MENU
klinika

Roland Qafoku

Turizmi i një stine vere në Sarandë

16.08.2021 - 13:12

Është fantastike të kthehesh pas 9 vjetësh në të njëjtin vend për të pushuar. Saranda është vendi ideal për ta bërë këtë. Stina e verës aty i ngjan një panairi oriental ku gjysma e njerëzve shet dhe gjysma ble mallra dhe nuk kishte burrë nëne që ta parashikonte para afro një dekade. Qafa e Muzinës vijon të jetë sprovë për shoferë të rinj, shoferë të kujdesshëm dhe shoferë që e duan rrugën të drejtë. Teksa ngjitesh, zbret, ngjitesh dhe përsëri zbret, të duket vetja sikur drejton një tank dhe kur e gjithë kjo përfundon merr frymë i lehtësuar sikur ke mbaruar një dënim të formës së prerë nga gjykata. Një bori e zgjatur prapa meje më “urdhëron” të ecë më shpejt. Tabela shkruan 30 dhe unë jam fiks me 30 kilometra në orë, por makinës së tij “Range Rover” të re flakë dhe me çmimin 100 mijë Euro, i duket turp kjo shpejtësi. Shquaj që në timon është një djalosh jo më shumë se 23-24 vjeç. Duket qartë që “çuni i babit” deri tani e ka bërë jetën me duar në xhepa dhe nxiton për në destinacion pa pyetur tabela në rrugë. Polici për të nuk ka vlerë. Unë që zbatoj kilometrazhin e duhur kushedi si i dukem këtij kokorroshi. Parakalon si i çmendur në kthesë dhe gati sa nuk e merr me vete atë që i vjen përballë, por për fat shpëtuan të dy. E megjithë këtyre vështirësive të tipit “pagesa e frikës”, ia ka ënda që të kthehesh te perla e natyrës shqiptare “Syri i kaltër”. Një tabelë që të njofton se aty ndodhet një gjë jo e vogël. Por mënyra se si është vendosur kjo tabelë është shenja e parë që ata që duhet të kujdesen për këtë perlë nuk kanë fare lidhje me këtë punë. Kalimi nga rruga nacionale për në rrugën e Syrit të Kaltër është thjesht një shteg mushke. Ti duhet ta marrësh me mend që po shkon në një vend të veçantë e që duhet të vihesh në sedër “pse nuk e di ku është”, “pse nuk ke qenë përpara aty”, apo edhe më keq akoma, “si mund të rrish 9 vjet pa ardhur aty”. Një portier me jelek fosforeshent në mes të ditës, me targën në kurriz AKZM, të zgjat tre bileta që kushtojnë 200 lekë të rinj. Janë tre bileta në fakt të stampuara nga Agjensia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Dy bileta kanë vlerën 50 lekë dhe njëra 100 lekë. Ne jemi: unë, bashkëshortja dhe im bir. Si ta kuptoj unë kush është 100 lekëshi dhe kush janë 500 lekshat nga ne tre?! Ai tipi fosforeshent thjesht na i ngeci në dorë. Nuk flet fare shoku. As të përshendet, as të sqaron, e as të bën llogarinë. Të merr paratë, të zgjat biletat dhe të thotë vazhdo shpejt, a thua se është polic trafiku, e jo prezantuesi i parë i kësaj perle të natyrës sonë. Por, më e “bukura” e Syrit të Kaltër është rruga prej 2 kilomera që të çon atje. Një autobot i mbushur me ujë spërkat rrugën e pashtruar. Uji kokolepset me dheun e kaftë të rrugës dhe aty bëhet një llucë që të keqen e asaj të Myzeqesë në kohë shirash. Shoferi i autobotit nuk e ka fare në mendje që shiu artificial që hedh në rrugë mund ti bëj pisë makinat e vizitorëve dhe turistëve. Por ai nuk përgjigjet për këtë punë. I bëjmë shenjë të ndalojë që të kalojmë ne. Në këtë pikë ai duket se hante pykë. Por, kur ne pwrparuam si një një ushtrim në kursin e patentës, u shfaq një shtëllungë tymi na ngjau e njëjtë me një stuhi shkretëtire. Gjithsesi makina ime u bë baltë nga balta që kishte lënë pas autobotaxhiu dhe më pas u bë me pluhur të bardhë nga rruga e pashtruar ashtu siç ishte 9 vjet më parë. Mu kujtua ministrja Mirela Kumbaro para disa vitesh që reklamonte veten para Syrit të Kaltër se qeveria që aj përfaqësonte kishte investuar shumë te Syri. Por syri i Mirelës nuk kishte fare lidhje me Syrin e kaltër nëse ka kaluar nga kjo rrugë. Sapo mbërrijmë shquajmë një parking të çuditshëm dhe shumë turistë që kishin mbirë aty si nga dheu. Polakë, çekë, sllovakë, ukrainas, rusë, boshnjakë, serbë e maqedonas zinin radhën kush e kush ta shijonte të kaltrën e Syrit të Kaltër. Një bjond dy metro u zhvesh pa një pa dy dhe fup u fut në ftohtësinë e ujit. Zili e madhe ishte, por nuk kishte shans që shqiptarët të bënin si ai. “Qenka i cmendur” tha njëri nën zë. “Nuk do ketë parë ujë me sy”, tha një tjetër me zë pak më të ngritur. Por, polaku as nuk i kuptonte ato që flisnin shqiptarët për të e as ia ndjente se çfarë thoshin. Partnerja e tij shkrepte foto, ndërsa ai kridhej në ujë dhe ky film pa lekë vijoi për shumë minuta. Lokalet aty rrotull ishin si gjahtarë në kërkim të presë. “Hajde këtu”! “Futu këtu”! “Një shishe ujë 2 mijë lekë”! Ikëm nga sytë këmbët se vetëm turistë nuk mund të quhesh nën këtë presion. E vetmja gjë e mirë e kësaj vizite ishte buzëqeshja e tim biri që më tha se kjo ishte gjëja më e bukur që kishte parë. Prit mo bir prit, se ka edhe më të bukura se kjo!

