MENU
klinika

Ja të dhënat e studimit të fundit

Vaksina nuk ndalon përhapjen e variantit “Delta”!

20.08.2021 - 10:02

Nën kërcënimin e variantit “Delta”, që ka nisur prej javësh të qarkullojë edhe në vendin tonë, duket se as vaksina, cilado qoftë ajo, nuk ofron mbrojtje të sigurt.

Të dhënat e një studimi, të botuar në “British Medical Journal (BMJ), rikthejnë vëmendjen te mbajtja e maskës, si e vetmja mënyrë e sigurt për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Artikulli është sjellë në vëmendje nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili vë në dukje se midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve, ngarkesa virale ishte e njëjtë.

“Në thelb, vaksinimi mbetet mbrojtës shumë i lartë, por nuk është i mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e variantit ‘Delta’. Testet e kryera nga data 3 deri në 17 korrik midis banorëve të Massachusetts në Provincetoën, një vend i njohur pushimesh në Shtetet e Bashkuara, zbuluan se 75 % e njerëzve të infektuar ishin të vaksinuar. Midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve, ngarkesa virale ishte e njëjtë.

Ky zbulim sugjeron që të dyja grupet kanë të njëjtën ngarkesë virale dhe përhapja e infeksionit është pothuajse e njëjtë nga të dyja grupet, ka paralajmëruar Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Rezultatet vërtetojnë se të vaksinuarit gjatë verës po luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit të variantit ‘Delta’, prandaj CDC rekomandon që personat e vaksinuar të mbajnë maska në ambiente të mbyllura”, ka shkuar doktori në rrjetet sociale.

Por ajo që konfirmohet është fakti që vaksina vazhdon të ofrojë mbrojtje të fortë kundër formave të rënda të sëmundjes.

“Nga 346 personat e vaksinuar që rezultuan pozitivë në epideminë e Provincetoën, 79% e tyre ishin simptomatikë dhe testi i gjenomës tregoi se 90% kishin variantin ‘Delta’.

Vlen për t’u theksuar se vetëm katër të infektuar u shtruan në spital dhe nuk pati asnjë humbje jete”, ka shkruar më tej Brataj.

VAKSINIMI

Por ndryshe nga çfarë pritej, në muajin e hapur të vaksinimit plus 18 vjeç, interesi nga qytetarët ka qenë i ulët.

Dozat e administruara në harkun e 24 orëve kanë variuar nga 3 mijë deri në 10 mijë doza dhe ajo që bie në sy nga të dhënat e “Our World in Data”, është që edhe në raport me vendet e Ballkanit jemi disa hapa pas. Kosova renditet e para, ku vetëm të enjten janë raportuar mbi 22 mijë doza të injektuar, gati 3- fish më shumë se mesatarja ditore në vendin tonë.

SITUATA

Ndërkohë vijojnë të rriten shifrat e infeksionit në vend. Në 24 orët e kaluara janë raportuar 522 persona të prekur nga 6662 testime të kryera, pjesa më e madhe në Tiranë, Shkodër, Durrës dhe Vlorë.

Në të njëjtën kohë është rritur edhe numri i pacientëve të shtruar në Spitalin Infektiv, ndërsa janë raportuar 2 humbje jete. “Aktualisht, janë 4204 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 59 pacientë.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 2 qytetarë: një qytetar 67 vjeç nga Elbasani dhe një qytetar 84 vjeç nga Mati”, kanë bërë me dije autoritetet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Kur të bëhet e mundur arritja e..."

Brataj: Ja kur do hiqen përfundimisht masat kufizuese