Grupi i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri mbërriti në aeroportin ushtarak në Rinas, pak minuta pas orës 03:00 të mëngjesit të së premtes. Zëri i Amerikës ka mësuar se bëhet fjalë për 121 persona, aktivistë të shoqërisë civile, mes tyre dhe fëmijë si dhe 11 foshnja, të nisur nga Kabuli. Avioni i tyre ka bërë fillimisht një ndalesë në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, prej nga është nisur më pas rreth mesnatës drejt Tiranës.
Pas mbërritjes në Rinas, grupi i qytetarëve afganë qëndroi fillimisht në tendat e ngritura posaçërisht pranë aeroportit ushtarak, ku atyre iu ofrua dhe asistenca e parë mjekësore, ndërsa kryen dhe formalitetet burokratike. “Ne kemi marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë”, deklaroi nga aeroporti, ku kishte dalë për t’i pritur, ministrja e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka, e cila ka ndjekur që në fillim të gjithë procesin e përgatitjeve për pritjen e tyre.
Pas orës 06.00 edhe qytetarët e fundit afganë, përmbyllën procedurat për t’iu drejtuar strukturave hoteliere në Durrës ku ata do të qëndrojnë. “Teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti”, shpjegoi zonja Xhaçka.
Bashkë me ministren e jashtme shqiptare, siç e bëri të ditur dhe vetë përmes një postimi në Twitter, ishte dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim. “Pritëm grupin e parë të afganëve që janë në kërkim të një strehimi të përkohshëm në Shqipëri. Siç ka bërë gjithmonë, populli shqiptar dhe një herë ofroi mikpritje dhe mbrojtje ndaj kujt ka nevojë më shumë. Jemi krenar t’ju quajmë miq dhe aleatë”, shkroi ambasadorja Kim.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra, për të folur më pas për të paktën 4 mijë afganë. Prej javës së shkuar fluturime të shumta të planifikuara për të udhëtuar drejt Shqipërisë u anulluan si pasojë e kaosit në kreyqytetin afgan dhe aeroportin e tij. “Ditë pas dite, na është dashur të përballemi me shtyrje, vështirësi të reja, pengesa të reja si pasojë e situatës së sigurisë. Prandaj sot jam aq e lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë këtu një kontigjent të parë afganësh, burra, gra, fëmijë. Është vërtet një moment emocionues sepse çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që shihni këtu sot, është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar,” deklaroi ministrja e Jashtme.
Zonja Xhaçka, nënvizoi se veprimi i Shqipërisë nuk kishte të bënte vetëm me mikpritjen dhe traditën e saj, por se “bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve, por të bënim çfarë mundëshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre”.
Sipas një vendimi të miratuar të mërkurën nga Qeveria shqiptare, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”. Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojne deri në 1 vit në Shqipëri.