Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1970, ku ndodhet një raport-informacion me buletinin sekret të përpiluar prej kryetarit të Degës së V-të të Sigurimit të Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kapllan Sako, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, (i cili mbulonte në rrugë partie, organet e ‘Diktaturës së Proletariatit), ku ai i bënte me dije, për disa nga ngjarjet më kryesore të ndodhur gjatë gjithë vitit 1970-të, në rrethe të ndryshme të vendit, ku organet e Sigurimit të Shtetit, kishin zbuluar dhe goditur disa grupe armiqësore, si: ai i Raif Elezit dhe Bajram e Avdi Gjanës, në rrethin e Kukësit, i Daut, Dervish dhe Izet Gumenit në rrethin e Tepelenës, Kujtim e Durim Veledit në Tiranë, ai i Dhimitër e Sofokli Heqimit, Gjergji Moles, Sami Gjyzelit dhe Shaqir Vorpsi në Tiranë, Edmond Naumit, Ilija Stojanit dhe Kastriot Peçit që do arratiseshin në Greqi, nga rrethi i Korçës, Haxhire dhe Zyber Zhegu, Mustafa Kallçiu, Lumturi Kaçini, që u dënuan për kontrabandë ari, si dhe kthimi në Jugosllavi të 12 shtetasve kosovarë që kishin ardhur në mënyrë ilegale në Shqipëri, apo ekstradimin e tre shtetasve grekë, Paskal Nikolla Sokolaqis dhe Jorgo Dhimitër Jogridhis, që me kërkesën e tyre, u përcollën për në Gjermaninë Perëndimore.
Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, që nga viti 1945 e deri në vitin 1990-të, kur nisi dhe Lëvizja Studentore e krijimi i Partisë Demokratike, të cilat i paraprinë ngjarjeve që do të çonin më pas në rrëzimin e atij regjimi, në varësi të konjukturave e ngjarjeve politike që ndodhnin në vend dhe kryesisht në arenën ndërkombëtare, Sigurimi i Shtetit nën udhëheqjen e PPSH-së, ndërmerte “zbulime”, arrestime dhe goditje “grupesh armiqësore”, të cilat pothuaj në më të shumtën e rasteve i inskenonte vetë, duke i paraqitur ato si mjaft të rrezikshme. Dhe si rezultat, janë dënuar me ekzekutime, vite të gjata burgimi dhe internuar me qindra e qindra persona.
Nga: Dashnor Kaloçi
Në këtë kontekst, për gati katër dekada me radhë janë “zbuluar” dhe goditur mjaft të ashtuquajtura “grupe armiqësore”, si p.sh.: “Grupi i armiqve të popullit” në vitin 1945, që u dënuan me Gjyqin Special, “Grupi i Sabotatorëve të Kënetës së Maliqit” dhe “Grupi i Deputetëve, në 1946-’47”, “Grupi i Abedin Shehut, Shyqëri Këllezit e Hamit Keçit”, në vitin 1950, “Grupi i Dali Ndreut, Liri Gegës e Petro Bullatit”, si dhe “Grupi i Konferencës së Tiranës” në 1956-ën (me Iljaz Ahmetin, Vehip Demin, Vandush Vinçanin etj.), “Grupi i Teme Sejkos në 1960-ën”, “Grupi i Stavri dhe Thoma Rafaelit”. në 1963-in (ku bënin pjesë edhe Trifon Xhagjika, Robert Vullkani etj), “Grupi i Ushtarakëve” që kundërshtuan heqjen e gradave në Ushtri, në 1967-ën (me gjeneral-major Halim Xhelon, kolonel, Dilaver Radëshi etj.), “Grupi i Festivalit të 11-të i Këngës në Radio-Televizion” në 1972-in (me Mihallaq Luarasin, Edi Luarasin, Minush Jeron, Justina Aliaj, Bujar Kapexhiu etj), “Grupi i Todi Lubonjës e Fadil Paçramit” në Art-Kulturë në 1974-ën, “Grupi puçist në Ushtri” në 1974-ën, (me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon etj.), “Grupi i Ministrisë së Arsimit” në 1974-’75, me (Thoma Deljanën, Mantho Balën, Hasan Dumën), etj., “Grupi i Lopëve të Baldushkut” në 1975-ën, (Ndue Marashi, Rifat Daja, Agim Akçani etj.), “Grupi i Sabotatorëve ne Ekonomi” në 1975-’76-ën, (me Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën, Vasil Katin etj.), “Grupi i Naftës” në 1976-’77, (me Koço Plakun, Lipe Nashin, Milto Gjikopullin etj.), “Grupi i Edip Ohrit, Sabri Pilkatit, Ali Kubatit etj.), në 1980-ën, “Grupi i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut”, etj., në 1981-’82-in, “Grupi i Kosovarëve” në 1982-in (Namik Luca, Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, etj.), për të përfunduar në vitin 1986-’87-ën, me “Grupin e Medi Çelikut, Bujar Jazexhiut”, etj.
