Ndërsa gjithë llafollogjia botërore dhe kombëtare po merret me strehimin e afganëve luajalë me amerikanët- në Shtëpinë e shëndetit të Medvegjës, një dorë serbe ka hequr titullimin shqip dhe ka lënë vetëm atë serbisht.
Nuk dua të vendos kurrfarë paralele mes dy zhvillimeve.
Nuk kam ndërmend as të qëlloj me status në facebook Serbinë prej nga këtu ku jam, dhe ta qetsoj ndërgjegjen time, se e bëra detyrën time patriotike, dhe nja dyqind vetë të më thonë „bravo“! E më pas të rrezitem në diell se jemi në kohë pushimesh.
Nuk kam ndërmend të spekuloj dhe as të alarmoj kërkënd se tash e tutje, Shtëpia e shëndetit atje nuk do t’u shërbejë atyre pak shqiptarëve që nuk kanë arritur t’ua shkulin adresat, por vetëm serbëve.
Jo, ne duhet t’i ndihmojë afganët, sepse është humane; sepse ne duhet të ndihmojmë miqtë tanë amerikanë, duke u shlyer borxhin, sepse miqësitë e gjata kanë nevojë për vepra miqësie herë pas here. Mirpo ndërsa „shohim aq larg“ për fatin e afganëve, të mos harrojmë medvegjasit, e shqiptarët e Serbisë.
S’jam kundër betejave të rrjeteve sociale, por ato janë projeksione të betejave juridike dhe politike në terren. Betejat reale në terren, nuk po i bën askush!
E di: çfarë po ndodh ama në Medvegjë, është rënia e kambanave, është shfaqja simbolike e përfundimit të një procesi spastrimi etnik me mjete të tjera, për të cilin flet një serbe e mirë, si Sonja Biserko.
Në këtë kontekst thërras dhe unë, me zë të fortë: na ndihmoni ne shqiptarët, pa lenë mënjanë afganët!
I them politikës së Kosovës: nuk ka kuptim reciprociteti, kur në Medvegjë më së shumti, dhe në krejt Serbinë, shqiptarët po treten. Reciprocitet pa shqiptarë? Duhet të kthehen adresat e pasivizuara dhe pastaj të flasim për reciprocitet!
I them politikës së Shqipërisë: nuk ka kuptim Balkan Open,kur shqiptarët dëbohen jashtë Serbisë dhe e vetmja denoncuese e këtij procesi është Sonja Biserko! Ne shqiptarët heshtim! Le të kthehen adresat e pasivizuara, pastaj të përfitojmë nga benefitet e heqjes së barrierave kur të hiqen vërtet!
Mirpo, ndërsa unë po thërras, shoh se në fejsbuk ne kemi konsensus për afganët, por ama përlahemi mes shqiptarësh për një këngëtar mediokër si Bregoviqi, si kemi bërë shpesh në histori! Kush na e hodhi mes nesh këtë temë, për të cilën nuk bërtitëm kaq shumë në 2006-ën, kur ai erdhi midis Tiranës? Kush ka interes nga kjo luftë që bëjmë ne mes vedi? Pse është ngjarje për të na ndarë Bregoviqi në Festën e Birrës,dhe nuk qenka ngjarje për të na bashkuar, spastrimi etnik në Medvegjë, e më pas në krejt Serbinë?
Nga Muharrem Salihu
Të ndihmojmë afganët, por të mos harrojmë Medvegjën dhe shqiptarët e Serbisë!
15.08.2021 - 21:45