtarinë e SVEA (Shoqata për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë). Më 1927, ai u bë edhe drejtor i SVEA, që mbulonte direkt edhe aktivitetin e minierës së Selenicës. Nga kjo kuptohet qartë se si stela e luftëtarit në ambientet e drejtorisë së asaj miniere kaloi në koleksionin privat të Barone Aloisi, pa asnjë dokument, pa asnjë dëshmi, pa menduar se një ditë këto çështje do të shikoheshin ndryshe.
Në funksionin tim të ambasadorit bëra atëkohë përpjekjet për të nisur procedurën e kthimit të kësaj vepre në atdhe. Së pari duke kërkuar nga Ministria e Jashtme e Italisë, që vepra të zhvendosej nga vendi i ekspozimit në qiell të hapur, ku dëmtohej çdo ditë nga smogu i Romës dhe faktorët atmosferikë. Për më tepër që mbishkrimi që shoqëron ekspozimin me tekstin “Të rënëve ushtarakë dhe civilë në misionet internacionale për paqen” jo vetëm që nuk përkon me veprën, por historia e rrugës së saj deri në Musei Capitolini do të ishte një ofendim për ta. Duhet të rikujtoj me brengosje se përpjekjet e mia të atëhershme në rrugë zyrtare përmes Ministrisë së Jashtme të Tiranës patën si përgjigje vetëm heshtjen. Pak shpresë kam edhe tani se çështja mund të rihapet nga ministritë e linjës, që janë të angazhuara burracakërisht në shitjen e pasurisë sonë arkeologjike, duke filluar nga perla e saj që është Butrinti.
Me këtë rast, dua të kujtoj të kundërtën e këtij banditizmi, kur shkencëtarë të shquar nga ana shqiptare si prof. Aleks Buda e prof. Selim Islami dhe nga pala italiane, si prof. Adriano La Regina e prof. Giuseppe Nenci, bënë të mundur kthimin në atdhe të Deas së Butrintit. Le të shpresojmë se, arsyeja intelektuale do të mposhtë marrëzinë politike!
Neritan Ceka / panorama.com.al/