MENU
klinika

Operacion në Irak

Synohet spastrimi në shkallë të gjerë i celulave të ISIS

14.08.2021 - 21:36

Iraku ndërmori të shtunën operacione ushtarake në shkallë të gjerë kundër disa celulave të Grupit Shteti Islamik në një zonë në veri të Bagdadit, thuhet në një deklaratë të Komandës së Operacioneve në Bagdat.

Në operacionin e së shtunës merrnin pjesë Forcat Speciale Irakiane, Policia Federale dhe Al-Hashd al-Shaabi (Forcat e Mobilizimit Popullor-PMF), të mbështetura nga ajri nga forca ajrore irakiane dhe avionët e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Një deklaratë nga Qendra Informative Irakiane mbi Sigurinë thotë se objektivi i operacionit është qarku Tarmiyah, 50 kilometra në veri të Bagdadit në atë që njihet si zona e rripit të Bagdadit.

Javë më parë, militantët e Grupit Shteti Islamik kryen sulme të shumta kundër forcave të sigurisë dhe linjave të energjisë elektrike në Irak. Goditja e shtyllave të tensionit të lartë vjen në një kohë me temperatura që vazhdimisht shkojnë mbi 45 gradë Celsius gjatë ditës.