Pak më shumë se një javë pasi shqiptarët mësuan se do të strehojnë mijëra afganë në Shqipëri, qeveria miratoi dje vendimin e Këshillit të Ministrave që specifikimin e trajtimit të shtetasve të republikës afgane që do vijnë në Shqipëri.
Ata nuk do të trajtohen me statusin e azilantit, por atyre do t’u ofrohet mbrojtje e përkohshme. Mbrojtja fillon nga momenti që vijnë në hapësirën shqiptare dhe do të zgjas një vit. “Dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë. Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar. Përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshme të gjithë personat, të cilët plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara në nenin 83, të ligjit nr.10/2021, ‘Për azilin në Republikën e Shqipërisë’”, thuhet në vendimin e qeverisë të miratuar dje.
Njohja e statusit të mbrojtjes së refugjatit është e mundur vetëm në rastet kur azilkërkuesit janë larguar nga vendi i tyre i origjinës. Një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, e zakonshme në regjimet totalitare, është mbyllja e kufijve në mënyrë që shtetasit e tyre të mos i shpëtojnë përndjekjes dhe torturës nga autoritetet shtetërore. Për shkak se e drejta ndërkombëtare parashikon njohjen e refugjatëve, si të tillë, vetëm kur ata kanë kaluar një kufi ndërkombëtar ose kur nuk ndodhen më në vendin e tyre të origjinës apo të vendbanimit të vazhdueshëm, masat që parandalojnë largimin nga shteti i tyre (shpesh bazuar në dyshimin se, nëse largohen, mund të kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare) përbëjnë pengesë për ushtrimin e së drejtës për të kërkuar dhe përfituar azil.
TASK-FORCA
Po ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave ngriti task-forcën që do të angazhohet për sigurimin e strehimit të përkohshëm për shtetasit afgan. Task-forca do të kryesohet nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe do të përbëhet edhe nga Ministria e Brendshme, Mbrojtjes, Arsimit, Shëndetësisë etj. Do të jetë sekretariati që do të ngre kjo task-forcë që do të bëjë koordinimin e ardhjes së refugjatëve dhe do të evidentojë nevojat buxhetore dhe teknike. “Evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion. Analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëllim”, thuhet ndër të tjera në vendimin e qeverisë.
INTERVISTA E KRYEMINISTRIT RAMA
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama në një intervistë për CNN-in ditën e djeshme, e çoi numrin e afganëve që do të strehojë Shqipëria në 4 mijë.
“Mendoj që është shumë e qartë që jemi sfiduar në një mënyrë të tillë si kurrë më parë, jo nga ndonjë kundërshtar ose nga një forcë kundër nesh, por nga vetja jonë sfidohemi ose të qëndrojmë për atë çka i themi botës se jemi. Ky është një objektiv i madh që nuk mund të dështojmë. Jemi vend i vogël, por nuk ka rëndësi, nuk ka të bëjë me forcën dhe madhësinë, por me atë çka ne jemi, ka të bëjë me atë që është thelbësisht e rëndësishme. Ne kemi përjetuar luftën, ne kemi parë njerëz të vdesin, kemi parë qindra mijë qytetarë të Kosovës që vinin në vendin tonë. Pritja e 500 mijë njerëzish në një vend me 3 milionë persona, nuk na bëri të vdisnim urie. Na bëri më të pasur moralisht. Ne ishim të parët që dolëm dhe thamë se jemi të gatshëm që të presim njerëzit që punuam me ne. Për momentin po punojmë për listat që po na sjellin, mund të numërojmë 2000 të listuar dhe 2000 të tjerë që po punojmë për t’i mirëpritur, pra do të kemi 4 mijë”, tha Rama. I pyetur nëse Shqipëria do të mirëpresë për qëndrim të përhershëm afganët, kreu i qeverisë thotë se nëse ata duan, mund të qëndrojnë në vendin tonë.
“Nuk është çështja nëse jam i gatshëm, është çështja që ky është një vend ku Kushtetuta e parë, kanuni i më shumë se 100 vjetëve më parë, në paragrafin e parë kishte të shkruar ‘shtëpia e shqiptarit i përket zotit dhe mikut, ata do jenë miqtë tanë. Nëse duan të qëndrojnë, janë të mirëpritur të qëndrojnë”, tha Rama. Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar se do të mirëpresë 20 mijë refugjatë përgjatë 5 viteve. Për këtë, Kryeministri Rama tha se Shqipëria nuk diskuton shifrat.
“Mendoj se faqja më e ndritur më e mirë është ajo që shkroi Angela Merkel, duke i hapur krahët këtyre njerëzve të dëshpëruar. Ne i njohim kufizimet, nevojat dhe interesat e miqve dhe aleatëve tanë. Nuk e kuptoj çfarë do të thotë 20 mijë qytetarë në 5 vjet. Unë nuk diskutoj shifrat, në fund të fundit nuk është fjala për shifra, por është për disponibilitet. Ndoshta se ne patëm fatmirësi dhe fatkeqësi që të jetonim në një regjim të njëjtë me atë të talebanëve. Ne ishim afganët që i iknim ferrit që ishim të mbyllur për 50 vjet”, tha kreu i qeverisë. Nga ana tjetër, ai bëri me dije se nuk ka asnjë shqiptar të bllokuar në Afganistan.