MOJ SARANDË, KUSH TA PRISHI BUKURINË

Kur hyn në qytetin e Sarandës nga ana e Muzinës duhet ta marrësh me mend se je duke u futur aty. Hyrja që duhet të ishte panoramë për kartolinë është një përzjerje mes pamjes së Kandaharit duke i shtuar një deti blu. Një qytet i zhytur në beton nuk të lejon ta shijosh ndoshta një nga pamjet më të bukura në Shqipëri. Shtëpi beton, lokale beton, pallate beton, hotele beton dhe i vetëm qendron deti që është kontrasti më i fortë ndaj kësaj pamje të shëmtuar. Atë që na e ka dhuruar natyra aty është e bekuar, por atë që ka bërë dora e njeriut është e mallkuar. Lukuni makinash që ecin dhe lukuni makinash të parkuara. Tabelat e rrugëve janë si mos më keq. Vizime në rrugë as që bëhet fjalë. Po mirë mo, as në sezon veror nuk ka bojë kjo Bashkia e Sarandës për të bërë disa vija në rrugë? Nuk mbaron këtu shijet e këqia. As GPS nuk bën punë për të gjetur destiancionin. Është mesditë dhe shquajmë një turmë njerëzish me rroba banjo ecin në rrugë. Nuk i dallojmë dot se çfarë janë, vendas apo të huaj. Por, më e sakta është mendimi se janë bërë bashkë sikur një sarandiot thotë; Po çka ky më shumë se mua që të mos jem edhe unë me rroba banjo në rrugë! Sarandiotët janë bërë si turistët dhe turistët janë bërë si sarandiotët. Në sfond na qendron deti blu, padyshim më i bukuri në botë. Një panoramë që nuk ngopesh duke e parë. Jo më kot kjo Sarandë ka qenë lakmi e vendasve dhe e të huajve. Gjatë sundimit të tij, mbreti Zog i vendosi emrin Zogaj. Gjatë pushtimit italian, Benito Musolini mbeti i mahnitur kur në mars të vitit 1941 mbërriti në Sarandë dhe e pëlqeu aq shumë saqë në kthim urdhëroi ndërrimin e emrin duke ia vënë Porto Edda, emrin e vajzës së vet Edda Musolini. Epo tani jemi 80 vjet më pas dhe këtë që i kanë bërë Sarandës, nuk ia bëri as Musolini e as një pushtues tjetër. Nëse ka një përkufizim ai mund të jetë: Beton dhe deti blu. Eh moj Sarandë të kanë bërë atë që nuk mund ta zhbësh dot.