E gjitha kjo bëhej me qëllimi që ngjarjet apo konjukturat politike që ndodhnin kryesisht në arenën ndërkombëtare dhe në Shqipëri, të parandaloheshin dhe të mos kishin ndikime e impaktin më të vogël tek të tjerët. Në këtë kontekst, janë bërë arrestime, goditje dhe dënime edhe në vitin 1970-të, me të ashtuquajturin “Grupi terrorist i Kukësit” (me Raif Elezin, Avdi dhe Bajram Gjanën etj.) dhe “Grupi i Tepelenës”, (me Dervish, Izet dhe Daut Gumenin, etj.), për të cilat veç të tjerash, bën fjalë edhe ky dokument arkivor, që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim, ku ish-kryetari i Degës së V-të të Sigurimit të Shtetit, Kapllan Sako, me anë të një buletini “Tepër Sekret”, informon udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe personalisht Hysni Kapon, për zbulimet, arrestimet dhe dënimet që janë bërë në vitin 1970.
Raport-informacioni me siglën “sekret”, i kryetarit të Degës së V-të të Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kapllan Sako, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME EKZEMPLAR Nr. 1
DREJTORIA E PARE Tiranë më 12.6.1970
Nr. 2415
B U L E T I N I Nr. 1
– Në muajin Dhjetor 1969, përfunduan hetimet në drejtim të grupit armiqësor të rrethit Kukës, që përbëhej nga 11 të pandehur. Në muajin Mars 1970, çështja u gjykua nga gjykata e rrethit Kukës e cila në seancë të hapur gjyqësore dhe me pjesëmarrjen e masave punonjëse, demaskoi veprimtarinë e tyre armiqësore, duke dënuar të pandehurit: Raif Elezi me 15 vjet heqje lirie, Bajram Gjanën me 13 vjet, Avdi Gjanën me 9 vjet, ndërsa të tjerët me afate të shkurtra burgimi. Gjykimi provoi plotësisht se të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin, kishin zhvilluar agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor, duke diskutuar edhe për organizimin e një kryengritje të armatosur në rrethin e Kukësit, ishin përgatitur për të kryer akte terrori kundër Udhëheqjes së Partisë dhe të Shtetit e mbanin armë zjarri e lëndë eksplozive.
– Në këtë proces u implikuan 27 persona ndaj të cilëve, paralelisht me hetimin, mbasi u bë diferencimi, u bë këshillimi, u pyetën si dëshmitarë, u demaskuan dhe masa të tjera operative.
– Në muajin Prill 1970, gjykata popullore e rrethit të Tepelenës dënoi me 25 vjet heqje lirie të pandehurin Izet Gumenin nga katundi Gusmar, për arsye se në dhjetor 1945, në bashkëpunim me bandën e kriminelëve Lahe Nuro, Izet Vrazhdo dhe Ahmet Kuka, kanë marrë pjesë në kryerjen e aktit të terrorit duke vrarë Sekretarin e Partisë të Kurveleshit, Selman Lamen.
– Po kjo gjykatë dënoi me 15 dhe 8 vjet heqje lirie, të pandehurit e tjerë, Dervish dhe Daut Gumenin të cilët në bashkëpunim me të pandehurin Izet, zhvillonin agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor dhe se nuk kishin treguar aktin e terrorit që kishte kryer ky i fundit, për të cilin ishin vënë në dijeni kohë më parë.
– Një nga dëshmitarët e akuzës për aktin e terrorit të kryer nga i pandehuri Izet Gumeni, ishte dhe i riatdhesuari Mustafa Korocka, i cili gjithashtu u dënua nga gjykata e rrethit të Vlorës me 25 vjet heqje lirie për tradhti ndaj atdheut dhe për një vrasje që kishte kryer në vitin 1948 në kohën e arratisjes së tij.
– Në muajin Mars 1970 u dënuan nga gjykata e rrethit të Tiranës për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të përvetësimit të pasurisë socialiste dhe kontrabandës, grupi prej pesë vetësh i përbërë nga Dhimitër Heqimi, Sofokli Heqimi, Gjergji Mole, Sami Gjyzeli dhe Shaqir Vorpsi.
– Dhimitër Heqimi, Gjergji Mole dhe Shaqir Vorpsi që ishin dhe më kryesorët në këtë grup, u dënuan me 8, 10, e 9 vjet, ndërsa të tjerët me afat më të shkrutër privimi lirie.
