Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken kanë zhvilluar një bisedë në lidhje me strehimin e afganëve në vendin tonë.
Lajmin e ka bërë të ditur, ambasadorja amerikane Yuri Kim me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Në njoftim thuhet se dy zyrtarët e lartë janë konsultuar në lidhje me ofertën e NATO-s, që Shqipëria të pranojë përkohësisht afganët në nevojë.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli dje me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sekretari dhe Kryeministri u konsultuan në lidhje me ofertën e NATO -s, për të pranuar përkohësisht afganët në nevojë. Sekretari Blinken falënderoi gjithashtu kryeministrin Rama për vazhdimin e traditës krenare të Shqipërisë për strehimin e njerëzve në nevojë. Sekretari dhe Kryeministri riafirmuan partneritetin e ngushtë midis dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Katër ditë më parë, teksa kryeministri Rama konfirmoi lajmin se Shqipëria do të strehojë afganët, u shpreh se nuk mund t’i thotë “Jo” Amerikës.
Përmes një komenti në rrjetet sociale kreu i qeverisë tha se “është e vërtetë se ditët e fundit qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë të vlerësojë nëse mund të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion fundor kanë Shtetet e Bashkuara“.
Edi Rama shtoi “padiskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria!”
Kryeministri kishe një mesazh edhe për kritikët në rrjetet sociale, duke u shprehur se: “Shqipëria nuk është e salltanetit të atyre që hidhen për të në flakën e ndezur nga egërsia dhe padija e kinse patriotizmit, por është e amanetit shekullor të mikpritjes së të panjohurve në rrezik“.