MENU
klinika

Vlerësimi për marrëveshjen e Prespës

Zaev dhe Cipras fitojne Çmimin e Paqes së Vestfalisë

28.08.2021 - 15:17

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ish-Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, janë fitues të Çmimit Ndërkombëtar për Paqë të Vestfalisë për vitin 2020. Këtë çmim, Zaev dhe Tsipras e fituan për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u zgjidh kontesti shumëvjeçar rreth emrit.

Në një ceremoni solemne në Munster të Gjermanisë, çmimin ua ndau Presidenti i Letonisë, Egils Levic, si përfaqësues i tre vendeve baltike që këtë çmim e kishin fituar në vitin 2019.

“Marrëveshja e Prespës ishte pikë kthese në rajon. Unë dhe Alexis Tsipras zgjodhëm që të gjejmë zgjidhje dhe jo ta zvarrisim procesin. Edhe unë edhe ai ishim tërësisht të vetëdijshëm se karrierat tona politike i kemi ekspozuar në rrezik, megjithatë përcaktimi i fortë dhe gatishmëria të sakrifikohet karriera jonë politike në emër të ardhmërisë na udhëhoqi nëpër të gjithë procesin”.

Ish-Kryeministri grek, Alexis Tsipras tha se mesazhi i Marrëveshjes së Prespës, është më i rëndësishëm tani pas krizës me pandeminë dhe zhvillimet në Afganistan se sa në vitin 2018 kur është nënshkruar. Ai tha se Bashkimi Evropian duhet ta mbështesë në mënyrë aktive Marrëveshjen e Prespës dhe mes tjerash, duhet të bëjë gjithçka që të bëjë progress në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Ne dëshironim një marrëveshje që do të zgjaste dhe jo të rrëzohej gjatë vështirësive. Nuk ishte e lehtë, pjesërisht në atë kohë të dyja vendet ishin në krizë ekonomike dhe në vijën e parë të frontit në krizën me refugjatët… Qytetarët e Greqisë dhe RMV-së vërtetuan se problemet e përbashkëta mund të zgjidhen në paqe dhe në baza të të drejtës ndërkombëtare madje edhe në momentet më të vështira”.

Marrëveshja e Prespës u nënshkrua më 17 Qershor të vitit 2018. Vendi fitoi emër të ri kushtetues – Republika e Maqedonisë së Veriut, me çka u zhbllokuan integrimet euroatlantike dhe Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, kurse BE-ja lejoi hapjen e negociatave për anëtarësim, që për momentin janë bllokuar për shkak të vetos bullgare.