NJË BALLKAN I PLOTË NË HOTEL

Me shumë mund dhe me shumë intuitë arrijmë në folezën tonë. Këtu gjen një Ballkan në miniaturë. Dhe këtë e kupton shumë mirë kur vëren target e makinave në parking: NMK (Maqedonia e Veriut), BIH (Bosnje-Hercegovina), SRB (Serbi), MNT (Mali i Zi), KS (Kosovë), SK (Sllovaki), GR (Greqi). “Dobro jutro-n” e dëgjon shpesh në mëngjes nga boshnjakë, maqedonas dhe serbo-kroatishtja vjen pas shqipes në përdorim. “Ti kanis” të përsërisin grekët, ose shqiptarët e greqizuar për modernizëm. Kuptohet lehtë se greqishtja që 9 vjet më parë e dëgjoja aq shpesh duket se ishte zhdukur. E dëgjoj gjithnjë e më pak në Sarandë por nuk jam i sigurtë që është një gjë e mirë apo e keqe. Fqinje me Sarandën është Greqia, por këtu dëgjon më shumë të flitet gjuha e ish-Jugosllavisë dhe rusishtja e ish-BRSS. Dhe Saranda gjithnjë e më shumë më duket si një kryeqytet bllkanik, apo i Evropës Lindore ku të gjithë vijnë ta shijojnë në mënyrën e tyre. Edhe në det dallohen ballkanasit. Kur futemi në ujë, ne shqiptarët vazhdojmë të themi “po lahemi” dhe jo “po notojmë”. Boshnjakët dhe serbët nuk notojnë, por pluskojnë në ujin e detit. Rrinë në det sikur bëjnë banja në llixha. “Nuk kanë parë det me sy”, dëgjoj që thotë për ta një notar profesionist. Por ama shqiptarët e Kosovës më habisin pozitivisht që notojnë shumë mirë edhe pse nuk kanë det. Duket se për ta kjo fjalë nuk vlen. Ky det është i të gjithë shqiptarëve dhe Kosova e ka detin e saj. Madje ka dy: Detin Adriatik dhe detin Jon. E veçanta janë lindorët e Evropës: çekët, ukrainasit dhe rusët. Nga mënyrë se si bëjnë pushime duken që turizmin na e kanë orientalizuar. Dallohen që nuk janë elitarë. Harxhojnë pak, blejnë pak, qendrojnë pak, por janë të shumtë në numër. Dhe ne gëzohemi si fëmijë për faktin se kemi turistë në rritje.