– Nga 25 personat e implikuar në këtë proces për krime të ndryshme, duke pasur parasysh përbërjen politike të secilit dhe shkallën e kompromentimit në krim, një pjesë u pyetën me cilësinë e dëshmitarit, ndërsa për të tjerët u morën masa këshillimi, demaskimi dhe masa të tjera operative.
– Në muajin Prill të vitit 1970, u dënuan nga gjykata popullore e rrethit të Tiranës, për përvetësimin e pasurisë socialiste në përpjestime të mëdha, të kontrabandës së cilësuar dhe të shkeljes së dispozitave në lidhje me veprimet e valutës dhe të arit, grupi prej 13 vetash i përbërë prej Haxhire dhe Zyber Zhegu, Mustafa Kallçiu, Lumturi Kaçini etj.
– Mustafa Kallçiu, Haxhire Zhegu dhe Lumturi Kaçini që ishin dhe kryesorët në këtë grup, u dënuan respektivisht me nga 15, 11 dhe 9 vjet heqje lirie, ndërsa të tjerët me afate më të shkurtra burgimi.
– Gjykimi i të pandehurve u bë në N.T.L.F.Z. Tiranë, ku këta kishin kryer krimet dhe zhvillimi i gjyqit luajti një rol mjaft edukativ me masat.
– Në drejtim të 20 personave të implikuar në këtë proces për krime të ndryshme, u morën masa këshillimi, demaskimi dhe masa të tjera operative.
– Të pandehurit, Kujtim dhe Durim Veledi që në bashkëpunim me njëri tjetrin zhvillonin agjitacion e propagandë edhe në formën e bisedave për arratisje jashtë shtetit e të dëshirës për të kryer akte terrori në drejtim të Udhëheqjes së Partisë e të shtetit si dhe për armën që mbanin pa leje, u gjykuan dhe u dënuan me nga 10 dhe 3 vjet heqje lirie.
– Kohët e fundit përfunduan hetimet kundër të pandehurve, Pashko dhe Gjin Mrruku, kushërinj të parë nga rrethi i Mirditës. Të pandehurit akuzohen se në vitin 1951, në bashkëpunim me njëri tjetrin për motive të dobëta dhe nën ndikimin e dajos së tyre, kriminelit Marka Doda, arratisur jashtë shtetit, kanë vrarë………. të pandehurit Pashko,………..në rrethin e Matit.
– Më datën 30 Maj 1970, organet e punëve të brendshme të rrethit të Korçës, kapën në flagrancë duke tentuar për t’u arratisur jashtë shtetit në Greqi, të rinjtë 18 vjeçar, Edmond Naumi, Ilia Stojani dhe Kastriot Peçi, që të tre nga qyteti i Tiranës.
– Hetimet në drejtim të të pandehurve vazhdojnë me qëllim që të zbulohen shkaqet që i çuan këtë të rinj në kryerjen e këtij krimi.
– I dënuari, Niko Pandi Sholla, që më datën 21 Maj 1970 mundi të arratisej nga kampi i riedukimit Bulqizë, më datën 29 Maj 1970, mbasi u plagos rëndë në të dyja këmbët nga populli dhe forcat që ishin vënë në ndjekje të tij, u kap prej tyre në sektorin Suç të rrethit të Matit dhe është shtruar në spital për t’u mjekuar.
– Gjatë tremujorit të dytë të vitit 1970, me sanksionim të Prokurorisë së Përgjithshme, në rrethe te ndryshme, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, janë arrestuar gjithsej 16 persona, nga të cilët 6 janë të shtresës së pasur dhe kulakë. Ndërmjet këtyre është dhe kulaku Petrit Allamani nga rrethi i Matit, i cili në deponimet e deritanishme për krimin e agjitacionit e propagandës, implikon rreth 15 persona me përbërje të keqe dhe kulakë.
– Paralelisht në hetimin në drejtim të këtyre implikimeve, janë marrë masat e nevojshme për verifikim.
– Gjatë këtij 5-mujori nëpërmjet komisionit të incidenteve kufitare u kthyen në Jugosllavi 12 kosovarë të ardhur ilegalisht në vendin tonë me pretekst për të vazhduar shkollën. Theksojmë se me ta është bërë një punë skjaruese e bindëse për kthim (jo operative), dhe si rezultat i kësaj, ata nuk kanë pasur kundërshtim për t’u kthyer në Jugosllavi.
– Po kështu më datën 26 Maj 1970, organet tona, me kërkesën e tyre, dhe meqenëse paraqitnin dyshime, nxorën jashtë kufirit shtetëror, duke i nisur për në Gjermaninë Perëndimore, shtetastit grekë, Paskal Nikolla Sokolaqis dhe Jorgo Dhimitër Jogridhis./Memorie.al
KRYETAR’I DEGES SE V-TË
(KAPLLAN SAKO)