Për 18-vjeçaren nga Ferizaj, M. Osmani, së cilës dje iu dha lamtumira e fundit, ende nuk ka raport të autopsisë, përveç një certifikate e cila i është dorëzuar familjes të së ndjerës, me t’ua dorëzuar trupin Mjekësia Ligjore.
Kështu ka bërë të ditur Nazlije Balaj, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, e cila zbuloi, se në atë certifikatë përmendet qartë se në rastin e vrasjes së 18-vjeçares, ka të bëhet me disa trauma.
”Nuk ka ende raport të autopsisë, por ka certifikatë të autopsisë. Sepse raporti i autopsisë përmbyllet kur të mbyllen të gjitha analizat laboratorike”.
”Certifikata e autopsisë, i lëshohet familjes, dhe në të është e shkruar qartë dhe saktë se në këtë rast kemi të bëjmë me Politraumë”.
Ajo pohon se kur të përfundohen edhe dy lloje tjerash analiza, atëherë përmbyllet raporti nga Mjekësia Ligjore apo ekspertët e mjekësisë.
Ajo shpjegon: ”Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”, tha Balaj për mediat në Kosovë.
Ngjarja ndodhi në Ferizaj të Kosovës, ku dy të rinjtë pasi kanë dhunuar për 24 orë 18-vjeçaren, e kanë hedhur në derën e spitalit të Ferizajt/Gazeta Express/