XHIROJA E TURMËS

Nuk ka shans të dalësh i shpenguar në mbrëmje në Sarandë. Të paktën në gusht. Në fillim duhet të kalosh në një rrip të ngushtë që quhet trotuar. E vetmja e mirë aty është se turma rrjedh si një uji i një lumi të rrëmbyeshëm. Kujtoj se në Tiranë ecja në tortuare është një torturë e vërtetë duke e çimentuar në kokë konkluzionin se shqiptarët nuk dinë të ecin aty. Në Sarandë ecin me shpejtësi të gjithë. Mbërrijmë në Lungomaren e Sarandës. E bukur për be. Nuk ka të sharë. Pa bërë politikë. Por turma aty nuk të lë shans ta shijosh. Nëse nuk e ke mendjen, nuk e di se më ke je afër: me njerëzit e tu, apo ata që kalojnë në krah teje. Ka vetëm një veporim që duhet të bësh: Të ecësh! Lokalet në pamje të duken të mira, por janë shndërruar thjesht në menca vere. Kisha që nga viti 1990 që nuk kisha parë radhë për të ngrënë bukë në lokal. Dukej një kërkesë e çmendur e klientëve dhe një etje po aq e çmendur e pronarëve të lokaleve për të bërë lekët e vitit vetëm një një muaj të vetëm. E si mund të jetë i mirë një shërbim kur një turmë njerëzish pret te dera që t’i të mbarosh shpejt atë që në ke në pjatë se do vinë ata? Më shkoi në mendja që fjalën fastfood ta përshtasja fast-tourist. E moj Sarandë!

HITET E VERËS, HITET E INJORANCËS

Jam stërmunduar shumë këtë verë të kuptojë hitetet e këngëve. Nu ia dola. U dorëzova. Në çdo plazh dhe lokal kishte të njëjtat këngë. Madje jo vetëm në Sarandë. Cadra ime ishte afër qendrës së zërit. Në veshin tim vinin disa tingut të tipit dung-dung-dung dhe pastaj dang-dang-dang. Por duke i dëgjuar i detyruar nga 50 herë në ditë arrita të fiksoj vargjet e tekstit.

  1. Uuuuu sa mdo sa mdo ti mu/Uuuuu njëjt edhe un ty t du/Ajo do pushime n Miami/
    Esht e veshme me Gucci e Fendi/Nuk t pret ty se e pret Range i
    O Enxhi o Enxhi/O Enxhi, ça m bone/Ti e din se pa ty nuk boj dot/O Enxhi Tirone/Jena çifti m i bukur nbot.
  2. Me ty Nina, Me ty Nina/Jeta jonë, jeta jonë si në filma/Me ty Nina, Me ty o Nina/Jeta jonë, jeta jonë si në filma/Me ty Nina, Nina, Nina, Nina, o/Me ty Nina, Nina, Nina, Nina, o/Me ty Nina, Nina, Nina, Nina, o/Me ty Nina, Nina, Nina, Nina, o.
  3. Mi amor/Ti po m’deh hiç pa raki/O mi amor/Për mu je i vetmi mi amor/A po vjen me mu, po vjen me mu/Po vjen me mu se veç ty të du/A po vjen me mu, po vjen me mu/Po vjen me mu se veç ty të du.
  4. Nëse don, don, don, nëse don, don, don, e don/Baby, hajde me mu/Ta shijojm ket jet bashk/
    Nëse don, don, don, nëse don, don, e don/Baby, hajde me mu/Nëse nuk t dhimet jeta (Ja, ey, ja).

Nga dita e parë deri në ditën e shtatë që qendrova në Sarandë, tingujt e këtyre këngëve nuk mu ndanë. Fillonin që në 10.00 dhe përfundonin në orën 23.00 sipas rregullit për orën e muzikës. Ishin jo thjesht një shije e keqe në vesh, por një ndotje akustike që ta dëmtonte veshin. Vijë melodike jo. Motiv, jo e jo. Teksi i tyre ishte një bashkim fjalësh që edhe Gjon Buzuku do deshifrohej më lehtë. Më krijonte një sëkëlldi kjo atmosferë saqë vura edhe vehten time në dyshim. Mos isha unë gabim? Mos isha vjetëruar? Mos isha jashtë modës dhe shijeve? E hodha poshtë këtë dyshim sapo krahasova disa tekste të moshës së rinisë:

  1. O det të dua kur çel agimi/E t’parën puthje me aq mall m’dhuron./N’breg t’art më lëshon mu gëzimin./O det i thellë, sa shumë përgjasojmë. (Teksti mark Gurakuqi. Kënduar nga Tonin Tërshana)
  2. Degën e dafinës e lëkundi/krahu i një zogu në agim/ Me një gjethe në buzë unë vërshelleja/Këngët që i zgjonte vetë pranvera (Teksti nga Xhevair Spahiu. Kënduar nga Gaqo Çako).
  3. Jo nuk kish si ndodhte ndryshe/Ndoshte ndryshe s’kish se si/ U desh të zhdukeshin përbinndëshat/Që në këtë botë të vije ti. (Teksti nga Ismail Kadare. Kënduar nga Gjergj Leka).
  4. Më erdhe në një kohë të dëshpëruar/me dhimbje, Jon./Kur anijet si fantazma/Nëpër det me aventura, klithnin liberta/ Dhe syte i kish aty gjithë Shqiperia/Ajo dinte si duronte/Po i shkuleshin filizat/ Deti u bë mal me njerëz dhe mali det me lot. (Teksti nga Zhuljana Jorganxhi. Kënduar nga Ardit Gjebrea)

E mo Mark Gurakuqi, Xhevair Spahiu, Ismail Kadare e Zhuljana Jorganxhi! Ju na dhuruat art dhe e bëtë gjuhën shqipe aq të ëmbël. Ky brez artistësh tani vërtetë ka shumë më shumë teknika, teknologji e gjithëfarësoj, por nuk kanë një gjë të vockël fare që ju e kishit: Talentin.

BUTRINTI I VJEDHUR

Mezi prisja ti tregoja tim biri Butrintin, kryekrenarinë e arkeologjise shqiptare. Rruga nga Saranda në Butrint nuk ishte ajo e para. E denjë për be dhe ata që e kanë ndërtuar kanë një bravo të madhe. 9 vjet më parë mbyllja sytë kur shkëmbeshehin dy makina sidomos në breg të liqenit. Sot një rrugë e gjerë me dy kalime, me karrexhatë dhe me mbrojtëse anash të bën ta gëzosh pamjen. Ja dhe Ksamili. Duket sikur ka kopjuar Sarandën fije e për pe. Këmbë e hotele. Hotele dhe beton. Dy pamje që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Në të djathtë deti dhe plazhi si parajsë dhe majtas hekur, xhavorr, çimento të ngrira në beton. Por Ksamili ka një krenari këto ditë. Në një nga hotelet aty është e stacionuar diva e muzikës Pop, Dua Lipa. Jahti i saj sillet vërdallë në Gjirin e Sarandës dhe afër Ksamilit. Padyshim që stari shqiptar është përkëdhelur jo pak, por ama e meriton. Nuk arrij të kuptoj sulmet ndaj saj pse takoi Erion Veliajn dhe Edi Ramën. Po mirë mo, nëse kryeministër do ishte Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta, Pandeli Majko, Aleksandër Meksi, gabim do ishte përsëri?! Hej, o njerëz shërohuni nga këto ligësira! Shqipëria nuk është e kryeministrave. Shqipëria është e shqiptarëve dhe sidomos e shqiptarëve të mirë si Dua Lipa që na bëjnë të ndjehemi krenarë. Ata që nuk e arrijnë dot të pinë uthull!

Ja dhe Butrinti na u shfaq si me porosi. Aty ku 3300 vjet më parë jetonte fisi epirioto-ilir i kaonëve. Mundohem t’i shpjegoj tim biri se sapo aty shkeli Enea, kushëriri i Hektorit dhe Paridit, heronjve legjendarë të Luftës së Trojës, historia u ndryshua në dëmin tonë. Sipas legjendës së manipuluar, Enea, pasi i mbijetoi luftës më të famshme në historinë e njerëzimit, themeloi këtë qytet që ndryshe quhej edhe Troja e re. Fundja kush zotëroi botën dhe nuk deshi ta kishte për vetë Butrintin?! Cezari, Oktaviani, Mbreteria e Anzhuve, Republika e Venedikut, Sulejmani i Madhërishëm, Napoleon Bonaparti e deri te Ali Pashë Tepelena e zotëruan Butrintin si qytetin e katërt më të rëndësishem antik pas Trojes, Athinës dhe Romës. Çdo epokë e historisë ka gurët e vetë në Butrint. Të gjithë këtë zellin në të treguar ma ndërpreu fatura e biletës: 3 veta 2500 lekë të rinj. “Do ishin 3000 lekë, por djali ka gjysmë bilete”, të thotë biletashitësi. Si shumë duket kjo bileta?! Mu kujtua që në vitin 2002 bileta ishte 50 lekë të rinj. Pra në 19 vjet bileta për të vizituar Butrintin është rritur 20 herë. E kapërdijmë këtë kur shikojmë që biletat janë të kompjuterizuara. Të regjistriuara, me orë, me datë, me numër personalizimi. Në fakt më mirë se kaq nuk ka! I vetmi problem si 19 vjet më parë se aty nuk ka asnjë shoqërues. Si mund ta kuptojë vizitori, sidomos ai që shkel për herë të pare? A mjaftojnë vetëm tabelat në shqip dhe anglisht? Ecim dhe herë më shfaqen si vegim Enea aty në teatër, herë romakët e Cezarit dhe Oktavianit e deri te luftëtarët e Bonaparit. Por një zë këmborë që ia merrte këngës ma nxori nga ëndrra. Këndonte tjetri një këngë foklorike të Jugut me sa kishte në kokë. Turistët e morën për budalla. Mund të ishte edhe i tillë. Fundja biletashitësi nuk kishte pajisje ta zbulonte. Shpejtojmë hapat për të qenë sa më larg nën rregullin e gabuar “hapi rrugë”. Në fund teksa mbërritëm në kala, koka e Deas ishte si një qershi mbi tortë. Sa e bukur “shtriga”! E imagjinova momentin kur Luigi Ugolini e zbuloi fiks aty nën tokë. Imagjinova se si doganierët e Durrësit ia kapën Ugolinit në bagazhe gjatë kthimit në Itali. Imagjinova Ahmet Zogun që ia riktheu sërish duke thënë se ia kishte dhuruar Benito Musolinit. Imagjinova kërkesat e vazhdueshme të Enver Hoxhës për kthimin e saj nga Italia dhe kthimin e saj në 1980 në Shqipëri dhe vendosja në Muzeun Historik Kombëtar. Është pak të them me vete dhe ti them tim biri që jemi krenarë që ne shqiptarët jemi pasardhës të iliro-epiriotëve që ishin themeluesit realë dhe banorët e parë të Butrintit. A nuk kisha të drejtë se bukuritë e Sarandës nuk mbarojnë!

E MEGJITHATË DO KTHEM SËRISH NË SARANDË

Kur i gjen defektet vendit tend, nuk do të thotë se nuk e do. Përkundrazi. Madje, e do shumë fare në krahasim me ata që janë të jetojnë të lumtur me gjithçka të keqe. Këtë shije më la edhe Saranda këtë vit. Gjeta një mijë e një defekte nga ato që pashë dhe shijova, por e dua aq shumë saqë do kthehem sërish aty. Det i pastër, plazh i rehatshën dhe ushqim i mirë, janë tre arsye pse e dua Sarandën dhe dua të kthehem atje sërish. Sa për tëmetat, e mira është të ketë sa më pak. Turizmi i një stine vere në Sarandë, është një mundësi shumë e mirë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E fejuara u vetëvra fill pas tij

Cili ishte vërtet Kajo Karafili, pse dhe si u vra?


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin